ARDIAN HOXHA, NDËRMARRËS
“Një ndërmarrës gjithmonë kërkon ndryshim, i përgjigjet atij ndryshimi dhe e përdorë atë si mundësi” – Peter Drucker
Të jesh ndërmarrës do të thotë të arrish t’i realizosh detyrat dhe prioritetet që ia vendosë vetes. Ndërmarrësia është një pikënisje e secilit mendim, ide apo ambicie. Ndërmarrësia si term ekonomik nuk është diçka e re, ky term daton që nga kohët e vjetra, atëherë kur njerëzit kishin parë që të realizohet diçka nevojitet që planet në mendje medoemos të vendosen edhe në letër dhe më pas të realizohen në veprime. Në ditët e sotme, ndërmarrësia bashkon dy qëllime, dëshirën për të qenë i suksesshëm dhe nëpërmjet atij suksesi fuqizimin e shoqërisë me hapjen e vendeve të reja të punës.
Edhe Ardian Hoxha, ndërmarrësinë e pa si rrugën kryesore drejt suksesit, jo vetëm për të krijuar të mira materiale por edhe për të dhënë kontributin e tij si qytetar i botës. I lindur në qytetin e Shkupit, ai rrjedh nga një familje patriotike e në të njejtën kohë edhe një familje ndërmarrësish, të cilët u morën me biznesin e argjendarisë qysh para 54 viteve. I frymëzuar nga babai dhe duke pasur edhe vetë shpirtin ndërmarrës, Ardian Hoxha sot është një ndër biznismenët më të njohur në Kosovë dhe më gjerë. Në rrugëtimin e tij si ndërmarrës, ai pati edhe shumë sfida, të cilat thotë se gjithmonë u mundua t’i kthejë në sukses.
Në një intervistë për KosovaJob, Ardian Hoxha rrëfen se si sfida e parë me të cilën u ndesh qysh në fëmijëri ka qenë jetesa nën regjimin serb, duke e detyruar atë që bashkë me familjen e tij të largoheshin nga Kosova dhe të zhvendoseshin në Shkup. Për 4 vite rresht, jetuan aty e pastaj lëvizen në Tiranë, ku po aty u ballafaqua edhe me zhdukjen e babait të tij, eshtrat e të cilit nuk janë gjetur as 24 vite pas. Mirëpo, kjo nuk e ndali atë të shndërrohej në një shtyllë mbrojtëse për pjesën tjetër të familjes por edhe të punonte drejt qëllimit për t’u bërë një ndërmarrës i suksesshëm.
“Vijnë momente kur realisht ballafaqohesh me sfida të natyrave të ndryshme, sfidat jo që bëhen më të lehta po njeriu bëhet më i fortë dhe më i aftë të ballafaqohet me to. Kështu që, sfidat janë pjesë e jetës, pjesë e punës dhe janë normale, nuk janë asgjë. Unë jam mbështetur përherë në thënjen: çka nuk më mbyt, me bën më të fortë”, thotë ai.
Ne moshën 18 vjeçare, Ardiani ka punuar edhe si taksist, për të bindur veten dhe familjen se është puntor dhe nuk i vjen turp nga puna e ndershme, e më pas arriti deri tek themelimi i American School of Kosova – ASK, Green and Protein, Glam Radio, SuchiCo, TravelMate dhe Duplex Club, të cilat sot janë ndër bizneset më të suksesshme në Kosovë. Gjatë intervistes, ai nënvizoi se pse zgjodhi ndërmarrësinë si profesionin e tij.
“Zgjodha ndërmarrësinë në njëfarë mënyre edhe për të arritur sukses, si në aspektin financiar po ashtu edhe për të dhënë kontribut. Kontributet si ndërmarrës janë: krijimi i vendeve të punës, sigurimi i të ardhurave për shumë familje, krijimi i shërbimeve apo produkteve për një shtet, dmth kontributi në prodhimin e brendshëm bruto, kontributi në arken e shtetit, etj. Mirëpo, një ndërmarrës gjithashtu zhvillon njerëz profesionalisht sepse ata fillojnë me një nivel profesional të caktuar dhe pastaj qoftë prej punës që e bëjnë, qoftë prej trajnimeve që i marrin – ngriten profesionalisht dhe bëhen më të suksesshëm”.
