-
Çfarë është Ekonomia e Gjelbër?
Një ekonomi e gjelbër karakterizohet me emetim të ulët të ekuivalentëve të dioksidit të karbonit, përdorim efikas të resurseve natyrore, dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, që rrjedhimisht rezulton në zvogëlim të varfërisë dhe barazi sociale. E thënë ndryshe, një ekonomi e gjelbër ofron mundësinë për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik pa degradim të mjedisit dhe shfrytëzimin joefikas të burimeve natyrore. Në një ekonomi të gjelbër, investimet publike dhe private alokohen në projekte dhe mekanizma që ulin emetimet e ndotësve, rrisin efikasitetin e energjisë, dhe parandalojnë shterimin e biodiversitetit dhe resurseve natyrore. Ekonomia e gjelbër përfshin gjashtë fusha kryesore:
- Ndërtesa të gjelbërta
- Transport të qëndrueshëm
- Energji të rinovueshme
- Menaxhim të tokës
- Menaxhim të ujit dhe
- Menaxhim të mbeturinave
Ndryshimi i klimës paraqet kërcënim për mirëqenien e komuniteteve dhe bizneseve, duke rezultuar kështu në rënie të produktivitetit bujqësor, ndryshim të kërkesave të tregut, ndërprerje në zinxhirët e furnizimit, rritje të kostove të materialeve dhe katastrofa natyrore. Kompanitë varen shumë nga infrastruktura, resurset, furnizimet materiale, klientët dhe fuqia punëtore e komuniteteve në të cilat ato veprojnë. Kështu, çdo pasojë e klimës në komunitete ndikon edhe në biznese. Prandaj, është e vështirë të ndash mirëqenien e komunitetit nga qëndrueshmëria e bizneseve.
Në rast të mos veprimit të menjëhershëm, kostoja e përgjithshme vjetore e ndryshimit të klimës në nivel global vlerësohet të jetë proporcionale me humbjen e jo më pak se 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Kështu, ekspertët sugjerojnë që 1për qind e PBB-së globale në vit të investohet për të parandaluar ndikimet e ndryshimit të klimës. Bankës Botërore në vitin 2008 doli me një konstatim, se 88 % e të gjitha sëmundjeve në botë shkaktohen nga uji i ndotur. Madje specialistët e kësaj organizate konstatuan se faktori i kushteve higjienike është një nga më të rëndësishmit për zhvillimin ekonomik, për faktin se uji i ndotur shton ngarkesën për shërbimin shëndetësor të një vendi. Kalimi nga energjitë që e “kërcënojnë” mjedisin në ato të “pastra” dhe eficienca energjetike jo vetëm që do ta shmangnin shkarkimin e 470 milionë tonë dyoksid karboni, por do të krijojnë 30 % më shumë punë miqësore me mjedisin ose mbi 380 000 vende të reja pune. Një shembull është ai i Zvicrës, ku sektori i teknologjisë së “gjelbër” punëson rreth 160 mijë veta ose 4, 5% të popullsisë aktive. Nga ky sektor në çdo vit gjenerohet një vlerë e shtuar prej 18-20 miliardë frangash, shifër kjo e barabartë me 3-3, 5% të GDP-së kombëtare.
Si mund të arrihet një formë e zhvillimit ekonomik ku resurset natyrore mbrohen dhe ruhen?
Kalimi në një ekonomi të gjelbër kërkon një ndryshim thelbësor në qasjen dhe të menduarit për rritjen dhe zhvillimin ekonomik, prodhimin e mallrave dhe shërbimeve, dhe zakonet e konsumatorit. Ky tranzicion nuk mund të ndodhë vetëm për shkak të informacionit më të mirë mbi rreziqet e një zhvillimi ekonomik, që nuk merr parasysh faktorët mjedisor.
Në fakt, ky tranzicion ka të bëjë shumë me ndryshimin e politikave ekonomike.
