8.7 C
Pristina
spot_img

Ikja nga tatimet e tkurr buxhetin për mbi 700 milionë euro në vit

Date:

Share:

Shmangia nga tatimet i kushton buxhetit të Kosovës qindra miliona euro në vit.

Më shumë se 30 për qind e bruto prodhimit të brendshëm është ekonomi joformale, sipas disa të dhënave që kanë përpiluar zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Ato janë publikuar edhe në raportin e progresit për Kosovën, në fund të vitit të kaluar.

Përkthyer në shifra nga ish-ministri i Ekonomisë i Kosovës, Haki Shatri, kjo nënkupton mbi tre miliardë euro.

Me Ligjin për ndarjet buxhetore këtë vit, bruto prodhimi i brendshëm parashihet të jetë rreth 10.6 miliardë euro.

Madhësia e problemit

Duke vënë në dukje seriozitetin e problemit, Shatri thotë se shmangia nga tatimet vërehet kudo – nisur nga mospagesa e tatimit mbi vlerën e shtuar, tatimit në pagë e deri te shitja e produkteve pa kuponë fiskalë.

Nëse shteti do të arrinte t’i mblidhte të gjitha – që e tejkalojnë vlerën 25% – Shatri thotë se buxhetit të sivjetmë prej 3.3 miliardë eurosh do t’i shtoheshin edhe mbi 700 milionë.

Të ardhurat shtesë, sipas tij, “do të siguronin paga më të larta, investime në projekte kapitale, në sektorin e energjisë, por edhe në transfere sociale”.

“Do të mund të ndërtoheshin apo digjitalizoheshin shkollat, të investohej në spitale… Pra, do të përmirësohej mirëqenia e qytetarëve të Kosovës”, shton ai për Radion Evropa e Lirë.

Përveç ndikimit në të hyrat buxhetore, shmangia nga tatimet krijon edhe konkurrencë të padrejtë në treg, thotë ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, tani udhëheqës i Institutit Hulumtues për Ekonomi dhe Financa.

Sipas tij, bizneset që i shmangin tatimet, përfitojnë padrejtësisht kundrejt atyre që e respektojnë ligjin.

“Shumë biznese vazhdojnë t’u ikin obligimeve tatimore që i kanë ndaj shtetit”, thotë ai.

Me ligjin në Kosovë, të gjitha bizneset janë të obliguara që të pajisen me arka fiskale dhe, rrjedhimisht, të lëshojnë kuponë fiskalë për çdo blerje të realizuar.

Sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, e cila funksionin në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në Kosovë janë të regjistruara mbi 236 mijë biznese, por nuk është e qartë se sa prej tyre janë aktive.

Të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës tregojnë se numri i bizneseve të fiskalizuara është mbi 44 mijë.

E, sipas të dhënave të Institutit Riinvest, që promovon zhvillimin modern ekonomik në Kosovë, janë 23 deri në 25 për qind e bizneseve që u shmangen obligimeve tatimore, duke i nënraportuar shitjet.

Drejtori ekzekutiv i këtij instituti, Alban Hashani, thotë për Radion Evropa e Lirë se niveli i shmangies tatimore është më i lartë te kompanitë e vogla, për shkak se edhe kontrollet te to, sipas tij, janë më të rralla.

Shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img