Zakoni 1: Ji Proaktiv (paraveprues) – vizioni personal
Proaktiviteti domethënë që, si qenie njerëzore, ne jemi përgjegjës për jetën tonë.
Sjellja jonë është funksion i vendimeve tona, jo i gjendjeve apo kushteve tona.
Janë tri vlera qendrore në jetë:
• përjetimore (ato që na ndodhin)
• krijuese (ato që i sjellim në ekzistencë)
• qëndrimore-atitudore (përgjigjja jonë ndaj rrethanave të vështira).
Më e rëndësishmja është se si i përgjigjemi asaj që e përjetojmë në jetë.
Proaktiviteti bazohet në përballjen me realitetin por edhe me të kuptuarit se kemi
fuqi të zgjedhim përgjigje pozitive ndaj rrethanave tona.
Na duhet ta kuptojmë se si e përqendrojmë kohën dhe energjinë tonë për të qenë
efektivë. Gjërat për të cilat interesohemi do të mund të përshkruheshin si “Rrethi i
Merakosjes”. Ka gjëra rreth të cilave vërtet mund të bëjmë diçka, dhe kjo mund të
përshkruhet si “Rrethi ynë i Ndikimit”. Kur e përqendrojmë kohën dhe energjinë tonë
në Rrethin tonë të Merakosjes, por jashtë Rrethit tonë të Ndikimit, ne nuk jemi
efektivë. Mirëpo, konstatojmë se të qenit proaktivë na ndihmon ta zgjerojmë Rrethin
tonë të Ndikimit. (Puno në gjërat rreth të cilave mund të bësh diçka.)
Njerëzit reagues i përqendrojnë përpjekjet e tyre në Rrethin e Merakosjes, në gjërat
të cilat nuk mund t’i kontrollojnë. Energjia e tyre negative shkakton që Rrethi i tyre i
Ndikimit të zvogëlohet.
Nganjëherë bëjmë zgjedhje me pasoja negative, të quajtura gabime. Nuk mund t’i
anulojmë apo t’i zhbëjmë gabimet tona të kaluara. Qasja proaktive ndaj një gabimi
është ta pranosh atë menjëherë, ta korrigjosh dhe të mësosh nga ai. Suksesi është
ana e largët e dështimit.
Në zemër të Rrethit tonë të Ndikimit është aftësia jonë të bëjmë dhe të mbajmë
zotime dhe premtime. Integriteti ynë në mbajtjen e zotimeve dhe aftësia për të bërë
zotime janë manifestimet më të pastra të proaktivitetit.