Tranzicioni në ekonomi të gjelbër mundësohet nga institucione efikase, si dhe sistemet e stimujve dhe sanksioneve, që i japin një shtysë rritjes ekonomike, gjithmonë duke siguruar që vendimet për prodhim, investim, dhe konsum kanë parasysh qëndrueshmërinë dhe mbrojten e mjedisit. Për shembull, këtu hyjnë ndalimi i substancave ose praktikave të dëmshme për mjedisin, përkufizimi i sasisë së lejuar të emetimit të ndotësve dhe vendosja e taksave më të larta për bizneset që emetojnë sasi të mëdha të dioksidit të karbonit. Sidoqoftë, ndërhyrjet duhet të jenë koherente. Kjo vlen në veçanti për politikat e taksimit dhe financimit, duke anuluar për shembull subvencionet për lëndët djegëse fosile. Në përgjithësi, çdo iniciativë ose politikë duhet të projektohet me qëllim të eliminimit ose minimizimit të efekteve anësore dhe / ose përmirësimit të kushteve mjedisore dhe sociale. Në mënyrë të ngjashme, ndërhyrjet kërkohen njëkohësisht si në frontin teknologjik ashtu edhe në atë të sjelljes.
-
Ekonomia e Gjelbër dhe Sektori Privat:
Roli i Kompanive për një Ekonomi të Gjelbër
Sektori privat pretendohet të jetë një faktor kryesor në tranzicionin e përgjithshëm drejt një paradigme më të qëndrueshme biznesi. Teknologjitë e reja që përdoren nga bizneset janë të nevojshme për të mundësuar një rritje ekonomike pa dëmtuar mjedisin. Por, mungesa e vetëdijes mbi benefitet e përmirësimit të përformances mjedisore shpesh bën që NVM-të të jenë më pak të gatshme për të investuar në teknologji që nuk dëmtojnë mjedisin, pjesërisht për shkak të pasigurisë për periudhën e kthimit të investimit.
Megjithatë, me kalimin e kohës sektori privat po njeh nevojën për të trajtuar ndryshimin e klimës, si në aspektin strategjik ashtu edhe në atë operacional. Shpesh angazhimi i kompanive vjen si pasojë e rritjes së kërkesës së tregut për produkte të përgjegjshme ndaj mjedisit dhe përpjekjeve qeveritare për të rregulluar eksternalitetet ekologjike. Disa kompani përdorin platforma të ndryshme, të tilla si faqet e internetit dhe mediat sociale, për të treguar ndërgjegjësimin për ndryshimet klimatike, duke nxjerr kështu në pah iniciativat e tyre, dhe në disa raste, duke publikuar rezultatet e përpjekjeve për te trajtuar problemin e ndryshimit të klimës.
“Transformimi i gjelbër” është një mundësi për NVM-të si furnitorë të mallrave dhe shërbimeve. Sipas ekspertëve, kompanitë që investojnë në inovacion të qëndrueshëm për të rritur efikasitetin e resurseve dhe operacioneve të përgjegjshme arrijnë avantazh konkurrues duke zënë pozita të favorshme për të kapur tregjet kryesore të dekadës së ardhshme. Përfshirja e praktikave biznesore që mbrojnë mjedisin krijon benefite të shumta për ndërmarrësit. Shembuj të përfitimit për një biznes janë:
- Hyrja në tregje, pasi klientët gjithnjë e më shumë kërkojnë produkte miqësore me mjedisin për shkak të rritjes së ndërgjegjësimit, por edhe për arsye shëndetësore
- Siguri më të madhe si rezultat i përdorimit të produkteve jo toksike;
- Kosto më e ulët e operimit;
- Mbështetje, si financiare ashtu edhe jo-financiare, pasi qeveritë dhe organizatat i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi çështjeve mjedisore;
- Produktivitet më i lartë si rezultat i një fuqie punëtore më të shëndetshme, aftësia e të cilit për të punuar nuk është e rrezikuar nga faktorë të ndryshëm, siç janë toksinat në vendin e punës.
