Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, e shoqëruar nga Këshilltarja znj. Rina Zeneli dhe Kryeshefi i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), z. Zef Dedaj, pritën në takim Shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, z. Ratislav Kostilnik.
Ky takim, i cili kishte në fokus çështjen e zhvillimit dhe avancimit të marrëdhënieve bilaterale ekonomike në mes dy shteteve, nxorri propozime konkrete të krijimit të urave të bashkëpunimit ekonomik.
Ministrja Hajdari e njoftoi z. Kostilnik për funksionet kryesore të MINT dhe progresin e arritur në mandatin qeverisës, me qëllim të krijimit të mundësive për bashkëpunim ekonomik në fushat me interes të përbashkët, siç janë: industria, tregtia, turizmi dhe inovacioni.
Të dy palët theksuan interesin për krijim të bashkëpunimit ekonomik, përmes lidhjeve dhe rrjetëzimeve të bizneseve të të dyja shteteve, si dhe shkëmbimit të ekspertizave në fusha të ndryshme ekonomike.
Hapja e një zyre ekonomike të Republikës së Kosovës në Bratisllavë do të forconte marrëdhëniet ekonomike bilaterale.
Në fund, ministrja Hajdari falënderoi Shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, z. Kostilnik, për gatishmërinë e tij në përafrimin e marrëdhënieve ekonomike në mes Kosovës dhe Sllovakisë.