Shkëmbimi i krijuar në dhomën e gjumit të një fëmije
Charlie Shrem jeton në New York, në shtëpinë e prindërve të tij. Ai jeton në komunitetin ortodoks hebre, ku rregullat janë shumë të rrepta. Sidoqoftë, i kalon ditët e tij duke tymosur bar dhe duke krijuar programe kompjuterike. Një prej këtyre projekteve, i lindur së bashku me një bashkëpunëtor në distancë, në Uells, tërheq vëmendjen dhe veçanërisht kapitalin e Winklevossëve, BitInstant.
Charlie është një nga të parët që beson në fenomenin Bitcoin, aq sa ai krijoi një exchange, pre një faqe ku njerëzit mund të blejnë Bitcoin.
BitInstant mbështetet tek e famshja Mt. Gox, një faqe e krijuar fillimisht për të shkëmbyer letra të lojës Magic, më pas u shndërrua në një site për blerjen e Bitcoin, e cila administron rreth 80% të transaksioneve të monedhës virtuale.
Binjakët fillojnë të mësojnë më shumë se si funksionon monedha dhe fillojnë të blejnë atë. Shumë. Në një moment, arrijnë të zotërojnë rreth 1 përqind të të gjithë Bitcoin-ave në qarkullim.
Çelësat publikë dhe privatë: si funksionon Bitcoin
Bitcoin është një sistem revolucionar, i cili ripërcakton plotësisht rregullat. Gjurma e parë e Bitcoin daton që nga viti 2008, kur një individ i vetëquajtur Satoshi Nakamoto boton në një listë postare kushtuar kriptografisë, atë që quhet më pas Bitcoin Whitepaper, pra një dokument që përshkruan parimet mbi të cilat bazohet teknologjia.
Bitcoin është një teknologji e decentralizuar, e cila pra nuk është nën kontrollin e asnjë banke, institucioni apo organi qeveritar.
Kjo do të thotë që çdokush në botë mund të ketë akses në të dhe askush nuk mund t’ia parandalojë aksesin dikujt tjetër. Çdo transaksion, në vend që të kalojë nëpër një institucion siç ndodh me pagesat tradicionale, përpunohet dhe vërtetohet përmes një rrjeti kompjuterash që përdorin një program të veçantë.
Sa herë që ndodh një transaksion, ai regjistrohet, së bashku me adresat e dërguesit dhe marrësit, në një regjistër të quajtur Blockchain. Këto transaksione janë të koduara dhe të verifikuara përmes çelësave publikë, duke i bërë gati-gati të pafalsifikueshme.
Termi Bitcoin (me ‘B’ të madhe) përshkruan protokollin, teknologjinë, ndërsa bitcoin (me ‘b’ të vogël) përshkruan monedhat virtuale, të cilat mbahen në kuletat virtuale (wallet).
Këto kuleta kontrollohen nga çelësat privatë, një lloj fjalëkalimi 256-bit. Kjo do të thotë se ka 2^256 çelësa të mundshëm, më shumë se atomet që përmbahen në universin e njohur. Çdo përdorues zgjedh se ku ta mbajë çelësin e tij, i cili është mekanizmi i vetëm i hyrjes në bitcoin-et e tij. Po humbe çelësin, ke humbur bitcoin tënd.
Charlie Shrem, për shembull, mban një unazë në gishtin e tij në të cilin është gdhendur çelësi i tij privat, minus pesë shifrat e fundit, të cilat i di vetëm ai. Në këtë mënyrë edhe sikur t’i vidhnin unazën, nuk do të ishte e mundur të vidheshin bitcoinët e tij. Ky lloj “arkivimi” i çelësave quhet ‘cold storage’ pra depozitë e ftohtë, tërësisht offline, e sigurtë nga çdo lloj hacker-i.