Veprimtaria e tij e parë e vërtetë në vitin 2003 ishte American School of Kosova, qëllimi i të cilës ishte nxjerrja e njerëzve të suksesshëm në fusha të caktuara që edhe ata pastaj të japin kontributin e tyre për vendin. Misioni i kësaj shkolle është arsimimi i liderëve të së nesërmes – për një të ardhme më të mirë. Duplex Club është biznesi i dytë i Ardian Hoxhës me të cilin arriti të ndikojë pozitivisht në tregun kosovar, duke sjellë edhe shumë bashkëatdhetarë e nacionalitete të ndryshme për vizita në Kosovë, e kështu duke krijuar “sezonin turistik” veror dhe dimëror. Në vitin 2013, Duplex Club mori edhe çmimin Fashion TV Nightlife Award gjatë Festivalit të Kanës, si një prej diskotekave më të mira në botë për vitin 2013. Në gjithë keto vite Kosovës i është bërë PR dhe marketing prej qindra miliona Eurosh nëpër botë vetëm nga rrjetet sociale që diaspora jonë përdor, duke u treguar miqëve të tyre nëpër vendet ku ata jetojnë se çfarë atmostere dhe jete bëhet në Kosovë.
Pjesë e rrugës drejt suksesit, janë edhe dështimet – si mësuesit më të mirë të njeriut. Albafone, një telefoni mobile që i adresohej popullit shqiptar në Maqedoni ishte një biznes tjetër i themeluar nga Hoxha por që nuk mundi të zhvillohej tutje, kjo si shkak i një aksidenti që ai pati bashkë me të shoqën. Mirëpo, Hoxha thotë se kjo ndodhi e ka bërë edhe më të fortë për jetën por edhe më të përgatitur si ndërmarrës.
Në Mars të vitit 2017, ai bashkë me dy miq të tij, themeluan edhe një radio pak më të veçantë në Kosovë, e quajtur Glam Radio, e cila funksionon pa ndonjë donacion dhe është fitimprurëse. Ndërkaq, Green and Protein nisi nga ideja e vëllait dhe motrës se tij, Qëndresës dhe Flakëronit, qëllimi i të cilit biznes është të ushqyerit shëndetshëm, që të gjithë njerëzit të jenë më energjik, më produktiv dhe të sëmurën më pak. Duke e parë potencialin e këtij biznesi, Hoxha vendosi që të zhvillojë edhe modelin e Franchise dhe t’u japë të drejtën e operimit njerëzve të interesuar për të investuar në këtë fushë. Ai thotë se këtë po e nisë me Tiranën, duke vazhduar me Zvicrën, me synim zgjerimin nëpër Evropë e pas vitit 2023 edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Green and Protein do të jetë ambasador i brendeve të Kosovës”, thekson Ardian Hoxha.
Në vitin 2018, edhe një biznes tjetër nën drejtimin e Hoxhës, iu shtua tregut të Kosovës. Si ndërmarrës, ai pati udhëtime të shumta gjithandej botës. Duke i parë shërbimet e cilësisë së lartë në fushën e turizmit, ai u inspirua për të hapur agjensionin turistik “TravelMate”, duke sjellë në Kosovë shërbime të cilat nuk ishin ofruar ndonjëherë më parë. Zingjirit të bizneseve nën udhëheqjen e tij, iu bashkua edhe lokali SushiCo, si koncept shumë i veçantë, ku njerëzit sot mund të shijojnë ushqime si ato të vendeve aziatike edhe në Kosovë.
“Përqëndrimi është ndër çelësat kryesorë drejt suksesit”
Një ndër vetitë e shumta të njeriut të suksesshëm është edhe përqëndrimi. Pa pasur përqëndrim, nuk mund të ketë as sukses. Këtë teori e mbështet edhe Hoxha, i cili thotë se nuk duhet lejuar kurrë të humbet fokusi apo të zhvendoset vëmendja në disa punë në të njejtën kohë, sepse edhe rezultati kësisoj nuk do të jetë i mirë.
“Nëse e humb fokusin, fillon të merresh me disa punë njëkohësisht, asnjëra prej tyre nuk do të përfundohet si duhet dhe do të rrezikohen që të gjitha. Kur niset një punë, ajo duhet të përfundohet me shumë sukses. Vetëm në rast se ka kapacitet shtesë për të vazhduar edhe me diçka tjetër, atëherë mund të bëhet, përndryshe dëmtohen që të gjitha punët e nisura.”
Krahas fokusit, si një prej pikave kryesore Ardiani thotë se është edhe të mësuarit e vazhdueshëm. Për të arritur sukses, sipas tij nevojitet shumë punë e ndonjëherë edhe fat po ky i fundit shpeshherë vjen bashkë me punën. Mirëpo, në jetë vijnë edhe periudha kur njerëzit nuk arrijnë të zhvillohen më tepër, e kështu nuk duhet mbështetur vetëm në rrjedhën por sipas Hoxhës duhet të mësohet më shumë e gjithsesi të bëhet vetë-reflektim. Duhet reflektim se çka i nevojitet njeriut në një moment të caktuar, cilën aftësi duhet ta përmirësojë, çka po e lë prapa apo çka do t’i ndihmonte të zhvillohej tutje.
