OpenAI përmirësoi aplikacionin ChatGPT në iPad ditën e sotme përmes një përditësimi të ri dizajnuar për të përfituar nga madhësia e ekranit të tabletit.
Aplikacioni i përditësuar ChatGPT për iOS dhe iPadOS përfshin gjithashtu mbështetje për “drag-and-drop”, Siri dhe integrim të shkurtesave.
Mbështetja për iPad do të thotë se ChatGPT tashmë hapet në ekran të plotë në tabletët Apple në vend të një aplikacioni me madhësinë e iPhone në ekran të madh.
Pjesa tjetër e aplikacionit ka mbetur e pandryshuar sepse përdoruesit ende ballafaqohen me opsionin për të përdorur GPT-3.5 ose GPT-4.
Mbështetja për “drag-and-drop” do të thotë se përdoruesit mund të tërheqin një tekst apo mesazh nga aplikacioni ChatGPT dhe ta “hedhin” në ndërfaqen e aplikacioneve të tjera.
Gjithashtu përdoruesit mund të thërrasin ChatGPT nga asistenti Siri dhe të përdorin funksionalitetin e shkurtesave të Apple. Përdoruesit mund të krijojnë një kërkesë për ChatGPT nga shkurtesat për të filluar një bisedë të re dhe ta integrojnë në automatizimin e Apple ShortCuts.
Që nga lançimi i një versioni mobil, OpenAI gradualisht ka përmirësuar aplikacionin duke shtuar historikun e bisedave apo ndërveprimet zanore. Kompania planifikon të lançojë një version në Android.