11.4 C
Pristina
spot_img

Miratohet akti nënligjor për Ambalazhin dhe Mbeturinat e Ambalazhit – Konsumatorët do të paguajnë 5 centë një qese plastike, 2 centë për shtetin

Date:

Share:

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në një konferencë të përbashkët shtypi me Alessandro Bianciardin, zëvendës-shef për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, si dhe Vera Baumann, shefe për Bashkëpunim në Ambasadën Gjermane, kanë dhënë detaje lidhur me aktin e sapomiratuar nënligjor mbi “Ambalazhin dhe Mbeturinat e Ambalazhit“ si dhe për lansimin e fushatës “Reduktimi i Qeseve Plastike”.

Me aktin e ri nënligjor, ndalohet prodhimi, importi dhe shitja në treg e qeseve plastike mbajtëse me peshë të lehtë me dorëza me trashësi nga 0-25 mikron.

Ministri Aliu bëri të ditur se, po ashtu, ndalohet menjëherë prodhimi, importi dhe shitja në treg e qeseve plastike mbajtëse të okso-degradueshme.

Ndërsa, qeset plastike mbajtëse me peshë shumë të lehtë, pa dorëza, vihen në treg pa tarifë prej 2 centësh dhe pa pagesë për konsumatorin.

“Qeset plastike mbajtëse me peshë të lehtë me dorëza prej 25 – 50 mikron vihen në treg me një çmim shitjeje minimal detyrues prej së paku 5 centësh, që paguhet nga konsumatori, dhe 2 centë prej kësaj tarife do t’i kalojnë buxhetin e Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur kreu i MMPHI-së.

Për qeset plastike mbajtëse me dorëza mbi 50 mikron nuk do të vendoset çmim shitjeje minimal detyrues e as tarifë prej 0.02 euro.

Për qeset e plastikës biodegraduese të kompostueshme të çfarëdo madhësie dhe trashësie, me një ҫertifikatë përkatëse që vërteton që qeset e plastikës janë nga materiali i biodegradueshëm dhe i kompostueshëm, nuk do të vendoset çmim shitjeje minimal detyrues e as tarifë prej 0.02 euro.

“Akti nënligjor i miratuar rishtazi shënon një hap të rëndësishëm drejtë avancimit të Agjendës së Gjelbër të Republikës së Kosovës, si dhe legjislacionit të BE-së. Zbatimi i këtij udhëzimi do të fillojë me aktivitete që kanë për qëllim reduktimin e përdorimit të qeseve të lehta plastike, duke përfshirë Fushatën e Reduktimit të Qeseve Plastike, e cila do të japë informacion mbi procesin e zbatimit të legjislacionit dhe të sensibilizojë konsumatorët dhe palët e tjera të interesuara për dëmin mjedisor të shkaktuar nga qeset plastike dhe rëndësinë e përdorimit të alternativave të ripërdorueshme dhe miqësore”, theksoi Aliu.

Ai tha se do të kemi ndalim të prodhimit, importeve dhe shitjes në treg të qeseve plastike mbajtëse që nuk janë të biodegradueshme.

“Do të kemi ndalim të prodhimit, importeve dhe shitjes në treg të qeseve plastike mbajtëse ose degraduese… Për qeset e plastikës të biodegradueshme të çfarëdo madhësie dhe trashësie me një certifikatë përkatëse që vërteton që qeset e plastikës janë nga materiali i biodegradueshëm do t’i vendoset çmim prej 0.02 euro. Për qeset e plastikes mbajtëse me doreza mbi 50 micron nuk do të vendoset çmim shitje minimal detyrues e as tarifë prej 0.02 euro”, u shpreh tutje Aliu.

Ministri Aliu tha se me udhëzimin administrativ do të krijohet mundësia e rimbursimit të dispozitave, megjithëse një gjë e tillë sipas tij do të marrë kohë.

“Për depozita është çështje tjetër, është një projekt i cili me udhëzimin administrativ krijohet mundësia fillimit të sistemit të rimbursimit dhe depozitës po i cili nuk mund të filloj menjëherë. Për ta filluar sistemin e rimbursimit dhe depozita e duhet të ndërtohet një sistem ku do të jenë të përfshir edhe prodhuesit, edhe shitsit edhe imortuesit e ambalazhit që janë shishet e plastikës, kanaçet e aluminit, shishet e qelqit. Është projektuar që të mbajë të paktën këto shishe 0.25 litra lëngë dhe më së shumti deri në 2 litra lëngë dhe të jenë të mbyllura në gjendje hermetike dhe të pa përshkueshme nga uji në pikën e shitjes. Ato cka përjashtohen nga sistemi i rimbursimit dhe depozitave janë ambalazhi i produkteve të qumështit, ambalazhi i pijeve alkoolike, kavanozat e qelqit dhe kuti prej kartoni”, u shpreh Aliu.

“Që të fillohet ky sistem duhet ndërtuar një sistem nëpër të gjitha markete dhe menaxhimi i tyre duhet që të bëhet nga palët e rëndësishme që i përmenda. Në të gjitha marketet e sidomos ato të mëdha duhet që të jenë pajisjet e rimbursimit në mënyrë automatike që i bie që qytetarët, të gjitha këto ambalazhe do të kenë shenjën përkatëse të vendosur në to e cila në mënyrë elektronike do të mund ta rikthejë depozitën ta rimbursoj përmes pajisjeve që do të vendosen nëpër markete. Këto sisteme i kemi parë dhe janë duke u aplikuar edhe në vendet e BE-së”, tha tutje Aliu.

Shefi për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, tha se nëse do të ketë sukses në zbatimin e rregullave evropiane do të kemi ulje 33 për qind të numrit të përdorimit të qeseve një përdorimeshe.

“BE-ja ka nderin që qëndron pranë jush bashkë më Gjermaninë dhe Kosovën nën mbështetje të zhvillimit dhe zbatimit të këtyre akteve me rëndësi në paketimin e mbeturinave. Plastika ka efekt serioz negativ në ambient dhe në shëndetin e njeriut dhe kjo ndotje është duke u rritur. BE po merr hapa që të përshpejtoj tranzicionin dhe të shkojë drejt ekonomisë efeciente. Nëse kemi sukses në zbatimin e rregullave evropiane do të kemi ulje 33 për qind të numrit të përdorimit të qeseve një përdorimshme.  Zbatimi i duhur të akteve të reja ligjore është para nesh dhe shpresoj që do të kemi ndikim të mirë për Kosovën”, tha ai.

Shefja për Bashkëpunim në Ambasadën gjermane në Kosovë, Vera Baumann, tha se Kosova me këtë akte ligjore po shënon një hap për një vend më të pastër.

“Sot po shënojmë një hap për një Kosovë më të pastër që e kemi arritur me partneret dhe qeverinë e Kosovës. BE është rrugë drejt një shoqërie të vetëdijeshem për qeset e plastikës. Është një fillim për një Kosovë më të pastër e përgëzojmë Kosovën për këtë akt ligjor”, tha ajo.

Në fund u tha se ky akt nënligjor dhe Fushata e Reduktimit të Qeseve Plastike përbëjnë një hap drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më të përgjegjshme sa i përket mjedisit për Kosovën. Sipas ministrit Aliu, këto iniciativa theksojnë përkushtimin e tyre për të nxitur një Kosovë më të pastër, më të gjelbër dhe më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img