4.2 C
Pristina
spot_img

Gabimet e ekspertëve, vonesat në vendimmarrje dhe mungesa e transparencës – problemet kryesore të OSHP-së sipas D+

Date:

Share:

Gabimet e ekspertëve, mungesa e transparencës, vonesat dhe mungesa e vazhdimësisë në vendimmarrje janë disa nga problemet kryesore me të cilat po vazhdon të përballet Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).

Kështu thuhet në raportin e organizatës Demokraci Plus (D+) mbi monitorimin e OSHP-së në gjashtë mujorin e parë të vitit 2023.

Sipas D+, tejkalimi i afatit ligjor për publikimin e vendimeve vazhdon të jetë sfidë nga ana e OSHP-së.

“Ky problem jo vetëm që ndikon në efikasitetin dhe efektivitetin e procesit të prokurimit publik, por gjithashtu minon besimin e palëve të interesuara në aftësinë e OSHP-së për të zgjidhur ankesat në kohë dhe në mënyrë të drejtë”, thekson D+, shkruan Telegrafi.

“Pasiguria me të cilën përballen të gjitha palët e përfshira, duke përfshirë autoritetet kontraktuese dhe operatorët ekonomik, mund të rezultojë në vonesa të projekteve, pengesa financiare dhe humbje të mundësive të zhvillimit ekonomik. Kur vendimet vonohen, qëllimi i këtyre aktiviteteve mund të bëhet i vjetërsuar ose më pak i rëndësishëm, duke ndikuar negativisht në efikasitetin dhe kosto-efektivitetin e projekteve”, vijon raporti.

Kjo organizatë thotë se mos vazhdimësia në vendime, ka ndikim të thellë në besueshmërinë e OSHP-së.

“Kjo çështje ka një ndikim të thellë në besueshmërinë e OSHP-së si institucion përgjegjës për shqyrtimin e ankesave të prokurimit publik. Mospërputhja e vendimeve ngre shqetësime për drejtësinë dhe paanshmërinë e procesit të rishikimit. Mungesa e qartësisë në vendimet e OSHP-së e bën të vështirë për operatorët të kuptojnë kriteret e përdorura për të vlerësuar ankesat e tyre. Kjo pasiguri mund t’i dekurajojë operatorët ekonomik në adresimin e ankesave legjitime, pasi ata mund ta perceptojnë procesin si të kotë ose të njëanshëm”, thotë kjo organizatë.

D+ shton se një OSHP funksionale varet nga angazhimi i ekspertëve adekuat.

“Funksionimi efektiv i OSHP-së mbështetet shumë në ekspertizën e ekspertëve të saj shqyrtues, veçanërisht në fusha të specializuara si teknologjia informative dhe mjekësia. Për të siguruar që OSHP-ja mund të trajtojë ankesat komplekse dhe teknike me saktësi dhe aftësi, është thelbësore që të adresohet çështja e angazhimit të ekspertëve dhe zgjerimit të ekspertizës”, shton D+.

Po ashtu, raporti tregon se ka nevojë përmirësimi i transparencës në punën e OSHP-së.

“Duke përfshirë transmetimin e të gjitha seancave dëgjimore në internet, mbajtjen e linqeve për qasje publike, publikimin e ankesave dhe vendimeve në një format të lexueshëm në faqen zyrtare të internetit dhe sigurimin e dokumentacionit të duhur”, tregon raporti, raporton Telegrafi.

Ky organ sipas Demokraci Plus nuk ka përdorur metodologji që i referohej vendimeve të kaluara përgjatë adresimit të ankesave të reja.

Aty thuhet se në mungesë të Bordit, OSHP-së ishin mbledhur 700 ankesa të pazgjidhura në vlerë të përgjithshme prej 500 milionë euro.

“Nga prilli 2021 deri në qershor 2022, OSHP ka funksionuar pa bord. Pa këtë mekanizëm të vendimmarrjes, OSHP-ja nuk e kishte të mundur zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Si rezultat, autoritetet kontraktuese ishin të detyruara të ndalonin projektet kapitale të cilat ishin në fazën e shqyrtimit. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, ishin mbledhur mbi 700 ankesa të pazgjidhura që arrinin shumën në mbi 500 milionë euro lidhur me mos marrëveshjet në prokurim publik”, përfundon D+.

OSHP-ja është organ i pavarur administrativ që është përgjegjës për adresimin e ankesave në prokurim publik nga kompanitë e sektorit privat, të cilët kanë dorëzuar oferta në përgjigje të tenderëve.

Pas përfundimit të shqyrtimit të ankesave, ky organ nxjerrë një vendim me shkrim që adreson ankesën specifike dhe aktivitetin shoqërues të prokurimit. Pra, vendimet e OSHP-së janë obligative për të gjitha autoritetet kontraktuese që marrin pjesë në procedura të prokurimit.

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

7 Arsye Pse Ndryshimi Mund të Dështojë | Si Ndryshimi Shkon Keq

Ka shumë gjëra që duhen bërë siç duhet që ndryshimi të ketë sukses. Nga përfshirja e njerëzve deri te përmbushja e angazhimit për ndryshim. Por identifikimi...
spot_img