-3.4 C
Pristina
spot_img

MINT i dërgon në Gjykatë 14 biznese që s’e respektuan vendimin për marzhën e fitimit për produktet e naftës

Date:

Share:

Gjatë një muaji nga hyrja në fuqi e vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës të përdorshme për transport, inspektorët e tregut të naftës kanë iniciuar procedurë në gjykatë për 14 biznese, pasi është evidentuar se nuk e kanë respektuar marzhën maksimale tregtare të lejuar.

Kjo është bërë e ditur, përmes një përgjigje me shkrim për “Betimi për Drejtësi” nga Zyra për Informim e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Sipas MINT, të gjitha rastet e shkeljeve të evidentuara janë proceduar në gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjatë inspektimeve të realizuara janë evidentuar 14 raste, në të cilat subjektet kanë pasur mospërputhje të çmimit të shitjes me marzhën maksimale të lejuar. Në të gjitha raste kur është evidentuar se operatori ekonomik nuk ka respektuar marzhën maksimale tregtare të lejuar është iniciuar procedurë në gjykatë. Pra, në 14 rastet që janë konstatuar shkelje janë filluar procedurat kundërvajtëse në gjykatë”, thuhet në përgjigjen e MINT.

Kujtojmë se më 28 korrik 2023, MINT kishte marrë vendim me anë të së cilit synohej rregullimi i çmimit të produkteve të naftës të përdorshme për transport.

Me anë të këtij vendimi, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy centë për litër. Ndërsa, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 12 centë.

Në një komunikatë për medie, MINT kishte theksuar se vendimi është bazuar në monitorimin e rregullt të çmimeve në tregun e produkteve të naftës.

Sipas tyre, është evidentuar rritje e çmimeve e cila nuk reflektohet nga lëvizja e çmimeve në tregun botëror.

“Vendimi është bazuar në monitorimin e rregullt të çmimeve në tregun e produkteve të naftës, evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës, si dhe raportet e përditshme nga Inspektorati i Tregut, lidhur me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve të naftës, me ç’rast është evidentuar një rritje e çmimeve e cila nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror”, thuhej në komunikatën e MINT.

Ky vendim i marrë më 28 korrik 2023, thuhej se ishte i vlefshëm 30 ditë nga dita e hyrjes në fuqi.

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img