-3.4 C
Pristina
spot_img

Dilema e një novatori: Kur duhet të largohet themeluesi i një kompanie dhe çfarë duhet të bëjë

Date:

Share:

Ndërsa investitorët po vlerësojnë fitimet mbi rritjen, nga shefat kërkohen aftësi të reja, shkruan The Economist

“Unë jam një sipërmarrëse. Jam themeluese. Kështu funksionon mendja dhe truri im”, tha Whitney Wolfe Herd, në një intervistë me revistën “Fortune”, ditën kur njoftoi se do të largohej si drejtuese ekzekutive e Bumble, një aplikacion takimesh që ajo themeloi në vitin 2014.

Zonja Wolfe Herd, e cila më parë kishte bashkëthemeluar aplikacionin Tinder, një rival të Bumble, rrëfeu për angarinë e drejtimit të një kompanie publike.

Ajo do të kalojë në rolin e kryetares ekzekutive, ku do ta kalojë kohën “duke parë nga larg të ardhmen e dashurisë dhe romancës”. Vendin e saj do ta zërë Lidiane Jones, e cila tani drejton Slack, një platformë bisedash, e blerë nga gjiganti teknologjik Salesforce, në vitin 2021.

Themeluesi i Slack, Stewart Butterfield, dha dorëheqjen si drejtues në fillim të vitit. Investitorët shpresojnë që zonja Jones do të përqendrohet më tepër në të ardhmen, sesa në të tashmen; aksionet në Bumble kanë humbur 82% të vlerës që nga koha kur kompania u listua në bursë në vitin 2021.

Vizioni i madh i zonjës Wolfe Herd për ta kthyer Bumble në një platformë më të gjerë për gratë, ku ato do mund të bënin miq dhe të krijonin lidhje profesionale, ka qenë një dështim. Ndërkohë, ajo është grindur me rivalin Match Group, i cili zotëron Tinder dhe aplikacione të tjera takimesh, duke përfshirë Hinge. Kostot janë rritur.

Prej kohësh, investitorët i kanë parë me sy pozitiv kompanitë e udhëhequra nga themeluesit. Çmimi i aksioneve të Bumble ra me 4% ditën kur zonja Wolfe Herd njoftoi riorganizimin e kompanisë.

Ben Horowitz, një titan i kapitalit sipërmarrës, beson se themeluesit e kompanive, mund t’i dallojnë ndryshimet në teknologji më mirë se shefat “e importuar”.

Dhe duke qenë se kompania është puna e jetës së tyre, themeluesit shpesh janë shumë më largpamës dhe investojnë në ide novatore që mund të duhen vite për t’u vënë në praktikë.

Çfarë duhet të bëjnë themeluesit e kompanive? Një alternativë është të zbusin ambiciet e larta dhe të ndryshojnë qëndrim, duke e portretizuar veten si kujdestarë të zellshëm të kapitalit.

Pasi u përball me zemërimin e investitorëve, Mark Zuckerberg, themeluesi i gjigantit teknologjik Meta, zbuti planin madhështor për të ndërtuar një “metaverse”, duke deklaruar në shkurt se viti 2023 do të ishte “viti i efikasitetit”.

Kështu, aksionet e kompanisë kanë rifituar pjesën më të madhe të vlerës që humbën vitin e kaluar.

Më 2 nëntor, platforma e tregtisë elektronike Shopify, raportoi rezultatet tremujore, nga korriku deri në shtator. Investitorët u gëzuan nga kthimi i fitimeve; çmimi i aksioneve të kompanisë u rrit brenda ditës me 22%.

Në maj, kompani shkurtoi fuqinë punëtore me 20% dhe shkarkoi krahun logjistik. Tobias Lütke, bashkëthemeluesi dhe shefi i saj, pranoi se kompania ishte shpërqendruar nga “kërkimet anësore” dhe ishte rritur më shpejt se ç’duhej gjatë pandemisë.

Kompania Salesforce, e drejtuar nga bashkëthemeluesi Marc Benioff, është një tjetër shembull i ngjashëm. Për vite me radhë, ajo i dha përparësi rritjes mbi marzhet e fitimit dhe shpenzoi sasi të mëdha parash në blerje, si blerja prej 28 miliardë dollarësh e firmës Slack.

Ndërsa industria e teknologjisë u fundos vitin e kaluar, investitorët aktivistë filluan t’i vinin rrotull firmës. Në përgjigje, ajo shkarkoi 10% të fuqisë punëtore, ndali blerjet dhe rriti çmimet. Këto përpjekje janë shpërblyer nga investitorët.

Sidoqoftë, siç vëren edhe zonja Wolfe Herd, kjo mënyrë operimi mund të jetë shumë e mërzitshme për disa themelues kompanish. Disa mund të heqin dorë fare, si zoti Butterfield, që tani e kalon kohën duke punuar në kopsht dhe duke blerë prona luksoze.

Të tjerë, si zonja Wolfe Herd zgjedhin të gdhendin një rol të ri sipas dëshirës, duke ua lënë në dorë të tjerëve punën e lodhshme të gjenerimit të fitimeve. Nëse mënyra të tilla operimi do të funksionojnë, do të varet nga personalitetet e drejtuesve.

Bradley Hendricks nga Universiteti i Karolinës së Veriut, vë në dukje se megjithëse themeluesit kanë më shumë nevojë për këshilla se profesionistët me përvojë, ata gjithashtu kanë më shumë gjasa t’i shpërfillin ato.

Nëse shfaqen shenja tensioni midis shpresave të mëdha të një themeluesi dhe përparësive pragmatike të shefit që ata punësojnë, mund të ketë shkëndija./Monitor

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img