Inspektorati i Tregut i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë bashkë me Policinë e Kosovës (Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit) kanë kryer një aksion nëpër dyqanet e shitjes së telefonave në Prishtinë.
Në njoftimin për media thuhet se gjatë këtij aksioni janë inspektuar 31 dyqane të shitjes së telefonave mobil, me ç’rast janë konfiskuar 118 telefona të mençur, 3 tableta (IPod), 11 palë kufje (Airpods).
“Po ashtu një dyqan është mbyllur nga Inspektorati i Tregut në mungesë të dokumentacioneve (biznes i paregjistruar), ndërsa një dyqani tjetër i është ndaluar përkohësisht ushtrimi i veprimtarisë deri në verifikimin e plotë të gjendjes.
Qëllimi i këtij aksioni ishte dyshimi për kontrabandë të mallrave, shmangie nga tatimi dhe shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, respektivisht Inspektorati i Tregut e ka në prioritet luftimin e informalitetit, eliminimin e praktikave të padrejta tregtare si dhe mbrojtjen e konsumatorit, prandaj do të vazhdojë me aksione të tilla edhe në të ardhmen.
“Lusim të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që sa herë të ballafaqohen me praktika mashtruese në treg, ankesat e tyre t’i deponojnë në platformën elektronike: https://konsumatori.rks-gov.net ose të thërrasin (pa pagesë) në numrin e telefonit: Tel: 0800 11 000.
Secila ankesë trajtohet me shumë përkushtim dhe korrektësi”, thuhet më tej.