0.3 C
Pristina
spot_img

ITP Prizren, e ardhmja e bizneseve të reja dhe zhvillimit të ndërmarrësisë inovative

Date:

Share:

Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren është lokacioni më unik në rajon i ndërmarrësisë inovative, zhvillimit të bizneseve dhe shkathtësive.

Ai po ashtu nxitë bashkëpunimin dhe zhvillimin e ekosistemit, duke krijuar lidhje midis sektorit publik, atij privat, institucioneve akademike dhe organizatave të shoqërisë civile.

Menaxheri i ITP Prizren, Muhamed Rexhepi, tha se parku është ndër projektet kryesore të bashkëpunimit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Gjermanisë.

“Rrjedhimisht mbështetet nga këto dy qeveri. ITP është parku teknologjik ndoshta më i madhi në Ballkan që për fokus e ka shtyrjen përpara të krijimit të sinergjive dhe bashkëpunimeve mes bizneseve të sektorëve prioritare që ne i akomodojmë brenda parkut”, u shpreh Rexhepi.

Ai tutje bëri të ditur se sektorët prioritare të ITP-së përfshijnë Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK), industrinë kreative dhe kulturore, energjinë e gjelbër dhe teknologjinë që përfshihet në këtë industri.

Në hapësirat e ITP Prizren mes shumë bizneseve dhe organizatave është e vendosur edhe “Autostrada Biennale”.

Bashkëthemeluesi dhe drejtori i saj, Leutrim Fishekqiu, tha se ka qenë ofertë e jashtëzakonshme për ta që ta kenë një hapësirë në ITP.

“Ardhja e idesë së ITP-së në një hapësirë të mrekullueshme për fushëveprime të ndryshme, por posaçërisht në industrinë kreative dhe kulturore ku ne veprojmë, ka qenë një ofertë e jashtëzakonshme për ne që ta kemi një hapësirë të tillë në ITP”, deklaroi Fishekqiu.

Ndërsa Rudina Qerimi, këshilltare për zhvillim urban në ITP, tha se pjesa ku ndodhet parku është hapësirë e një kampi ushtarak.

“Ne jemi munduar që ta shndërrojmë në një hapësirë për biznese, edukim dhe industri kreative. Këtu është një ambient shumë i gjelbër, ku të gjitha ndërtesat që kanë qenë në shfrytëzim ushtarak tash janë shndërruar në hapësira për edukim”, pohoi Qerimi.

ITP ofron lloje të ndryshme hapësirash ideale për biznese. Parku përbëhet nga më shumë se 44 mijë metra katrorë, hapësira që janë në shërbim të bizneseve. Në varësi të nevojave të biznesit, ITP Prizren investon në riparimin e nevojshëm të hapësirave.

Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren gjithashtu është shtëpi për biznese të reja duke ofruar trajnime, mentorim dhe ambiente me kushte shumë të favorshme për të rinjtë që kanë ide kreative biznesi. Këtu përfshihen hapësirat e dizajnuara enkas për biznese të reja si dhe hapësira të shumta për ‘co-working’.

ITP përfaqëson një mjedis ideal që bizneset inovative të rriten dhe të lulëzojnë. Nëpërmjet programeve të përshtatura dhe shërbimeve, me ITP si partner – biznesi juaj do të vihet në rrugën e duhur për të arritur qëllimet tuaja.

Në kuadër të shërbimeve, ofron mundësi të ndryshme për bizneset që janë të vendosura në park për të zgjeruar bashkëpunimet e tyre dhe rrjetin e tyre brenda parkut. Për këtë arsye, ITP organizon rregullisht takime rrjetëzimi dhe diskutime për të mbajtur ekosistemin e anëtarëve aktiv, të përditësuar dhe të ndërthurur.

ITP Prizren është adresa e rreth 40 bizneseve dhe organizatave të cilat punësojnë rreth 350 persona, që kontribuojnë në zhvillimin e një mjedisi inovativ. /Telegrafi/

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img