- Për shkak të opinionit publik dhe ndryshimeve në legjislacion, përfshirja e praktikave biznesore që mbrojnë mjedisin po bëhet një faktor përcaktues në stabilitetin dhe suksesin e kompanive. Një studim zbuloi se vetëm 100 kompani janë përgjegjëse për 71 për qind të emetimeve globale. Kështu që tani është koha që bizneset të bëhen pjesë e zgjidhjes, të ulin emetimet dhe mbeturinat, dhe të kontribuojnë në kultivimin e një planeti të jetueshëm.
-
Ekonomia e Gjelbër në Kosovë
Shumë qytete në Kosovë vuajnë nga cilësia e dobët e ajrit, me ndotje të ajrit që tejkalonë ndjeshëm standardet e Bashkimit Evropian (BE) si dhe udhëzimet globale të cilësisë së ajrit të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Për sa i përket cilësisë së ajrit, Kosova si një vend i vogël u krahasua me ndotjen e vendeve si Pekini, Mumbai dhe Delhi i Ri. Sidomos në dimër, zonat urbane përballen me episode të mëdha smogu, të shkaktuara nga kërkesa e rritur për ngrohje nga sektori i banimit dhe komercial, i cili sigurohet kryesisht nga djegia e karburanteve të ngurta.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se rreth 760 njerëz vdesin para kohe çdo vit në Kosovë për shkak të ekspozimit në ajër të ndotur. Reth 50 për qind e këtyre vdekjeve ndodhin te njerëzit e moshës prodhuese para se të arrijnë moshën 70 vjeç. Grupmoshat e popullsisë midis 50 dhe 69 vjeç mbajnë pjesën më të madhe (rreth 45 përqind) të barrës totale shëndetësore që lidhet me ekspozimin në ajër të ndotur. Kostot ekonomike që lidhen me dëmtimin e shëndetit nga ndotja e ajrit në Kosovë janë mesatarisht 240 milion dollarë amerikanë, ekuivalente me 3.6 përqind të PBB-së në 2016. Këto shifra tregojnë sa i domosdoshëm është intervenimi dhe dizajnimi i politikave që promovojnë ruajtjen e mjedisit.
Ulja e aktivitetit ekonomik nga COVID-19 në Kosovë është reflektuar në pothuajse të gjithë sektorët. Kjo situatë ka rezultuar në mbylljen e shume bizneseve. Ajo që po vërehet është se emetimet e gazeve serë janë zvogëluar në një farë mase, dhe të dhënat për cilësinë e ajrit në Kosovë tregojnë se ajri është me cilësi të moderuar, dhe në disa vende cilësia është e mirë. Të dhënat tregojnë se qartësia dhe butësia e smogut në vende si Gjilani, ku për herë të parë gjatë pandemisë mund të vërehen majat si Luboteni, janë dëshmi se mjedisi ka pasur një rikuperim të lehtë si rezultat i pandemisë. Kjo është një mundësi që duhet të përdoret për të vazhduar ruajtjen e mjedisit, duke e sjellë kështu Kosovën më afër politikave evropiane në këtë drejtim. Kjo shihet si një mundësi reale nëse rimëkëmbja e ekonomisë nga qeveria bazohet në një strategji që do të merrte parasysh jo vetëm ekonominë, por edhe ruajtjen e mjedisit.
Biznesi.RKS | (KIESA) Projekti „Qasja në treg dhe shërbimet e digjitalizimit të biznesit për kompanitë e Kosovës (ACCESS)“,
UNEP (2011). Towards a green economy: Pathëays to sustainable development and poverty eradication.
Tamirisa, N. (2008). Climate change and the economy. Finance and Development, 45(1), 1–12.
Dietz, S., Hope, C., Stern, N., & Zenghelis, D. (2007). Reflections of stern revieë: A robust case for strong action to reduce the risks of climate change. Ëorld Economics, 81, 121–168.
Gazibara, I., & Chapple, A. (2011). Sustainable economy in 2040, a roadmap for capital markets. London: Forum for the Future.