1.1 C
Pristina
spot_img

Banka Botërore paralajmëron për nevojën e transformimit urgjent të sektorit të ngrohjes në vendet e rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore

Date:

Share:

Në analizën më të fundit të publikuar për 22 vende të Europës dhe Azisë Qendrore, Banka Botërore bën thirrje për një ristrukturim rrënjësor të sektorit të ngrohjes në rajon me qëllim ofrimin e shërbimeve të qëndrueshme dhe të përballueshme për popullsinë e këtyre vendeve, veçanërisht për shtresat më të cënueshme, dhe pakësimin e përdorimit të karburanteve me emetime të larta të karbonit.

Raporti Drejt një Tranzicioni të Qendrueshëm të Ngrohjes në Europë dhe Azinë Qendrore, thekson nevojën urgjente për të siguruar ngrohje efiçente, të pastër dhe të përballueshme për të gjithë. Arritja e objektivit për emetime neto zero në rajon deri në mesin e shekullit kërkon transformim drastik të sektorit, i cili përbën sot rreth 24% të kërkesës rajonale për energji dhe është përgjegjës për rreth 22% të emetimeve të gazrave serrë (GHG).

“Tranzicioni drejt ngrohjes së qëndrueshme është një objektiv që vendet e Europës dhe Azisë Qendrore nuk duhet ta shtyjnë më tej”, tha Antonella Bassani, Zëvendës Presidente e Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore. “Duke miratuar politika dhe programe qeveritare të përshtatshme, me subvencione drejt teknologjive më të pastra dhe më efiçente të ngrohjes, vendet do të mundin që brenda kësaj dekade të arrijnë uljen e kërkesës për ngrohje, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe pakësimin e emetimeve.”

Raporti konstaton se për shkak të investimeve të pamjaftueshme, sektori i ngrohjes në vendet e Europës dhe Azisë Qendrore shpesh ofron shërbime me cilësi të ulët, nuk arrin të rikuperojë plotësisht kostot e tij, shkakton pasoja të rënda në mjedis dhe cilësinë e jetës së njerëzve. Rreth 30% e popullsisë së rajonit, kryesisht në zonat urbane, merr shërbim nga ndërmarrjet komunale të ngrohjes qendrore, të cilat mbështeten kryesisht tek lëndët djegëse fosile të subvencionuara, kanë infrastrukturë të vjetëruar dhe qëndrueshmëri të dobët financiare. Në zonat rurale, pjesa dërrmuese e familjeve përdorin soba ose bolierë me dru ose qymyr me ndotje të lartë. Të marra së bashku, këto burime karburanti shkaktojnë nivele të larta të ndotjes së ajrit që çojnë në rreth 302,000 vdekje dhe shkaktojnë një kosto të mirëqenies prej 7% të PBB-së në vit. Për shkak edhe të numrit të madh të ndërtesave të vjetra dhe me inefiçencë energjetike, kosto e lartë mbetet shqetësim pasi një e treta e popullsisë së rajonit e ka të vështirë të paguajë faturat e ngrohjes apo të sigurojë ngrohje të mjaftueshme në shtëpitë e tyre.

Sipas raportit, tranzicioni drejt ngrohjes së qëndrueshme në rajon mund të ulë ndjeshëm numrin e vdekjeve dhe humbjet në mirëqenie si rezultat i ndotjes, si dhe mund të ofrojë një vizion të qartë për pakësimin e emetimeve të GHG. Ky tranzicion do të shmangte emetimin e rreth 8.9 gigatonëve të CO2 nga sistemet e ngrohjes lokale në të ardhmen për ndërtesat e periudhës 2024-2050. Raporti rishikon statusin dhe tendencat e sistemeve të ngrohjes lokale në të gjitha vendet, identifikon barrierat dhe sfidat e përbashkëta rajonale për ngrohjen e qëndrueshme, vlerëson alternativat e ndryshme të ngrohjes (përfshirë karburantet, teknologjitë dhe kostot) dhe propozon një kornizë me politika dhe programe për planifikimin e qeverisë dhe tranzicionin.

