WeWork, firma që dikur vlerësohej 47 miliardë dollarë, është detyruar të bëjë kërkesë për falimentim në SHBA.
Vendimi vjen pasi bazuar në çmimin e fundit të aksionit, WeWork tani vlen më pak se 50 milionë dollarë.
Siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, falimentimi do të ndikojë në biznesin e kompanisë në SHBA dhe Kanada.
Por firma tha se hapësirat e saj të bashkëpunimit mbetën të hapura dhe funksionale, përfshirë në Mbretërinë e Bashkuar.
Në një email drejtuar qiramarrësve në Londër të parë nga BBC, firma tha se mbeti “plotësisht e përkushtuar” për të ofruar shërbimet e saj dhe planifikoi të qëndronte “në shumicën dërrmuese të ndërtesave tona”.
BBC raportoi kohët e fundit se WeWork po mbyllte të paktën një zyrë në South Bank të kryeqytetit ndërsa po përballej me financat e saj.
WeWork, që është me humbje, ka miliarda dollarë detyrime dhe, në një deklaratë të hënën vonë, tha se mbrojtja nga falimentimi do t’i lejonte asaj të “racionalizojë më tej portofolin e qirasë së zyrave tregtare” ndërsa përpiqet të sigurojë vazhdimësi për përdoruesit e saj.
Ndërsa David Tolley, shefi ekzekutiv i WeWork, tha se ai ishte “thellësisht mirënjohës për mbështetjen e aktorëve tanë financiarë ndërsa punojmë së bashku për të forcuar strukturën tonë të kapitalit dhe për të përshpejtuar këtë proces përmes marrëveshjes së mbështetjes së ristrukturimit”.
WeWork, e cila u themelua në vitin 2010 dhe u drejtua nga Adam Neumann, jep me qira hapësira për zyra ku individët dhe kompanitë mund të marrin me qira dhe të ndajnë hapësirë në një bazë afatshkurtër. /Telegrafi/