Ministria e Drejtësisë ka lidhur kontrata me dy kompani, përmes procedurës së negocimit, për të mbrojtur Republikën e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, për tri raste.
Në dy raste, Kosovën do ta përfaqësojë e njëjta kompani “Squire Patton Boggs (US) LLP”, me bazë në New York. Kësaj kompanie i është dhënë një tender në vlerë 1 milion e 180 mijë euro dhe një tjetër në vlerë 295 mijë euro, raporton Express.
Kontrata e parë është për 36 muaj, derisa e dyta për 24 muaj.
Kontrata tjetër është lidhur me kompaninë “ZFZ Zeiler Rechtsanëaelte GmbH”, me bazë në Vjenë. Vlera e përgjithshme e kontratës me këtë kompani është 110 mijë euro.
“Në këtë procedurë janë ftuar 04 Operator Ekonomik Ndërkombetar për përfaqësim të Republikës së Kosovës në kontestet e Arbitrazhit dhe Procedura Gjyqësore, kemi pranuar 03 oferta, një ofertë është refuzuar për shkak se nuk ka ofruar TVSH -ne si dhe nuk ka ofruar çmim për përfaqësim te ekipet për shpenzimet e tyre (në udhetim, fjetje, ushqim etj )”, shpjegohet në njoftimin për kontratë.
Sipas disa përgjigjeve të Ministrisë së Drejtësisë, deri në tetor të këtij viti, Republika e Kosovës ka pranuar padi në Tribunalet jashtë Kosovës, nga kompani apo persona fizik.
Vlera e përafërt e kërkesave të paditësve është 229 milionë e 133 mijë euro.
“Nga këto kërkesa / padi deri me tani janë përfunduar tri (3) raste nga te cilat buxheti i shtetit është mbrojtur ne shumen prej 136,133,000.00 euro, jemi në pritje të një (1) vendimi”, kishin deklaruar nga MD.
Në tetor të këtij viti, Kosova e ka humbur një betejë me kompaninë “ContourGlobal”, në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Vendimi e obligon Kosovën që t’i paguajë mbi 20 milionë euro dëmshpërblim kompanisë në fjalë.
Por, Ministria që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu ka paralajmëruar se këtë vendim do ta sfidojnë në gjykatën civile të Mbretërisë së Bashkuar.
“Avokatura Shtetërore dhe përfaqësuesi ligjor i kontraktuar e kanë analizuar vendimin final të arbitrazhit dhe i njëjti do të sfidohet në gjykatën civile në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në përgjigje.