Këshilli Botëror i Samitit Hallall tha se po vazhdojnë me shpejtësi punimet për Samitin Botëror Hallal dhe Panairin Hallall, që do të mbahen më 23-26 nëntor në Istanbul
Më 23-26 nëntor në Qendrën e Panaireve në Istanbul do të mbahet Samiti i 9-të Botëror Hallall dhe panairi i 10-të Helal Expo 2023 i Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), në të cilën Agjencia Anadolu (AA) do të marrë pjesë si “Partner i Komunikimit Global”, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate të bërë nga Këshilli Botëror i Samitit Hallall, thuhet se vazhdojnë me shpejtësi punimet për Samitin Botëror Hallal dhe Panairin Hallall.
Türkiye, e cila në “Shekullin e Türkiyes” ka përcaktuar një objektiv eksporti prej 300 miliardë dollarësh në vitin 2025, ka përshpejtuar kërkimet e saj për tregje alternative. Aktualisht, Türkiye kryen eksport në 197 vende dhe teksa rrit të ardhurat për njësi në eksporte, ajo është intensifikuar edhe në produkte (artikuj) alternative. Në këtë kuadër, edhe tregu hallall përbën një prej potencialeve më të mëdha.
Kreu i këshillit të Samitit Botëror Hallall dhe Kreu i Bordit Drejtues të Discover Events, Yunus Ete, njoftoi se tregu hallall ka tejkaluar 7 trilionë dollarë dhe se në pesë vitet e ardhshme pritet të arrijë në 10 trilion dollarë.
“Sipas raportit të Ekonomisë Hallall të OBI-së, Türkiye, Indonezia dhe Malajzia kanë arritur të hyjnë në mesin e 20 eksportuesve të parë në produktet e ekonomisë hallall. Në produktet e ekonomisë hallall Türkiye bashkë me Indonezinë dhe Malajzinë dalin në pah si ndër tri vendet që kanë kapacitetin për të kryer eksporte dhe për të prodhuar mbi 20 artikuj”, tha Ete, duke vënë theksin se dyert e reja në eksport mund të hapen me tregun hallall.
Ete më tej tha se shpenzimet e kryera për ushqimin nga konsumatorët në vendet muslimave tejkaluan 1 trilion dollarë në vitin 2022 dhe se kjo pritet që të rritet në 1,5 trilion dollarë deri në vitin 2026.
Rritja në fjalë ofron një dritare mundësie të prodhimit, investimit dhe fuqisë eksportuese në mesin e vendeve të OBI-së, tha Ete, duke shtuar:
“Ka një kërkesë të lartë konsumatore në produktet ushqimore të shëndetshme, hallall dhe organike. Vendet e OBI-së janë të varura nga importet në sektorët e ushqimit, ilaçeve dhe kozmetikës. Kompanitë turke që kanë shikuar këtë mundësi, fokusohen në investimet e produkteve të certifikuara hallall dhe ndërmarrin hapa shumë strategjikë edhe për të krijuar një rrjet të fuqishëm në këtë sektor. Punimet aktive të Agjencisë së Akreditimit Hallall, e cila vazhdon aktivitetet e saj në vendin tonë në këtë kuadër, dhe kërkesa për eventin Helal Expo që organizojmë po forcohen dita ditës”.
“Parashikojmë 40 mijë vizitorë, prej të cilëve 10 mijë të huaj”
Yunus Ete tha se vazhdojnë me shpejtësi punimet për panairin e 10-të Helal Expo 2023 të OBI-së dhe Samitin e 9-të Botëror Hallall që është organizimi më i madh hallall në botë.
“Për panairin Helal Expo që do të zhvillojmë më 23-26 nëntor në Qendrën e Panaireve në Istanbul ka një kërkesë shumë të fuqishme. Në panairin që organizuam vitin e kaluar morën pjesë 446 kompani vendase dhe të huaja nga 39 vende dhe panairi u vizitua nga 31.905 persona. Këtë vit presim pjesëmarrjen e mbi 500 kompanive vendase/të huaja nga mbi 40 vende. Po ashtu parashikojmë mbi 40 mijë vizitorë, prej të cilëve 10 mijë do të jenë të huaj. Çdo vit në panairin tonë marrin pjesë kompani të rëndësishme në fushën e ushqimit, teknologjive ushqimore, kozmetikës, farmaceutikës, tekstileve/modës modeste. Këtë vit gjithashtu ka një kërkesë për pjesëmarrje serioze edhe nga sektorët përkatës të financës islame dhe turizmit hallall”, deklaroi Ete, duke shtuar se kompanitë që kërkojnë dyer alternative në eksport, kanë treguar interes shtesë për panairin këtë vit.
Njëkohësisht, me panairin mbahet edhe Samiti Botëror Hallall, tha Ete, i cili theksoi se këtë vit në samitin që e mbajnë me temën “Dera që Hapet Drejt Ekonomisë Globale Hallall”, do të vlerësohet ekonomia hallall në çështjet si akreditimi, certifikimi, ushqimi, mjekësia-kimia-farmaceutika, turizmi dhe financa, dhe se emra kryesorë të botës dhe që kanë punime të fuqishme në këtë fushë do të ndajnë të dhënat e fundit në panele.
“Në Kampionatin Ndërkombëtar të Kuzhinierëve do të garojnë 1.000 kuzhinierë”
Kreu i këshillit të Samitit Botëror Hallall, Yunus Ete, rikujtoi se që nga viti 2018 njëkohësisht me panairin dhe samitin zhvillojnë Kampionatin Ndërkombëtar të Kuzhinierëve dhe se ky aktivitet do të zhvillohet shumë më gjithëpërfshirës.
Lidhur me Kampionatin Ndërkombëtar të Kuzhinierëve Ete informoi:
“Në Kampionatin Ndërkombëtar të Kuzhinierëve që zhvillojmë këtë vit me bashkëpunimin e Konfederatës së Kuzhinierëve dhe Pastiçerëve të Türkiyes (TAŞPAKON) dhe Platformës Botërore të Komuniteteve të Kuzhinierëve të Vendeve Islame (WICS), do të marrin pjesë 1.000 kuzhinierë. Krahas konkursit të kuzhinierëve ndërmjet vendeve, do të zhvillojmë konferenca ‘Chefs Talks’ me pjesëmarrjen e zinxhirëve të hotelerisë, drejtuesve të famshëm botërorë të restoranteve/kafeve, të personave që kanë arritur famë lidhur me gastronominë. Do të zhvillojmë gara të kategorisë ku do të konkurojnë nxënës dhe studentë që arsimohen për gastronomi nëpër shkolla të mesme dhe universitete. Gjithashtu do të organizojmë një aktivitet të veçantë për kuzhinën për fëmijët tanë që përkufizohen si invalidë por që sipas mendimit tonë kanë nevoja të veçanta. Me ushqime që do të bëjnë ata do të kënaqemi edhe ne, edhe familjet e tyre, por edhe fëmijët tanë”.