Ka qenë një luftë fjalësh dhe shifrash midis dy lojtarëve kryesorë në industrinë e energjisë – Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë dhe OPEC-ut – ndërsa ata luftojnë për të ardhmen e diçkaje thelbësore për mbijetesën e prodhuesve të naftës: kulmi i kërkesës për naftë.
Kulmi i kërkesës i referohet pikës kohore kur arrihet niveli më i lartë i kërkesës globale, që pasohet menjëherë nga një rënie e menjëhershme. Kjo teorikisht do të zvogëlonte nevojën për investime në projektet e naftës bruto dhe do t’i bënte ato më pak ekonomike pasi burimet e tjera të energjisë po harrin hov.
Për vendet dhe kompanitë prodhuese të naftës, kjo është ekzistenciale. Për këtë arsye, shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, një organizatë ndërkombëtare që mbron interesat e vendeve konsumatore të naftës, parashikon se kërkesa maksimale për naftë do të arrinte deri në vitin 2030 dhe e cilësoi rënien e naftës bruto si një lajm të mirë. Por, OPEC nuk mendon njësoj.
“Të tilla narrativa e bëjnë sistemin global të energjisë të dështojë në mënyrë spektakolare,” tha Sekretari i Përgjithshëm i OPEC, Haitham al-Ghais. “Kjo do të çonte në një kaos energjetik në një shkallë potencialisht të paprecedentë, me pasoja të tmerrshme për ekonomitë dhe miliarda njerëz në mbarë botën”, shtoi ai. Gjithashtu, al-Ghais akuzoi agjencinë për nxitjen e frikës dhe rrezikimin e destabilizimit të ekonomisë globale.
Mosmarrëveshja pasqyron përplasjen e vazhdueshme midis shqetësimeve për ndryshimet klimatike dhe nevojës për sigurinë e energjisë. Ky ballafaqim u shfaq plotësisht në të takimi vjetor të quajtur ADIPEC, ose konferenca Ndërkombëtare të Ekspozitës së Naftës në Abu Dhabi.
Emiratet e Bashkuara Arabe do të presin samitin e klimës COP28 në nëntor dhe kanë reklamuar fushatat e qëndrueshmërisë, ndërkohë që rrit kapacitetin e prodhimit të naftës së papërpunuar në përgatitje për një rritje të kërkesës në të ardhmen. Emiratet e Bashkuara Arabe janë prodhuesi i tretë më i madh i naftës brenda OPEC.
Drejtorët ekzekutivë të kompanive kryesore të naftës dhe shtetet prodhuese theksuan nevojën për një qasje të dyfishtë, duke këmbëngulur se kompanitë e tyre ishin pjesë e zgjidhjes, jo problemi. Sipas tyre një tranzicion energjetik nuk është i mundur pa sigurinë dhe mbështetjen ekonomike të sektorit të hidrokarbureve.
“Nuk e di nëse kërkesa do të arrijë kulmin në vitin 2030. Por është shumë e rrezikshme të thuhet se duhet të reduktojmë investimet,” tha Claudio Descalzi, CEO i kompanisë italiane të energjisë Eni. Ai paralajmëroi se nëse ulen investimet në sektorin e naftës dhe për rrjedhojë edhe oferta, çmimet do të rriten ndjeshëm, duke dëmtuar ekonominë.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikoi në raportin e muajit gusht se, “kërkesa globale për naftë po shkon në nivele rekord” dhe do të zgjerohet këtë vit, por shtoi se adoptimi më i shpejtë i automjeteve elektrike dhe energjisë së rinovueshme, si dhe shkëputja e Perëndimit nga gazi rus, do të bëjnë që kulmi i kërkesës të arrihet në vitin 2030. “Bazuar në politikat aktuale të qeverive dhe tendencat e tregut, kërkesa globale për naftë do të rritet me 6% midis 2022 dhe 2028 për të arritur në 105.7 milionë fuçi në ditë.
Drejtuesit e OPEC, ndërkohë, theksojnë vazhdimin e rritjes vjetore të kërkesës për naftë, veçanërisht nga tregjet e mëdha në zhvillim si Kina dhe India. Por një sfidë e tillë nuk duhet të shkëpusë vëmendjen nga dëmet e mëdha që do të vijnë nëse nuk ndërmerren masa, paralajmërojnë shkencëtarët e klimës.
Paneli Ndërqeveritar i OKB-së për Ndryshimet Klimatike arrin në përfundimin se emetimet e karburanteve fosile duhet të përgjysmohen brenda dekadës së ardhshme nëse ngrohja globale do të frenohet në 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale. Dhe sipas panelit, afërsisht 90% e emetimeve globale të CO2 vijnë nga karburantet fosile dhe industria e rëndë.
Kjo përplasje shifrash pritet të testohet edhe në konferencën e Klimës, COP28, kur liderët globalë të mblidhen në Emiratet e Bashkuara Arabe në nëntor, për të publikuar edhe një deklaratë të përbashkët mbi veprimet për klimën.