Kur vizitori zbulon rrënojat e kështjellës Rosenstein, të vendosur në një shkëmb të madh mbi qytetin e Heubach, atij nuk i shkon mendja se rajoni para syve të tij është një vend i preferuar inxhinierie. Fusha dhe pyje mbizotërojnë peizazhin, me disa qytete të vogla të shpërndara kudo. Por Kunjan Patel, një inxhinier indian 30-vjeçar, thotë se është gama e gjerë e mundësive të karrierës për inxhinierët që i duket më tërheqëse në Württemberg-un Lindor, një rajon një orë me makinë në lindje të Stutgart-it, në landin e Baden-Württemberg-ut, të Gjermanisë jugperëndimore.
“Është një rajon interesant për inxhinierët,” shpjegon ai. “Ka shumë kompani interesante këtu dhe secila prej tyre ka stilin e vet”.
Rreth 450.000 vetë jetojnë në Württemberg-un lindor, një rajon më shumë se dy herë më i madh se Berlini. Ky rajoni është strehë e shumë bizneseve të suksesshme, duke përfshirë më shumë se 300 kompani të specializuara në prodhimin e instrumentave, në inxhinierinë mekanike dhe ndërtimin e impianteve.
Kjo e bën atë një nga shumë rajone gjermane rurale, por ekonomikisht të rëndësishme. Sipas qeverisë gjermane, rajonet rurale përbëjnë rreth gjysmën e produktit të brendshëm bruto (PBB) të vendit, i cili ishte rreth 3.9 bilionë euro në vitin 2022.
Ndërsa të rinjtë largohen nga fshati për në qytet, popullsia e shumë zonave rurale po plaket edhe më shpejt se ajo e zonave urbane. Kjo do të thotë se fushatat duhet të tërheqin punëtorë jo vetëm nga zonat urbane, por edhe nga jashtë.
Megjithatë, punëtorëve migrantë u mungojnë lidhjet familjare që tërheqin shumë gjermanë etnikë të kthehen në zonat rurale. Ata gjithashtu mund të hezitojnë të lëvizin në zona ku perspektivat e karrierës janë të pasigurta dhe shqetësohen për një jetë sociale më pak të kënaqshme në një popullsi më pak të larmishme etnike dhe më konservatore.
Universitetet vendase luajnë një rol kyç në rekrutimin e të diplomuarve të huaj. Patel-i punon në Richter Teknologjia e Ndriçimit, një prodhues i sistemeve të ndriçimit të nivelit të lartë me bazë në Heubach, një qytet me 10.000 banorë. Kompania ka 110 punonjës nga 34 vende.
Patel-i iu bashkua Richter në vitin 2019. Ai u punësua pasi vizitoi kompaninë me një grup studentësh ndërkombëtarë nga Universiteti Aalen aty pranë, ku Pateli po ndiqte një diplomë master.
T’i bindësh studentët e huaj të qëndrojnë pas diplomimit është një nga mënyrat më efektive për të tërhequr të diplomuar të huaj në rajon, beson Markus Schmid i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Württemberg Lindor. Ndryshe, thotë ai për DW, bizneset e vogla dhe të mesme në rajon kanë pak mënyra për të tërhequr vëmendjen e kandidatëve potencialë nga jashtë.
Kjo është më pak problem për kompanitë e mëdha ndërkombëtare me bazë në rajon, pasi ato mund të përballojnë fushata luksoze rekrutimi dhe kanë një emër të fortë si punëdhënës. “Aktualisht mund të plotësojmë nevojën tonë për punëtorë të kualifikuar edhe përmes aktiviteteve tona në tregun ndërkombëtar të punës,” i tha DW-së Georg von Erffa, kreu i burimeve njerëzore në Zeiss, kompani e madhe prodhuese, me seli në Württemberg-un Lindor.
Bizneset e vogla duhet të zhvillojnë qasjen e tyre
Me shumë më pak burime në dispozicion të tij, Bernd Richter, pronarit të Richter Teknologjia e Ndriçimit, i është dashur të gjejë mënyrat e tij për të ndërtuar dhe mbajtur fuqinë punëtore të larmishme të kompanisë së tij – ndonjëherë me koston e përpjekjeve të konsiderueshme personale: i ndodh që edhe të mirëpresë punonjës të rinj në shtëpinë e familjes së tij.
Qasja e Richter-it ndaj punësimit, thotë ai, është të “mos përjashtojë kurrë asgjë”. Të folurit gjermanisht, për shembull, nuk është një kriter vendimtar për të. Gjuha zyrtare e punës në Richter është anglishtja, për kënaqësinë e madhe të Kunjan Patel-it, i cili thotë se mësimi i gjermanishtes ka qenë sfida më e madhe e jetës së tij në Gjermani. Te Richter, punonjësit përfitojnë edhe mësime falas të gjermanishtes.
Kryebashkiaku i Heubach-ut, Joy Alemazung dëshiron që emigrantët të ndihen jo vetëm të toleruar, por edhe të pranuar në qytet.
“Kur nuk ndihem ndryshe kur dikush flet me mua, ndihem si në shtëpinë time”, tha zoti Alemazung për DW. Ai mund të bazohet në përvojën e tij, pasi la Kamerunin e tij për t’u vendosur në Gjermani kur ishte student.
Sipas Alemazung-ut, jeta e gjallë e komunitetit në zonat rurale mund të ndihmojë në nxitjen e pranimit të emigrantëve, sepse u ofron të ardhurve dhe banorëve vendas mundësinë për t’u përzier. Në këtë drejtim, zonat rurale kanë një avantazh ndaj qyteteve, thotë ai.
Kunjan Pateli thotë se është i kënaqur me mënyrën e jetesës që ofron Württemberg-u Lindor.
“Jeta sociale është e mirë”, thotë ai për DW dhe organizohen shumë evente, si në punë ashtu edhe jashtë saj. Pateli gjithashtu shijon ecjen në Alb, një pllajë malore në rajon. “Më pëlqen ta kaloj verën në Alb”, thotë ai. Këto duhet të jenë lajme të mira për shefin e tij. Siç thotë Bernd Richter, tërheqja e punëtorëve në Württemberg-un Lindor në fund të fundit është çështja e konstatimit se “kush do të ndihej vërtet mirë këtu”./ DW