Agjencia Kosovare e Privatizimit ju fton të konkurroni për t’u bërë pronar i pronave të shumta në lokacione atraktive në disa qytete të Kosovës. Në valën e fundit të shitjeve të aseteve, janë tenderuar 39 prona që ofrojnë mundësi të shkëlqyeshme për blerje dhe zhvillim të biznesit tuaj.
Vala e re e shitjeve të aseteve me nr. 64 (ShAL 64), e cila u shpall me datë 9 nëntor 2023, përfshin 15 asete në rajonin e Prishtinës, ku ka ndërtesa Administrative, lokale, depo e toka, që paraqesin mundësi të shkëlqyer për zhvillimin e veprimtarive biznesore. Në rajonin e Prishtinës po ashtu ka lokale e toka në shitje edhe qytetin e Podujevës e Obiliqit.
Në rajonin e Pejës janë në shitje 10 asete, si ndërtesa e lokale, depo si dhe objekt hotelier (motel), që gjinden në Pejë, Gjakovë, Klinë e Deçan. Po ashtu në rajonin e Pejës ka në shitje edhe toka bujqësore që janë të përshtatshme për kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore dhe për zhvillimin e biznesit.
Në rajonin e Prizrenit mund të ofertoni për blerje të lokaleve dhe depove. Janë gjithsej 8 lokale në shitje në këtë rajon. Po ashtu në tender ka 4 prona edhe nga Mitrovica si dhe ka asete edhe nga rajoni i Gjilanit.
Blerësit mund të konkurrojnë për njërin nga këto asete apo mund të konkurrojnë për më shumë asete. Gjithë procesi i dorëzimit të ofertave dhe i hapjes dhe zbulimit të çmimeve është i siguruar dhe garantuar dhe zhvillohet me transparencë të lartë, në prani të mediave dhe gjithë blerësve konkurrentë dhe transmetohet drejtpërdrejt.
Shpallja publike për këto asete është bërë me 09. 11. 2023. Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes Shitjes së Aseteve me Likuidim nr.64 duhet të dorëzohen në“Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë me datën 29.11.2023, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilin artikull. Kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30. Gjatë kësaj periudhe palët e interesuara e kanë mundësinë që të marrin informata më të detajuara si dhe t’i vizitojnë për së afërmi pronat e ofruara për shitje.
Listën e Aseteve të tenderuara mund ta gjeni të bashkangjitura në këtë e-mail dhe në linkun https://www.pak-ks.org/page.aspx?id=1,65,%20751
Për më shumë informata, palët e interesuara mund të kontaktojnë AKP-në, Rruga “Dritan Hoxha Nr.55”, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës, apo në tel: +383 (0) 38 500 400.