-0.3 C
Pristina
spot_img

Historia e Jusufit a.s. dhe “buka e motmotit” – Bujar Sejdiu

Date:

Share:

HISTORIA E JUSUFIT A.S. DHE “BUKA E MOTMOTIT”

Në të kaluarën sigurimi i bukës së gojës ishte prioriteti i parë i çdo familjeje dhe çdo shteti. Në rrethanat primitive të atyre kohëve, një gjë e tillë ishte e padiskutueshme.

Jusufi a.s. ishte një prej profetëve më të spikatur sepse ishte bir i Jakubit a.s. (Israilit) dhe nipi i Ibrahimit a.s. Atij i kishte dhuruar Allahu i Madhëruar dhuntinë e komentimit të ëndrrave. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Egjipt. Një natë mbreti i Egjiptit të asaj kohe e pa një ëndërr dhe Jusufi a.s. e komentoi kështu:

“Do të vijnë 7 vite të bereqetshme e pas tyre do të vijnë 7 vite me thatësira të mëdha andaj gjatë 7 viteve të para duhet të mbillet drith për ushqim dhe të përdoret minimalisht ndërsa pjesa më e madhe duhet të ruhet/rezervohet për 7 vitet me thatësi”. (Lexone tregimin e bukur të Jusufit a.s. në Kuran dhe do të kënaqeni, do të emocionoheni, do të qani por edhe do të merrni mësime si asnjëherë më parë)

Në kohët moderne shtetet kanë sisteme për sigurimin dhe menaxhimin e rezervave shtetërore për përdorim në rast të rrethanave të jashtëzakonshme (katastrofa natyrore apo lufta). Në rrethanat normale, shtetet prodhojnë produkte që i shtojnë vlerë ekonomisë së tregut të tyre varësisht nga kushtet që i posedojnë. Dikush prodhon grurë, dikush prodhon mish, dikush prodhon peshk, dikush prodhon kafe, dikush banane, dikush hurma etj. Ekspertët e secilit shtet vendosin politika për ekonomizimin e resurseve që i posedojnë me qëllim të shtimit të vlerës financiare të produkteve respektivisht  GDP (Bruto Produkti i Brendshëm/Vendor).

Sasia totale e grurit të prodhuar në botë në vitin 2022 ishte 778.6 milion ton (100%). Rreth 70% e prodhimit botëror ishte vetëm nga 10 shtete prodhuese të cilat prodhojnë dhe eksportojnë për vendet tjera. Me fjalë të tjera, 95% e shteteve të botës nuk e sigurojnë “bukën e motmotit” duke përfshirë edhe shtete të Bashkimit Evropian me përjashtim të Francës. Edhe Gjermania që është në 10-shen e prodhuesve më të mëdhenj të grurit në botë nuk ka arritur ta sigurojë “bukën e motmotit” por e ka importuar rreth 8% të kërkesës vendore për grurë.

Sot as shtetet afrikane nuk kanë qasje të prodhimit të grurit si në kohën e Jusufit a.s. pra për ta siguruar “bukën e motmotit” e mos të flasim për vendet e zhvilluara (pavarësisht që disa i plotësojnë nevojat e veta dhe eksportojnë). Në mesin e tyre hyn edhe Kosova që nuk është në një proces të rezervimit të grurit për ta siguruar “bukën e gojës” sepse e tërë sasia e prodhuar shpenzohet brenda vitit dhe nëse nuk ka rezerva shtetërore i bie njëjtë sikur mos të kishte prodhuar as edhe 1kg. Kosovës nuk i konvenon nxënia e tokës bujqësore me mbjellje të grurit sepse më lirë i kushton importimi për nevojat vjetore.

Sipas ekspertëve, Kosovës i kushton rreth 1,100€ për 1ha grurë të mbjellur ndërsa kjo kosto në Serbi sillet rreth 700€ për hektar (Ukraina rreth 300€/ha ndërsa India rreth 230€/ha). Në 10-15 vitet e fundit rendimenti mesatar i grurit në Kosovë sillet rreth 2,500-3,500kg/ha (të dhënat empirike për v. 2024 ende nuk ekzistojnë). E konvertuar në euro i bie që kostoja e prodhimit të grurit për 1kg në Kosovë është 0.31€ ndërsa të dhënat e doganës tregojnë që kostoja mesatare e importit të grurit në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 është 0.19€ (apo rreth 37% më lirë se prodhimi vendor).

