Kuvendi Komunal i Prishtinës ka vendosur të enjten të miratojë Ligjin për Tatimin në Pronë, i cili parasheh faljen e 75 eurove nga tatimi në pronë për vitin 2023.
Ndonëse fillimisht u propozua që vlera e tatimit të jetë 100 euro, me dakordim u propozua që shuma të jetë 75 euro. Ky Ligj u votua më 28 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Vendimi u mor në seancën e jashtëzakonshme me vetëm një pikë të rendit të ditës, ndërsa mungoi kryetari Përparim Rama dhe partia e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës, ku për mungesë të tyre u kritikua nga partitë opozitare.
“Falja do te jetë jo më shumë se 75 euro, tatimpaguesit që tashmë e kanë paguar deri në vlerën 75 do të jetë si paradhënie për vitin 2024. Nëse e ka faturën 100 euro, 75 euro i falën ndërsa duhet të paguajë 25 euro”, tha Nora Kelmendi, kryesuese e Kuvendit Komunal.
Leotrim Ratkoceri nga Partia Demokratike e Kosovës, propozoi që krahas faljes së 100 eurove të bëhet edhe zbritja e vlerës së tatimit në pronë.
“Është e çuditshme që temat më të rëndësishme po lihen pas dore dhe trajtohen në fundvit. PDK e ka të qartë pse gjendet në këtë sallë sepse ne e interes e kemi interesin e qytetarëve. Ne do të propozojmë zbritjen e vlerës së tatimit në pronë dhe e kemi kundërshtuar vlerën e tatimit në pronë. Ne sot kërkojmë që të hiqet barra e rritjes së tatimit në pronë. Vetëm qytetarët mund ta falin pushtetin për rritje të pronës”, tha ai.
Edhe Endrit Zabërgja nga Nisma Socialdemokrate kërkoi që të votohet ky ligj, teksa shprehu keqardhje për gjendjen e asamblesë.
“Nëse e shtojmë edhe gjendjen socio-ekonomike, e shohim të domosdoshme marrjen e këtij vendimi. Më vjen keq të shoh gjendjen e Asamblesë në këtë gjendje dhe do duhej që qytetari t’i sheh gjithë të bashkuar në ndihmesën e qytetarëve”.
E Gëzim Mehmeti nga AKR, tha se vitin e kaluar Kuvendi Komunal kishte marrë vendim që t’i mbështesë punëtorët komunal me nga 500 euro, me ç’rast përfitues ishin edhe asamblistët.
“Vitin e kaluar kanë përfituar punëtorët e Komunës së Prishtinës, përfshirë edhe neve si asamblistët. Pse të mos i përkrahim dhe qytetarët dhe t’i mbështesim edhe qytetarët me faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë”, pyeti Mehmeti.
Përkrahje i dha edhe grupi i asamblistëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës./EO