Teknika për kryerjen e sondazheve të besueshme
Sa partnerë seksualë kanë britanikët gjatë jetës së tyre? Nuk është pyetje mbi jetën private, por një nevojë që erdhi me rrezikun e AIDS në vitet 1980. Nuk kishte të dhëna të kohëve të fundit në dispozicion që mund të prodhonin informacione mbi jetën seksuale të popullatës, mbi atë se sa shpesh ndryshonin partnerë, mbi sa kishin partnerë të shumtë në të njëjtën kohë dhe mbi aktivitetet seksuale në përgjithësi.
Të gjitha informacionet ishin të vlefshme për të parashikuar përhapjen e sëmundjes dhe për të planifikuar veprimin publik. Kështu që një aktivitet i madh dhe i kushtueshëm i sondazhit filloi në Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe qysh në vitet 1990.
Kur u pyetën për numrin e partnerëve që kishin deri në atë moment, rezultati më i zakonshëm, i quajtur “modë”, ishte i barabartë me 1. Padyshim, shpërndarja e të dhënave tregon një bisht të gjatë në të djathtë, dmth mbi mesataren. Përgjigjet e burrave dhe grave janë të ndryshme dhe tregojnë:
burrat 35-44 gratë 35-44
mesatarisht 14,3 8,5
mesorja 8 5
moda 1 1
Këto të dhëna duhet të na bëjnë të dyshojmë menjëherë në vërtetësinë e tyre: në një bazë të popullsisë që ka pak a shumë njësoj burra dhe gra me profile të ngjashme moshe, numri i partnerëve seksualë duhet të jetë i njëjtë! Po çfarë po ndodh? Burrat kanë partnerë seksualë në një moshë më të re, kështu që mostra femërore 35-44 mund të lërë një pjesë të situatës, por mbi të gjitha është kultura që vepron, kështu që burrat priren të gënjejnë duke rritur numrin e partnerëve ndërsa gratë, përkundrazi, i ulin ato.
Megjithatë, kjo nuk është gjëja më e rëndësishme për ata që kryen sondazhin. Qëllimi është të gjejnë një mënyrë për të ditur diçka në lidhje me sjelljen seksuale të atyre që nuk janë intervistuar. Procesi që çon nga të dhënat e mbledhura në njohjen efektive të sjelljes së një popullsie të tërë është kompleks dhe kalon nëpër faza të ndryshme kritike, sepse është e nevojshme të bëhen përgjithësime duke filluar nga të dhëna specifike.
Kjo na bën të ballafaqohemi me idenë e konkluzionit induktiv. Nxirren përfundime që janë përgjithësim i shembujve të veçantë. Është një procedurë e cila, duke u nisur nga raste të veçanta, përpiqet të vendosë një ligj universal. Metoda deduktive, përkundrazi, fillon nga e përgjithshmja për të arritur tek e veçanta.