40% e kostos së prodhimit për hektar subvencionohet nga shteti. Një përqindje kaq e lartë e subvencionimit të kostos për një produkt që edhe pas subvencionimit importi është për po aq më lirë dhe me një rendimet tejet të ulët (me përjashtim të ndonjë viti të rrallë që ngritet rendimenti) është në kundërshtim me parimet dhe teoritë për nxitje të inovacionit dhe konkurrencës si dhe ekonomizim të resurseve që do të ndikonin në rritjen e të hyrave dhe GDP-së së përgjithshme.

Pjesa më e madhe e buxhetit qendror për bujqësi alokohet për pagesa direkte/subvencione (rreth 70%) ndërsa pjesa më e vogël alokohet për grante investive. Sigurisht që edhe pagesat direkte janë një formë shumë e rëndësishme për përkrahjen e bujqësisë por pasi që fermat të kenë arritur një nivel të zhvillimit, modernizimit dhe kapacitetit. Me gjendjen aktuale (siç vlerësohet edhe nga Raporti i Progresit të KE) zhvillimi i bujqësisë në Kosovë kërkon përkrahje për investime kapitale në ferma/biznese. Përmes investimeve rritet kapaciteti, shtohet numri i të punësuarve, rritet prodhimi dhe konkurueshmëria me vendet e rajonit dhe më gjërë, e kështu arrihet ndikimi direkt në makro-ekonomi. Për më tepër, të hyrat nga pagesat direkte, duke qenë para të gatshme/cash, shumë shpesh përdoret për shpenzime luksi.

Pse nuk i konvenon Kosovës mbjellja e grurit përderisa nuk jemi në rrethana lufte dhe nuk jemi në kohën e Jusufit a.s.?

Çmimi mesatar i grurit në tregun me shumicë në vitin 2022 (kur çmimet kanë qenë në kulminacion) ishte 0.36€/kg apo 1,260€ për hektar.

Në vijim po i përmendi vetëm disa shembuj të kulturave që nëse kultivohen me metoda moderne dhe inovative jepin vlerë shumë më të madhe apo e ekonomizojnë në shkallë shumë më të lartë tokën bujqësore:

Tokë e mbjellur me hithëra gjeneron prej 15,000€ deri në 20,000€ për hektar;

Tokë e mbjellur me arra gjeneron prej 15,000€ deri në 20,000€ për hektar;

Tokë e mbjellur me spec gjeneron prej 15,000€ deri në 20,000€ për hektar;

Tokë e mbjellur me spinaq (vetëm 2.5€/kg e jo 4-5€ në disa periudha të verës) gjeneron 22,000€;

E shumë produkte të tjera, për të mos thënë të gjitha produktet e perimekulturës dhe bimëve industriale por me kusht që të plotësohet zingjiri i vlerës me politika të mirëfillta të përkrahjen për investime kapitale.

Kosova e nxën tokën bujqësore për ta siguruar bukën e gojës që i del më lirë ta importojë ndërsa në periudhën kur korret gruri çmimi për 1kg spinaq shkon deri në 5€ (rendimenti i spinaqit për 1ha është min. 10,000kg). Sigurisht që edhe çmimet edhe rendimenti variojnë por në çdo kalkulim në Kosovë janë disa herë më profitabile se mbjellja e tokës bujqësore me grurë.

Ka kaluar koha kur me bujqësi pretendohet buka e motmotit, e mbijetesa e banorëve në zona rurale sa për mos t’u shpërngulur në qytet. Zhvillimi i bujqësisë kërkon qasje zhvillimore e korporative (që gjeneron më shumë euro) e jo qasje sociale (sa për të mbetur gjallë).

Përfundimisht dikasteret që pritet të kenë ndikim në zhvillim ekonomik duhet të udhëhiqen nga njerëz profesional nga fusha e biznesit që çdo gjë e kalkulojnë me normën e kthimit në euro.

Vërejmë që në vendet/shtetet e varfëra dhe të pazhvilluara në kuzhinë mbizotërojnë specialitetet nga brumi (mielli) ndërsa në vendet e zhvilluara mbizotërojnë specialitetet nga mishi, peshku dhe perimet. Vetëm një mentalitet/mendje e varfër mendon se si ta mbush depon me miell e jo si ta mbush me mish.

KOT PRODHON TOKA KUR NUK PUNON KOKA.

Bujar Sejdiu

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img