James Kimonyo, ambasadori i Ruandës në Kinë, i cili ka marrë pjesë në disa transmetime të drejtpërdrejta në internet për të shitur produktet e vendit të tij, cilësohet si “promovuesi më i mirë i mallrave të prodhuara në Ruandë”.
Ruanda, që ka një peizazh të bukur natyror, njihet si “vendi i mijëra maleve”. Në vargmalet në veri të kryeqytetit Kigali, gjenden shumë plantacione kafeje. Në saje të kushteve natyrore dhe dheut vullkanik, kafeja e prodhuar në Ruanda ka një aromë të veçantë.
Në Ruandë një ndër 30 banorë merret me mbjelljen e kafes. Mirëpo, për shkak të pozicionit gjeografik dhe transportit të vështirë, nga këtu eksportohen kryesisht kokrrat e papërpunuara, nga të cilat fermerët vendorë fitojnë shumë pak.
Në korrikun e vitit 2018, gjatë vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Ruandë, dy vendet nënshkruan një sërë dokumentesh bashkëpunimi brenda kornizës së “Një brez, një rrugë”, duke përfshirë atë në fushën e tregtisë elektronike ndërkufitare. Pas disa muajsh, kokrrat e kafesë së prodhuar në Ruandë filluan të shiteshin në tregun kinez nëpërmjet platformës elektronike dhe, pasi debutuan në edicionin e parë të Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës, ato po mirëpriten gjithnjë e më shumë nga konsumatorët kinezë.
Ndërtimi i “Rrugës Digjitale të Mëndafshit” ka shkurtuar zinxhirin e shitjes. Tani fermerët në Ruandë mund të fitojnë katër dollarë amerikanë më shumë nga çdo kg kokrrash kafeje në krahasim me të kaluarën.
Ndërsa ka dëshmuar rritjen e vrullshme të ekonomisë digjitale të Kinës, ambasadori Kimonyo po planifikon të paraqesë më shumë produkte të posaçme në Kinë, duke ndërtuar një urë për shtimin e shkëmbimeve ndërmjet dy vendeve.
Ndërkohë, ndihma nga Kina për ekonominë digjitale në vendet afrikane si Ruanda ka shtuar gjallërinë e rimëkëmbjes dhe zhvillimit të ekonomisë vendore. Gjatë ndërtimit të përbashkët të “Një brez, një rrugë”, Ruanda, në brendësi të Afrikës, me dendësi të lartë popullsie dhe tokë të kufizuar, ka realizuar 8.2 % rritje të PBB-së vitin e kaluar, duke u shndërruar në një ndër ekonomitë me rritje më të shpejtë në kontinentin afrikan vitet e fundit.(Zhang Yan/Artan)