Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, mori pjesë në lansimin e thirrjes publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për investime në sisteme të energjisë së ripërtërishme.
Lansimi i thirrjes u bë nën organizimin e Ministrisë së Ekonomisë ku të pranishëm ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Ministrja e ekonomisë znj. Artane Rizvanolli dhe Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Alesandro Bianciardi, partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të bizneseve.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, tha se lansimi i këtyre masave përmes mbështetjes qeveritare dhe asaj ndërkombëtare është në të mirë të bizneseve dhe të Republikës së Kosovës, dhe me këtë rast ju bëri thirrje sidomos bizneseve që t’i shfrytëzojnë këto mundësi.
Ministrja Hajdari tha se sektori i energjisë është sektor me rëndësi strategjike për zhvillim ekonomik e industrial që ka potencial për t’u shpalosur tutje si një nga shtytësit kryesor për zhvillim socio-ekonomik dhe mjedisor të vendit tonë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, theksoi se Kosova qëndron krahas shteteve evropiane në zhvillimin e politikave që e synojnë një sektor të energjisë që është edhe i qëndrueshëm edhe i pastër, e që gjithmonë e ka në qendër qytetarin.
Përmes këtij investimi në sistemin e energjisë së ripërtërishme mundësohen investimet në sistemin fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike për vetë-konsum dhe të sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar të financuara nga Bashkimi Evropian (BE).