Filloni para se të jeni gati: Phil Knight dhe “ideja e tij e çmendur”
Në fillim të të njëzetave, një entuziast i sportit, i sapo diplomuar në ekonomi në Universitetin e Stanfordit dhe veteran i një viti të kaluar në ushtri, Phil “Buck” Knight kthehet në shtëpinë e prindërve të tij në Oregon. Është kjo pikë kthese në të cilën një i ri duhet të vendosë se çfarë të bëjë me jetën e tij dhe Phil po kërkon një kuptim më të thellë sesa një punë të thjeshtë në kontabilitet.
Ai është i sigurt për një gjë. Dëshiron që jeta e tij të jetë kuptimplote, krijuese dhe të përmbushë një qëllim. Para se të marrë vendime për të ardhmen e tij, dëshiron të njohë botën, kështu që ai niset për një turne një vjeçar në Ishujt Havai, Azi, Evropë dhe Afrikë, duke mbështetur shpenzimet e tij me punë të improvizuara, të tilla si shitja e enciklopedive dhe sigurimet.
Gjatë udhëtimit të tij, përballet me pyetjet e mëdha të jetës dhe vendos se e vetmja rrugë përpara për të është larg binarëve konvencionalë. Nuk dëshiron të punojë për një kompani të madhe, por synon të krijojë diçka të tijën që është e re, dinamike, e ndryshme.
Një ide vazhdon të gumëzhojë në kokën e tij, “ideja e tij e çmendur” që daton që nga ditët e e kolegjit. Në atë kohë, Phil e kuptoi që makinat japoneze ishin bërë shumë të njohura në Amerikë dhe duke pasur parasysh pasionin e tij për sportet dhe garat në veçanti, ai kishte intuitën që këpucët japoneze, me cilësi të shkëlqyer dhe çmim më të ulët, mund të kishin qenë shumë të suksesshme në Shtetet e Bashkuara.
Pas muajsh kërkimesh, Knight paraqiti idenë në letrën e tij të dizertacionit, por që nuk i bëri përshtypje askujt. Megjithatë, nuk mund ta hiqte këtë “ide të çmendur” nga mendja e tij, me bindjen e thellë se kishte ndjerë një mundësi të shkëlqyer. Kshtu që, drejt fundit të udhëtimit të tij nëpër botë, vendosi të ndalet në Japoni për të biseduar me një prodhues këpucësh vendas.
Ishte shumë i ri dhe me përvojë zero afariste ose tregtare. Për më tepër, marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë në vitet 1960 ishin mjaft delikate. Nuk kishte asgjë të sigurtë në lidhje me ardhmërinë e asaj që mund të arrinte, por ishte i vendosur të shihte nëse mund të krijonte një rrugë për idenë e tij të çmendur. Knight kontakton me prodhuesin e këpucëve Tiger Onitsuka dhe arrin të vendosë një takim.
Menaxherët e Onitsuka besojnë se Phil përfaqëson një kompani të themeluar amerikane. Kur e pyesin për emrin e kompanisë, e para që i vjen në mendje është “Blue Ribbon”, duke iu referuar shiritave blu të fituar në sportet e shkollës. Megjithatë, pavarësisht kushteve të dobëta, Onitsuka sheh një mundësi dhe pranon të lejojë Phil Knight të shpërndajë këpucët e tyre në Amerikë.
Kështu lindi zyrtarisht kompania Blue Ribbon, e cila më vonë u bë Nike. Phil bën porosinë e tij të parë për disa mijëra këpucë Tiger që të bëhen dhe të dërgohen në Amerikë. Kur nënshkruan porosinë, nuk ka para për t’i paguar dhe as një ide se si t’i marrë ato, por është i sigurt në aftësinë e tij për të gjetur një zgjidhje.
Ai huazon një shumë të vogël parash nga babai i tij dhe i përdor për të importuar Tigrat, të cilat ai fillon t’i shesë nga bagazhi i Plymouth Valiant në 1963. Në vitin e parë të biznesit, në një kohë kur Adidas dhe Puma janë tashmë kompani të mëdha, të themeluara, Knight mbledh tetë mijë dollarë. Shitjet e Nike sot janë mbi 30 miliardë dollarë në vit dhe e kanë tejkaluar konkurrencën.
Gjatë gjithë jetës së tij Phil Knight është hedhur në situata të reja dhe është përpjekur gjithmonë të kuptojë se si t’i trajtojë ato gjatë rrugës, duke ecur. Kurrë nuk priti të ishte gati. Ai gjithmonë ka pasur besim në aftësinë e tij për të pasur sukses, falë thirrjes së tij të fortë për rrugën që ka ndjekur.