Pasi nënvizoi vazhdimisht domosdoshmërinë që bankat e Eurozonës të vlerësojnë ekspozimin e tyre ndaj të gjithë gamës së rreziqeve që vijnë ndaj aktiveve të tyre nga ngjarjet ekstreme të motit, BQE ka paralajmëruar 20 banka europiane për mundësinë e gjobave të rënda.
Sipas raportit, i cili nuk specifikoi se cilat banka ishin të prekura, BQE ka paralajmëruar vazhdimisht bankat europiane se duhet të përgatiten për efektet e ngjarjeve ekstreme të motit në vlerat e aseteve të tyre, por edhe për mundësinë e falimentimit të klientëve të tyre me gjurmë të rënda të karbonit. Megjithatë, siç rezulton, të 20 bankat nuk kanë treguar kujdesin e duhur dhe nuk e kanë informuar BQE-në për rezultatet e llogaritjeve të tyre, kur duhet ta kishin bërë këtë deri në mars 2023.
Banka e ka formuluar ‘kërcënimin’ me letrat përkatëse që ka dërguar në muajt tetor dhe nëntor, ndërsa për sa i përket masës së gjobave të paralajmëruara, kjo mund të vendoset në baza ditore dhe të arrijë në 5% të të ardhurave mesatare të çdo banke. Kjo do të thotë se për një bankë me të ardhura vjetore 10 miliardë euro, për shembull, gjoba mund të arrijë në 1.4 milionë euro në ditë. Paralajmërimi i BQE-së tradhton synimin e autoriteteve europiane për të intensifikuar presionin mbi sektorin financiar në mënyrë që ta detyrojnë atë të trajtojë më mirë çështjet mjedisore dhe sociale, si dhe çështjet e qeverisjes së korporatave tani e tutje.
Masa e gjobave të kërcënuara mund të vendoset në baza ditore dhe të arrijë në 5% të të ardhurave mesatare të bankës përkatëse.
Muajin e kaluar, mbikëqyrësi bankar i BQE-së – EBA, njoftoi se po rishikon kuadrin që rregullon kërkesat e mjaftueshmërisë së kapitalit të bankave në mënyrë që të integrojë më mirë dhe më efektivisht rregullat mjedisore, sociale dhe të qeverisjes së korporatave në të.
Paralajmërimet e njëpasnjëshme nga BQE përkojnë me disa studime të tjera që tregojnë se bankat europiane kanë mbetur prapa në objektivat e tyre të ekonomisë së gjelbër. /Scan tv/