Qeveria e Kosovës e ka shpallur të mbyllur ankandin solar prej 100 megavatësh.
Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se janë pranuar gjashtë oferta, derisa theksohet se emrat e kompanive do të bëhen publike pas 3 shkurtit kur të mbyllet edhe afati për aplikimet me postë.
“Procesi i ankandit ka qenë i hapur dhe transparent, duke siguruar kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit. Investitorët e interesuar kanë dorëzuar ofertat e tyre, të cilat Ministria e Ekonomisë do t’i vlerësojë në mënyrë të drejtë dhe profesionale në javët në vijim”, thuhet në kumtesë, përcjell KlanKosova.tv.
“Ofertuesi që ka dorëzuar ofertën me çmimin më të ulët në përmbyllje të “e-ankandit” do të shpallet fitues. Ky ankand i parë solar po tërheq investime të huaja dhe shënon një kapitull të ri në rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhmeje me energji të qëndrueshme dhe të pastër”.
Pas kësaj theksohet se do të sigurohet furnizim më stabil me energji elektrike dhe me kosto më të ulët.
“Ky parashihet të jetë ankandi i parë prej shumë ankandeve solare dhe të erës në të ardhmen. Kosova fton investitorët dhe zhvilluesit që t’i bashkohen në shfrytëzimin e potencialit të vendit për energji të ripërtërishme dhe të kontribuojnë për një të ardhme të qëndrueshme”.