1.4 C
Pristina
spot_img

BSH ngre alarmin për rreziqet klimatike në ekonomi

Date:

Share:

Prezantohet Raporti i Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim  (BERZH) 2023-2024. Me tranzicionin e gjelbër si një nga prioritetet e saj kryesore, Banka mbështeti investimet në energjinë e rinovueshme dhe ndihmoi ekonomitë e Ballkanit Perëndimor të nisin ankande konkurruese, duke rritur pjesën e energjisë së pastër në përzierjet e tyre të energjisë. Me mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE) dhe Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, Banka vazhdoi të financojë përmirësime në lidhjen e transportit, veçanërisht hekurudhor. Infrastruktura mjedisore ishte gjithashtu një nga fushat kryesore të mbështetjes në vitin 2023, veçanërisht projektet në menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe trajtimin e ujërave të zeza.

Në fjalën e tij Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh se  Raporti i Tranzicionit të BERZH-it hap siparin e analizave profesionale ekonomike për vitin 2024 dhe konkluzionet e rekomandimet e tij shtyjnë përpara debatin ekonomik, jo vetëm mbi sfidat e kohës, por edhe mbi politikat e duhura zhvillimore në funksion të një rritjeje sa më të shpejtë e të qëndrueshme.

“Ndërsa aktiviteti ynë fokusohet në problemet e ditës, tema e këtij raporti “Tranzicionet e mëdha dhe të vogla” na fton të hedhim vështrimin më larg. Cilësia e jetës dhe faktorët që e ndikojnë atë, realitetet e reja gjeopolitike dhe pasojat e tyre mbi strategjitë e zhvillimit të vendeve në tranzicion, ndryshimet klimatike, ngrohja globale dhe reduktimi i biodiversitetit  janë realitete të pamohueshme e me pasoja të konsiderueshme, jo vetëm për ekonomitë por edhe për shoqërinë e komunitetet tona. Për të gjitha këto çështje, me të drejtë, ky raport tranzicioni ka një vlerë të shtuar për fokusin e tij në implikimet e tranzicionit në strukturën e ekonomive, në zinxhirët globalë të tregtimit dhe gjenerimit të vlerës, në ndryshimet klimatike, në nevojën për akses të qëndrueshëm në lëndët bazë, si dhe në jetesën, punën dhe mirëqenien e individit.”- tha Sejko.

Guvernatori tha se edhe pse mjedisi i huaj është ende sfidues, perspektiva ekonomike paraqitet pozitive.

“Ky besim ushqehet nga një sërë faktorësh, ndër të cilët gjej me vend të theksoj: bilancet e shëndetshme të bizneseve dhe familjeve shqiptare, ambientin e qëndrueshëm financiar, mbështetjen me kredi që sektori bankar vijon të japë për zgjerimin e konsumit dhe të investimeve, si dhe ekspansionin e shpejtë të sektorit të turizmit gjatë viteve të fundit. Paralelisht me to, perspektiva konkrete e anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka ndihmuar në fokusimin dhe përshpejtimin e agjendës sonë të reformave strukturore. Kjo tablo pozitive na inkurajon ta hedhim vështrimin më larg, në sfida të reja të cilat tashmë po shndërrohen në një realitet gjithnjë e më të prekshëm.”- u shpreh Sejko.

Ndër temat e parashtruara në Raportin e Tranzicionit, ai u ndal në ndryshimet klimatike. Ngrohja globale dhe rritja e frekuencës së fatkeqësive natyrore të lidhura me klimën, kanë pasoja gjithnjë e më të larta për të gjitha vendet e ekonomitë, qofshin ato të zhvilluara apo në zhvillim, të mëdha apo të vogla.

“Ndonëse dritarja për veprim po vjen duke u ngushtuar, tranzicioni drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe të gjelbër  në interes të rritjes ekonomike dhe të vetë sistemeve natyrore dhe sociale po kthehet në një objektiv gjithnjë e më urgjent për shumë vende. Megjithatë, ndërsa sfida është e qartë për shumicën e vendimmarrësve, identifikimi i mënyrës më të mirë për adresimin e saj në praktikë është ende punë në progres.”- u shpreh Guvernatori.

Sejko tha se Indeksi Global i Përshtatjes, i matur nga Universiteti i Notre Dame e rendit Shqipërinë mes vendeve vulnerabël ndaj ndryshimeve klimatike.

“Po ashtu, vlerësimet e FMN-së sugjerojnë se Shqipëria ka mesatarisht një episod fatkeqësie natyrore në vit, e cila shkakton dëme deri në nivelin 1.3% të PBB-së dhe prek të paktën 1 në 200 banorë të vendit. Ne jemi të ndërgjegjshëm se ndryshimet klimatike do të kenë implikime të gjera për ekonominë, sistemin financiar dhe shoqërinë në përgjithësi. Për këtë arsye, autoritetet publike duhet të angazhohen në plane e strategji konkrete për të minimizuar ndikimin e tyre dhe për të arritur një zhvillim ekonomik e social të qëndrueshëm. Ndonëse bankat qendrore nuk janë aktorët primarë të cilët mund të lehtësojnë përshtatjen e ekonomisë me ndryshimet klimatike, Banka e Shqipërisë ka vendosur që pa paragjykuar mandatin e saj ligjor të stabilitetit të çmimeve të japë kontributin e saj në këtë drejtim”-u shpreh Sejko.

Përpjekjet e Bankës Qëndrore janë  përqendruar në tre drejtime kryesore. Së pari, në monitorimin e rreziqeve klimatike dhe zgjerimin e kapaciteteve  analitike në këtë fushë. Së dyti, në promovimin e financave të gjelbra. Së treti, në forcimin e bashkëpunimit me partnerët vendas dhe të huaj.

Sa i takon monitorimit të rreziqeve  ekziston një hendek i madh në të dhënat e lidhura me klimën.

“Megjithatë, kapërcimi sa më i shpejtë i tij do të krijonte premisa për të përmirësuar më tej modelet tona makroekonomike, analizat e skenarëve dhe vlerësimin e rrezikut. Kjo na ndihmon të llogarisim më mirë rreziqet klimatike dhe implikimet që mund të ketë tranzicioni në një ekonomi neutrale ndaj karbonit. Gjatë viteve të fundit ne kemi rritur dijet tona mbi pasojat ekonomike dhe financiare të ndryshimeve klimatike, nëpërmjet hulumtimeve dhe kërkimit shkencor.”

Sejko shpjegon strategjinë e financave të gjelbra. “Kjo strategji synon të ndërgjegjësojë bankat për nevojën e identifikimit, të matjes dhe të monitorimit të rrezikut që vjen nga ndryshimet e klimës, deri në nxjerrjen e udhëzimeve të plota nga Autoriteti Bankar Evropian për përfshirjen e këtij rreziku në proceset mbikëqyrëse. Ndërkohë, për vitin aktual, ne planifikojmë të përgatisim një udhëzues për rrezikun klimatik me qëllim që të inkurajojmë bankat të përfshijnë rreziqet klimatike në kuadrin e tyre të administrimit të rrezikut.”

Institucionet shqiptare po  punojnë me partnerë vendës dhe ndërkombëtarë për të rritur ndërgjegjësimin dhe transparencën për çështje të lidhura me klimën.

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img