12.7 C
Pristina
spot_img

Kurti: Energjia elektrike është interes kombëtar

Date:

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar për investimet e bëra për sigurimin e energjisë elektrike për qytetarët e vendit si dhe subvencionimin e konsumatorëve të energjisë.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “dimri i vitit 2021 na rikujtoi në mënyrën më brutale brishtësinë energjetike”.

“Kapacitetet tona prodhuese janë të kufizuara. I takojnë shekullit të kaluar dhe me dekada nuk është investuar në shtimin e tyre. Kurse konsumi i energjisë është rritur në vazhdimësi. Dallimi duhet të plotësohet me import të energjisë. Por importi është shumë i shtrenjtë. Veçanërisht gjatë dimrit. Veçanërisht në ekonominë post-pandemike dhe pas agresionit rus në Ukrainë”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.

Më tej kreu i Qeverisë ka thënë se “këto dy vjet e gjysmë qeverisje, kemi punuar në mënyrë metodike për zgjidhjen afatgjate që meriton vendi ynë”.

“Fillimisht ndamë 120 milionë euro për të siguruar furnizim të rregullt me rrymë dhe për të mbrojtur qytetarët dhe bizneset nga rritja e çmimit të energjisë, të shkaktuar nga kriza energjetike. Pastaj, vendosëm themelet për rritjen e kapaciteteve të prodhimit, duke siguruar 700 milionë euro investime në këtë sektor, në mesin e tyre marrëveshja për bateritë me MCC-në në vlerë prej 237.6 milionë dollarë. Kurse në të njëjtën kohë, kemi nxitur uljen e konsumit të rrymës duke subvencionuar kursimin e saj, dhe rritur efiçiencës përmes masave mbështetëse për pajisje elektrike dhe të ngrohjes”.

Kurti thotë se janë mbi 208 mijë familje kursimtare që kanë përfituar nga subvencionimi i faturave të energjisë, dhe 10 mijë sosh që kanë përfituar nga subvencionimi i blerjes së pajisjeve efiçiente të energjisë.

“Ndërkaq 67 ndërtesa publike janë rinovuar për efiçiencë energjetike dhe ka filluar puna në realizimin e projektin 80 milionësh për Ngrohje Qëndrore me panele solare, përmes së cilit do të ulim konsumin e rrymës për ngrohje dhe do të kujdesemi për ambient të pastër”.

“Zgjidhja jonë na siguron se në të ardhmen do të kemi më shumë prodhim, sidomos nga burime të ripërtërishme, dhe më pak shpenzim të rrymës. Rrjedhimisht siguri energjetike më të lartë, dhe pavarësi më të madhe nga importi”.

“Krahas energjisë, teknologjia dhe inovacionin përbëjnë themelet e ekonomisë së shekullit 21. Vendi ynë tashmë ka një industri të fuqishme të Teknologjisë së Informacionit e Komunikimit (TIK) dhe me bilanc tregtar pozitiv. Eksporti i shërbimeve të TIK në vitin 2022 ishte rritur për 114% në krahasim me vitin paraprak. Qeveria është e përkushtuar të investojë në infrastrukturën digjitale, rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe ekosistemin e inovacionit, që mundësojnë zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të TIK në vend. Tashmë kemi 100% mbulueshmëri të zonave të banuara me Internet brezgjerë. Janë alokuar frekuencat për rrjetin 5G. Së bashku me partnerë zhvillimorë jemi në proces të trajnimit të mbi 3,500 të rinjve dhe të rejave në fusha të ndryshme të TIK-ut. Përkrahëm trajnimin në TIK edhe të mbi 900 të tjerëve përmes sistemit të voucher-ëve. Hapëm Parkun e Teknologjisë Digjitale në Prishtinë. Po investojmë tetë milionë euro në infrastrukturën dhe zhvillimin e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren. Në ITP është themeluar qendra për ekselencë digjitale, në kuadër të së cilës janë krijuar laboratori për printim dhe skanim 3D, qendra e të dhënave të rrjetit kombëtar për kërkim dhe edukim të Kosovës (KREN), si dhe klasat e pajisura për trajnime në fushën e TIK-ut”, ka shkruar Kurti, duke përmbyllur postimin e tij, me fjalinë “Drejt të ardhmes, për të cilën po investojmë sot”.

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img