 

“Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat e mëdha me të cilat përballet sektori i ngrohjes në vendet e Europës dhe Azisë Qendrore. Qëllimi ynë është t’i pajisim politikëbërësit me njohuri të bazuara në të dhëna dhe zgjidhje të bazuara në veprime për të çuar përpara tranzicionin e ngrohjes së qëndrueshme, duke përmirësuar jetën dhe mirëqenien e popullsisë së rajonit” tha Charles Cormier, Drejtori Rajonal i Infrastrukturës në Bankën Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore. “Me prezantimin e teknologjive dhe qasjeve tashmë të testuara, vendet kanë bërë një progres relativisht të dukshëm, por këto përpjekje ende nuk janë në shkallën që të përmbushin objektivat për emetime neto zero deri në mes të shekullit.”

Raporti propozon një strategji me tri shtylla ku qeveritë mund të mbështeten për të strukturuar në mënyrë sa më efikase planet e tyre të tranzicionit:

  1. Ulja e kërkesës për ngrohje përmes efiçencës së energjisë në ndërtesaPër këtë duhet të zbatohen ligje më të rrepta për ndërtimet e reja dhe të përshpejtohet procesi i rinovimit të ndërtesave ekzistuese. Këto përpjekje mund të përgjysmojnë kërkesën për ngrohje deri në vitin 2050, duke e bërë tranzicionin shumë më pak të kushtueshëm për qeveritë, bizneset dhe familjet.
  2. Forcimi dhe dekarbonizimi i ngrohjes qendrore në zonat urbane me dendësi të lartë, aty ku është e mundur. Për këtë është e nevojshme të përmirësohen sistemet ekzistuese të ngrohjes qendrore dhe kalimi në përdorimin e burimeve më të pastra të energjisë si panelet diellore, burimet gjeotermale, nxehtësia e lëshuar nga mbetjet dhe biomasa e qëndrueshme. Aty ku ngrohja qendrore nuk funksionon mirë apo përdorimi i saj nuk është më ekonomik, mund të nevojitet kalimi i menaxhuar në sistemet individuale të ngrohjes.
  3. Promovimi i sistemeve të pastra të ngrohjes individuale në zona me dendësi të ulët. Për këtë nevojiten studime që të identifikohen alternativat për ngrohje të qëndrueshme dhe me efiçencë ekonomike, si pompat e nxehtësisë ose kaldajat ekologjike me pelet, dhe promovimi i tyre përmes politikave dhe programeve të caktuara.

Duke përqafuar këtë qasje gjithëpërfshirëse, qeveritë e vendeve të Europës dhe Azisë Qendrore mund të bëjnë investime efikase, të përballueshme dhe të përshtatshme për vendet e tyre, të cilat do të kontribuonin për një tranzicion të qëndrueshëm të sistemeve të ngrohjes.

Raporti u mbështet nga Programi i Asistencës për Menaxhimin e Sektorit të Energjisë i Bankës Botërore (ESMAP).

Banka Botërore në Europë dhe Azinë Qendrore

Banka Botërore bashkëpunon me vendet e rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore për të pakësuar varfërinë dhe për të nxitur mirëqënien e përbashkët, nëpërmjet rritjes së kapitalit njerëzor, mundësimit të qasjes në tregje, lehtësimit të tranzicionit të gjelbër si dhe ndërtimit e forcimit të institucioneve.

*Ky raport mbulon Tregjet dhe Ekonomitë në Zhvillim (EMDE-të) të Europës dhe Azisë Qendrore (ECA) ku bëjnë pjesë: Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Gjeorgjia, Kazakistani, Kosova, Republika e Kirgistanit, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Polonia, Rumania, Serbia, Taxhikistani, Turqia, Turkmenistani, Ukraina dhe Uzbekistani.

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

7 Arsye pse ndryshimi mund të dështojë | Si ndryshimi shkon keq

Ka shumë gjëra që duhen bërë siç duhet që ndryshimi të ketë sukses. Nga përfshirja e njerëzve deri te përmbushja e angazhimit për ndryshim. Por identifikimi...
spot_img