Sipas tij, ndërmarrësit, liderët apo përgjithësisht njerëzit e suksesshëm edhe mund të lindin të tillë por edhe mund të bëhen. Aftësitë, Ardiani konsideron se janë të mësueshme, mund të mos kemi ndonjë një aftësi por ta shndërrojmë prej zeros në njëqind, e pastaj ajo të shndërrohet edhe në veti. Ai thotë se gjatë karrierës ka mësuar edhe teknika të ndryshme dhe ndër to përmend “mendo në letër”, një teknikë e rekomanduar nga Brian Tracy, çka i zhvillon njeriut mendimin kritik.
“Unë mendoj që e kam pasur të qartë se pse ekzistoj si Ardian dhe çka dua të bëj në jetën time, çfarë kontributi dua të jap. Pastaj jam munduar të krijoj një vizion për veten, që të shoh se ku mund të shkoj në një të ardhme dhe duke e pasur vizionin e një ndërmarrësi të suksesshëm, i kam vënë vetes qëllime. Kur ekziston edhe vizioni edhe misioni atëherë është shumë më e lehtë ta motivosh veten dhe bën matje se ku qëndron ti në krahasim me ato qëllime. Gjatë rrugëtimit, jam mësuar të jem këmbëngulës, të mos dorëzohem, të jem i guximshëm sepse edhe guximi është aftësi dhe nuk është mungesë e frikës, por menaxhim i frikës. Të gjitha keto i kam mësuar dhe forcuar gjatë rrugës duke përfshirë edhe vetinë e komunikimit, të menduarit kritik dhe gjithçka tjetër që më është dashur për të shkuar një hap tutje”, shpjegon Ardian Hoxha.
Papunësi apo papunëtorë?
Për të ndikuar edhe më pozitivisht në tregun e punës së ditëve të sotme, Hoxha është në mbarim të një libri me titull “Papunësia apo papunëtori”. Në këtë libër, ai po trajton problemet e tregut të punës në Kosovë, meqënëse në Kosovë shkalla e papunësisë është e lartë por ka edhe shumë vende të punës të hapura që nuk gjejnë kuadro, e në të njejtën kohë ka edhe të punësuar por që nuk janë punëtorë. Libri sjellë shumë teknika se si të shndërrohemi në punëtorë, si t’ia caktojmë të ardhurat vetes, sa të fitojmë etj.
Të gjithë të rinjve të cilët po presin të kyçen në treg të punës, bazuar në përvojat personale, Hoxha i këshillon të nisin një punë pa pagesë. Sipas tij, do të ishte shumë frytdhënëse nëse një i ri e zgjedh një kompani për të cilën ka pasur gjithnjë dëshirë të punojë, i dërgon kompanisë një CV dhe deklarohet se do të punojë pa pagesë rreth një vit.
“Kompanitë kanë nevojë për njerëz punëtorë dhe nëse një punëdhënës e sheh se dikush është shumë punëtor dhe i gatshëm të punojë pa pagesë, nuk pret gjatë dhe e vendosë në listë të pagave. Po ta zëmë që për një vit duhet të punosh pa pagesë, prapë bëje sepse përfitimi do të jetë i joti. Do të shndërrohesh në punëtor, do të hysh në treg të punës, do të fitosh përvojë dhe do të jesh shumë i vlefshëm si person, ani pse realiteti mund të të shqelmoj pak – ti do të kalitesh për jetë dhe gjithmonë do të kesh mundësi të tjera punësimi. Refuzohu 200 herë, punësohu 1 herë”.
Krejt në fund, ai theksoi se nëse punohet më shumë se sa që kërkohet, suksesi nuk do të mungojë në çfarëdo fushe. Nëse një punëdhënës nuk e di vlerën e një punëtori, gjithmonë do të jetë një tjetër që do ta vlerësoj atë punëtor më shumë. Ndërkaq, sa i përket synimeve të tij të së ardhmes ai thotë se kryesorja është suksesi global dhe kontributi i vazhdueshëm për vendin dhe popullin e tij.
“Unë gjithmonë kam dashur t’i tregoj vetes se jam punëtor, t’i tregoj botës se sa punëtor është Ardian Hoxha dhe që nuk me vjen turp të punoj, të punoj punë të ndershme gjithmonë. Tash, qëllimi im madhor është të bëhem njëri prej njerëzve më të suksesshëm në botë dhe si ndërmarrës të kontribuoj sa më shumë për popullin dhe vendin tim, për rajonin dhe botën”.