Sektori privat në Kosovë nga afaristë dhe ekspertë të ndryshëm vazhdimisht është vlerësuar i vështirë për të operuar për shkak të sfidave të shumta dhe rrethanave aktuale, që sipas tyre, nuk lejojnë fitim të kënaqshëm.
Por, kjo siç duket nuk ka ndikuar te qytetarët, në dëshirën dhe iniciativën e tyre për të hapur biznese të reja, kryesisht ndërmarrje të vogla, por jo edhe ndërmarrje të mëdha.
Vetëm gjatë këtij viti, sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, agjenci kjo që funksionin në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, janë regjistruar më shumë se 4.049 biznese.
Edhe gjatë kësaj periudhe, tregtia mbetet veprimtaria më atraktive për afaristët.
Dëfrim Krasniqi, administrator i sistemit në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thotë se nga kjo shifër, 3.988 biznese janë të regjistruara si ndërmarrje të vogla, në kategorinë prej 1 deri në 9 punëtorë, ndërmarrje të mesme 44 biznese që numërojnë deri 49 punëtorë, ndërkaq vetëm 3 ndërmarrje konsiderohen të mëdha me më shumë se 50 punëtorë.