Forumi i Diplomacisë së Antalias (ADF) filloi në qytetin turk të Antalisë në bregdetin e Mesdheut dhe pret përfaqësues nga 147 vende të botës nën temën “Ngritja e diplomacisë në mes të krizës”.
Pothuajse 4.500 pjesëmarrës, duke përfshirë 19 krerë shtetesh, 73 ministra dhe 57 përfaqësues ndërkombëtarë, pritet të marrin pjesë në edicionin e tretë të forumit, i cili filloi të premten. Forumi do të përfshijë një gamë të gjerë pjesëmarrësish, nga diplomatë dhe politikanë te studentët, akademikët, organizatat e shoqërisë civile dhe komuniteti i biznesit.
Forumi do të mbulojë tema të ndryshme si çështjet globale, kriza klimatike, migrimi, islamofobia, luftërat tregtare dhe inteligjenca artificiale. Më shumë se 50 panele do të mbahen në forum nga 1 deri më 3 mars dhe do të shfaqen disa ekspozita. Në forum do të hapet ekspozita Shekulli i Türkiyes, e cila tregon vizionin e Türkiyes në fushën e artit, energjisë, mbrojtjes dhe industrisë.
Forumi do të përfshijë gjithashtu Ëndrrat antiplumb: Një ekspozitë e piktorëve të fëmijëve të Gazës, organizuar nga Drejtoria Turke e Komunikimeve për të nxjerrë në pah krizën humanitare në Gaza përmes perspektivës së fëmijëve.
Temat e panelit variojnë nga çështjet ballkanike në ato afrikane
Pas hapjes, do të ketë një panel drejtuesish të titulluar “Ngritja e diplomacisë në mes të krizës”, që titullohet edhe tema e këtij viti. Paneli, në të cilin do të marrin pjesë presidentët e Bullgarisë, Kosovës, Somalisë dhe Xhibutit, do të diskutojë për promovimin dhe theksimin e diplomacisë.
Paneli i dytë do të diskutojë promovimin e multilateralizmit gjatë krizave, në të cilin do të marrin pjesë presidentët e Madagaskarit, Guinea-Bissau dhe Kongos.
Forumi do të përfshijë sesione rajonale mbi Afrikën, Amerikën Latine dhe rajonin Azi-Paqësor, fusha me rëndësi gjeografike dhe në fund për politikën e jashtme të Türkiyes.
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, i Malit të Zi, i Bosnjë-Hercegovinës dhe ai i Maqedonisë së Veriut do të marrin pjesë në panelin për çështjet e Ballkanit, së bashku me përfaqësuesin special të Britanisë së Madhe për Ballkanin.
Ata do të diskutojnë sfidat dhe mundësitë në rajon. Forumi do të diskutojë gjithashtu Organizatën e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi dhe çështjet e sigurisë, me dy panele mbi Euroazinë dhe botën turke.
Institucionalizimi dhe progresi i Këshillit Turk në shekullin XXI, si dhe forcimi i bashkëpunimit brenda Këshillit do të diskutohet në nivel ministror. Do të marrë pjesë edhe Mevlüt Çavuşoğlu, kryetar i delegacionit turk në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Paneli i Euroazisë do të diskutojë çështjet rajonale, si dhe mundësitë për bashkëpunim ekonomik. Ai do të përfshijë presidentët e organizatave rajonale dhe disa përfaqësues të vendeve të cilët do të diskutojnë temën e “lidhjes”.
“Blloqe ndërtimi për paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”
Do të ketë një sesion për Lindjen e Mesme me katër panele që trajtojnë çështje të ndryshme në rajon. Paneli i Grupit të Kontaktit të Gazës, i organizuar nga Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, do të diskutojë dhe shkëmbejë mendime mbi përpjekjet për t’i dhënë fund çështjes palestineze dhe masakrës së vazhdueshme në Gaza.
Paneli, i cili do të mbahet mes anëtarëve të grupit të kontaktit, është planifikuar të përfshijë zëvendëskryeministrin dhe ministrin e jashtëm të Jordanisë, së bashku me ministrin e jashtëm të Palestinës, të Egjiptit dhe atë të Arabisë Saudite. Një panel i titulluar “Blloqe ndërtimi për paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme” do të trajtojë gjithashtu ngjarjet e fundit në Gaza.
Ai do të përfshijë ministrin e jashtëm të Libanit dhe të Palestinës, zëvendësministrin e jashtëm të Bahreinit dhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Ligës Arabe. Akademikët në tryezën e rrumbullakët do të flasin edhe për modelin garantues të Türkiyes në arritjen e një zgjidhjeje të përhershme të çështjes palestineze.
Paneli i katërt, i fokusuar në Lindjen e Mesme, do të mbahet në një nivel ekspertësh dhe do të bashkojë gazetarë dhe mendimtarë nga rajoni për të diskutuar “si mund të krijohet terren i ri në Lindjen e Mesme”.
Politika dhe siguria ndërkombëtare
Në kategorinë “Politika dhe siguria ndërkombëtare” do të ketë panele ku do të diskutohen tema të ndryshme, duke përfshirë rolin e “gruas” në siguri dhe diplomaci.
Sesioni i titulluar “Gratë, Paqja dhe Siguria”, i kryesuar nga Zonja e Parë, Emine Erdoğan, do të ketë pjesëmarrje të veçantë të nivelit të lartë. Forumi do të diskutojë gjithashtu racizmin, ksenofobinë, islamofobinë dhe ndërmjetësimin.
Paneli i krizës klimatike, i cili do të trajtojë gjithashtu sigurinë e energjisë dhe ushqimit, do të përfshijë pjesëmarrje nga Afrika dhe Lindja e Mesme.
Sesioni do të mbështesë vendet më pak të zhvilluara, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Bankës Teknologjike të OKB-së dhe Qendrës së Zhvillimit të Sektorit Privat të UNDP-së. Do të mbahet edhe një tryezë e rrumbullakët me titull “Tregtia ndërkombëtare, lidhja dhe ndërvarësia”, në të cilën do të marrë pjesë nënkryetari i Türkiyes, Cevdet Yilmaz.