-0.5 C
Pristina
spot_img

AKK shpenzoi rreth gjysmën e buxhetit për udhëtime zyrtare, kritikojnë deputetët

Date:

Share:

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës për vitin 2022 ka shpenzuar rreth 50 për qind të buxhetit për udhëtime zyrtare jashtë vendit, akomodim dhe dreka. Kështu u bë e ditur në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere gjatë shqyrtimit të Raportit vjetor financiar AKK-së për vitin 2022.

Këto shpenzime të larta u kritikuan nga deputetët e LVV-së, ku sipas tyre është i vetmi institucion me këtë numër të punëtorëve që ka shpenzuar kaq shumë para jashtë vendit, ku sipas tyre qëllimi i institucionit (AKK) është mbikëqyrja dhe zhvillimi i tregut të brendshëm.

Deputeti i VV-së, Eman Rrahmani theksoi se janë shqetësuese shpenzimet enorme për udhëtime zyrtare.

“Tek udhëtimet zyrtare nëse sheh tabelën e mallrave dhe shërbimeve mbi 50 për qind po i bie që janë udhëtime zyrtare, akomodim dhe dreka zyrtare. Nuk ka asnjë institucion në Republikën e Kosovës që ka këtë statistikë. Deri sot në Kuvend nuk ka ardhur një institucion me për qindje kaq të madhe të shpenzimeve në këto kategori. Për mua është shqetësuese, në bazë të saj duke qenë kaq staf i vogël nuk e di edhe kush mbetet të punojë këtu?”, tha Rrahmani.

Për këtë zyrtari kryesor financiar në AKK, Arsim Ternava, tha se shuma prej 24 mijë euro në raport me institucionet e tjera është shumë e vogël.

“Me 56 mijë euro totali i mallrave dhe shërbimeve në boten e jashtme janë shpenzuar 24 mijë euro që i bie 40 për qind dhe jo 50, pajtohem që është për qindje e madhe. Por, mos të harrojmë se ky 56 mijë është shumë i vogël në raport me institucionet tjera”, u përgjigj Ternava.

Akuza për këtë pati edhe deputetja e LVV-së Jeta Statovci. Sipas saj qëllim për AKK-në duhet të jetë monitorimi i tregut të brendshëm dhe jo udhëtimet e jashtme.

“Ju jeni një staf me 21 persona, ndërsa nëse shikojmë trajnimet dhe seminaret e juaja gjatë vitit të kaluar janë 31 aktivitete, 21 staf dhe 31 aktivitete, andaj normal se kostoja e udhëtimeve kalon rreth 50 për qind. Ju duhet të kuptoni që jeni ndër institucionet më të rëndësishme që fokusin duhet të keni tek tregu i brendshëm dhe jo te vizitat studimore jashtë. Pra, lista juaj është, vizitë studimore, Luksemburg, Estoni, Lituani, Austri, një varg aktiviteteve te tilla të cilat kalojnë në masën e 31 aktiviteteve ku qëllimi juaj është të monitoroni edhe mbikëqyrni zhvillimet e tregut të brendshëm”, tha Statovci.

Për këtë u përgjigj, kryetarja e komisionit të këtij institucioni, Neime Binaku-Isufi, e cila tha se do të ndërmarrin masa për këtë pjesë, shtoi se vizitat e lartpërmendura nga deputetja kanë ndodhur gjatë periudhës sa nuk ka qenë prezentë në AKK.

“Ne si komision kemi ardhur që nga korrikut i vitit të kaluar, 2022 përfshinë gjashtë muaj, punën efektive jemi prej korriku. Këto vizita që kanë ndodhur në Estoni, Lituani, Austri, kanë qenë të planifikuara para se me ardhur ne. Kur kam ardhur në Autoritet të konkurrencës të gjithë kanë qenë në udhëtim zyrtar, unë kam shku vet, askush nuk më ka thirr, një javë pasi jam votuar prej Kuvendi, më thanë duhet me shku. Shkoj te dera, askush nuk ma hap derën dhe aq jam ndih keq sa nuk di ta shpjegoj, dhe pas gjysmë ore del zyrtari Arsimi dhe nuk dija as si te prezantohem, dhe më thanë që gjithë zyrtaret tjerë janë në udhëtim

Ndërkaq, kryetari i këtij Komisionit për Buxhet, Armend Muja me batutë ja ktheu se ndoshta udhëtimet e shpeshta kanë qenë për të kontribuar për njohje të shtetit të Kosovës.

“Ndoshta jeni shkuar të kontribuoni për njohje”, tha Muja.

Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi derisa ka prezantuar kontributet e këtij institucioni për vitin 2022, tha se i përmbushin të gjitha obligimet raportuese që dalin nga ligji dhe janë të bazuara në shënimet financiare të mbajtura në mënyrë të duhur.

“Pasqyrat financiare të cilat i keni të bashkangjitura për vitin e përfunduar me 31 dhjetor, 2022 janë përgatitur sipas standardëve ndërkombëtare të kontabilitetit të sektorit publik dhe raportimit financiar sipas kontabilitetit të bazuar në para të gatshme. I përmbushin të gjitha obligimet raportuese që dalin nga ligji dhe janë të bazuara në shënimet financiare të mbajtura në mënyrë të duhur”, tha Binaku-Isufi.

Ndërsa, deputeti, i AAK-së Pal Lekaj ka pyetur po ashtu edhe për rritjen e shpenzimeve gjatë vitit 2022 krahasuar me vitin 2021.

“Shpenzimet sipas burimit të fondeve buxhetore, shpenzimet për vitin 2021 ishin në shumen prej 244 mijë e 365 euro, ndërsa shpenzimet në vitin 2022 ishin 257 mijë e 857 euro, pse janë ngritur shpenzimet, çfarë ka ndodhur me këtë rritje?”, pyeti Lekaj.

Zyrtari kryesor financiar në AKK, Arsim Ternava ka arsyetuar këtë duke thënë se është bërë rritja e stafit.

“Autoriteti ka një buxhet jashtëzakonisht të vogël për faktin se me ligjin për buxhetin e vitit 2022 ne kemi pas një total prej 344 mijë e 996 euro. Në muajin tetor nga Ministria e Financave kemi kërkuar deklarimin e kursimeve, pra mbetjet e buxhetit në kategori të mundshme dhe ne në muajin tetor kemi deklaruar 70 mijë euro kursime, konkretisht 58 mijë tek pagat dhe 12 mijë euro tek shpenzimet komunale. Arsyeja pse është kjo shumë e mbetur tek pagat është për faktin se nga qershori deri në dhjetor të viti 2022 nuk kemi pas komision.

Pas këtyre kursimeve na ka mbet një buxhet përfundimtar në shumë prej mbi 274 mijë euro. Në fund të vitit 2022 ne kemi në total të shpenzuar një buxhet prej mbi 257 mijë euro që i bie 200 mijë euro për paga, 56 mijë euro për mallra dhe shërbime dhe 900 euro për shpenzime komunale. Në krahasim me vitin 2021 është për faktin se në vitin 2021 kemi pas tek mallrat dhe shërbimet 42 mijë euro të shpenzuara, ndërsa në vitin 2022 kemi 56 mijë. Është bërë rritja e stafit, sjell edhe shpenzime tjera, mund të sjell për vizita zyrtare, shpenzime për zyre, për bileta të aeroplanit… E para është se si institucion jemi”, tha Ternava. /kp/

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img