Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, gjatë Forumit të Ministrave të Ekonomisë të Procesit të Berlinit, që u mbajt kësaj radhe në Tiranë, ka takuar z.Konstantinos Hatzidakis, Ministër i Ekonomisë dhe Financave të Greqisë.
Në këtë takim bilateral, ministri grek z. Hatzidakis, shprehu interesim për bashkëpunim më të thellë ekonomik në mes dy vendeve duke pasur parasysh se eksportet greke janë numër dy në Kosovë.
Ai gjithashtu vuri në dukje se kompanitë greke duan të zgjerojnë praninë e tyre në Kosovë dhe tashmë ka disa biznese greke në vendin tonë.
Ministrja Hajdari e njoftoi ministrin grek z. Hatzidakis me përparësitë që ka Republika e Kosovës në sferën e investimeve të huaja, ambientin e të bërit biznes dhe sundimin e ligjit.
Ajo e ftoi homologun e saj grek për vizitë në Kosovë me qëllim që marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve të forcohen, në veçanti tregtia e mallrave, shërbimeve dhe investimet, si dhe për rritjen e pjesëmarrjes së sektorit privat nga të dy vendet sidomos ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në bashkëpunim dypalësh.
Ministri grek shprehu ngushëllimet e tij dhe interesimin për të kuptuar më shumë për situatën aktuale në veri të Kosovës, me ç‘rast ministrja i shpjegoi se ishte një sulm terrorist nga njerëz të përgatitur dhe të pajisur mirë me ndihmën e Serbisë.