-0.5 C
Pristina
spot_img

Çfarë dënimesh parashikohen në vendet evropiane për ata që kthejnë kilometrazhin në veturat e përdorura?

Date:

Share:

Në disa vende të Evropës, mashtrimi me kilometrazhin dënohet me gjoba shumë të larta, e në disa edhe me burg. Një studim i ri nga CarVertical zbulon gjithashtu humbjet që pësojnë blerësit në vendet evropiane për shkak të mashtrimit të kilometrazhit në automjetet e përdorura.

Praktika e falsifikimit të kilometrave është shumë e vjetër, por fatkeqësisht shumë e zakonshme në ditët e sotme, ndaj së cilës nuk janë të imunizuar edhe blerësit e automjeteve të përdorura në Kosovë, Shqipëri dhe rajon.

Një veprim i tillë mund të çojë në humbje të mëdha financiare për klientët e mashtruar, madje edhe të dëmtojë disa institucione të vendit ku shiten vetura të tilla. Pikërisht për këtë, në disa vende të Evropës ka ligje që ndëshkojnë ashpër personat që manipulojnë kilometrazhin.

Një studim i ri i kryer nga platforma online e verifikimit të automjeteve CarVertical kreu kërkime mbi këtë temë në 21 vende të Evropës. Studimi është bërë për të parë se si dënohet kjo vepër dhe çfarë rregullimi ligjor zbatohet në këto vende.

Studimi tregon se legjislacioni vendas në këto vende përfshin gjoba për të gjitha llojet e mashtrimit të veturave, duke përfshirë edhe falsifikimin e kilometrazhit. Por, për arsye të ndryshme, mashtruesit shpesh shmangin dënimet e ashpra.

Letonia është kampione në mashtrimin e kilometrazhit

Megjithëse dënimi ndryshon nga vendi në vend, ka disa vende ku mashtrimi me kilometrazhin merret seriozisht. Në Francë, për shembull, falsifikimi i kilometrazhit dënohet me gjobë deri në 300,000 euro. Gjithashtu, në Kroaci manipulimi i kilometrave dënohet deri në tetë vjet burg. Në Poloni, mashtruesit mund të dënohen me pesë vjet burg.

Në Republikën Çeke, për shembull, mashtruesit mund të marrin dy vjet burg, si dhe në Lituani dhe Francë. Në Spanjë dhe Itali, dënimi me burg për këtë krim është 3.5 vjet. Në Gjermani dhe Hungari, falsifikimi i kilometrazhit mund të dënohet deri në një vit pas hekurave.

Megjithatë, ka raste të rralla kur për falsifikimin e kilometrazhit aplikohen dënime maksimale. Më shpesh, dënimet bazohen vetëm në dënime monetare. Një shembull i kësaj është Letonia, kampione evropiane në manipulimin e kilometrave. Sipas këtij studimi, 12.9 për qind e të gjitha veturave të rishikuara në platformën online kishin kilometrazh të rremë dhe askush nuk ishte përgjegjës për këtë në katër vitet e fundit. Dënimi për falsifikimin e kilometrave në këtë vend baltik është vetëm 100 euro për individët dhe 1000 euro për personat juridikë.

Praktika është më e zakonshme në Evropën Lindore

Në Rumani janë regjistruar 7.8 për qind e rasteve ku rishikimi ka përcaktuar se kilometrazhi është kthyer. Numri i këtyre veturave është më i lartë se në vendet e tjera, si në Hungari (6.1%) dhe Serbi (5.3%). Ekspertët theksojnë se, nëse do të vendoseshin gjoba prej 3,000 euro për falsifikimin e kilometrave, Rumania mund të mblidhte të ardhura vjetore deri në 222 milionë euro. Gjithashtu, blerësit që blejnë një veturë me kilometrazh të rremë zakonisht paguajnë të paktën 20 për qind më shumë se sa vlen vetura.

Studimi tregon gjithashtu se kjo praktikë është më e zakonshme në Evropën Lindore sesa në Perëndim. Kjo për shkak të të ardhurave më të ulëta dhe një numri shumë më të madh të veturave të importuara.

Së fundi, i njëjti studim zbulon se vërtetimi i këtyre fakteve është jashtëzakonisht i vështirë. Për shkak të sistemit të transaksioneve ndërkombëtare midis blerësve dhe shitësve, është shumë e zakonshme që kilometrazhi i një veture të kthehet në një vend dhe më pas të shitet në një vend tjetër. Për të parandaluar manipulime të tilla, duhet një ligj i përshtatshëm në nivel të gjithë Evropës.

/Motilokal.com

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img