8.7 C
Pristina
spot_img

BQK: Deri në fund të vitit, rënia e inflacionit në 4.8%

Date:

Share:

Banka Qendrore e Kosovës ka parashikuar një rënie të inflacionit deri në fund të vitit 2023, ku mesatarja pritet të jetë deri në 4.8%. Ndërsa, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni i përgjithshëm u ngadalësua në 2.4 për qind në korrik të këtij viti. Ekonomistët, ndërkaq thonë se ka ulje të çmimeve, mirëpo sipas tyre, nuk duhet pritur që ato të kthehen siç kanë qenë.

Nga institucionet financiare në Kosovë ishte paralajmëruar një rënie e inflacionit në gjysmën e dytë të këtij viti. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK-së), inflacioni i përgjithshëm u ngadalësua në 2.4 për qind në korrik të këtij viti. Ndërsa Besnik Kada, nga Banka Qendrore e Kosovës në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën, ka thënë se parashikimet e BQK-së janë që deri në fund të vitit 2023 mesatarja e rënies së inflacionit të jetë afër 4.8%.

“Si rezultat i lehtësimeve në zinxhirët e furnizimit dhe çmimeve në tregjet ndërkombëtare, efektit të bazës nga viti i kaluar dhe shtrëngimit të politikës monetare në eurozonë, pritshmërinë e BQK-së ishin për ngadalësim të inflacionit në vitin 2023, përkitazi me trendin në eurozonë. Projeksionet e BQK-së parashohin ngadalësim të mëtejshëm të inflacionit në 2.1 për qind në dhjetor 2023, kurse mesatarja për tërë vitin 2023 pritet të jetë 4.8 për qind”, ka thënë Kada.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna tha për Radio Kosovën se tashmë inflacioni nuk është dyshifror në Kosovë. Mirëpo sipas tij, nuk duhet pritur që çmimet të kthehen siç kanë qenë para luftës në Ukrainë.

“Pritja jonë është duke ndodhur ku kemi një ulje të inflacionit, nëse e krahasojmë me vitin e kaluar ku kishim ngritje dy shifrore tani kemi një inflacion i cili sillet rreth 7%”, ka thënë ai.

Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se ka një rënie të inflacionit krahasuar me vitin e kaluar, megjithatë inflacioni vazhdon të jetë prezent. Ai konsideron se bankat e kanë frenuar këtë inflacion.

“Inflacionin e ka frenuar shumë ngritja  e kritereve të bankave për të dhënë kredi dhe ngritja e nivelit të kamatës. Dhe kjo ka ndikuar që të bie edhe interesimi për investime”, ka deklaruar Shahini.

Siç dihet norma mesatare vjetore e inflacionit në vitin 2022, sipas Agjencisë së Statistikave, ishte 11.6 për qind, vit ky që solli pakënaqësi të qytetarët për shkak të rritjes së çmimeve në produkte të konsumit.

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img