14.2 C
Pristina
spot_img

Edhe tregu i gjelbër i nënshtrohet “furtunës” së çmimeve të shfrenuara

Date:

Share:

Çmimet e produkteve bujqësore në Kosovë “hypën në qiell” sidomos në fund të gushtit dhe gjatë tërë shtatorit, periudhë e njohur dhe e identifikuar që moti si “kohë e turshive”, kur qytetarët ngarendin në tregjet e gjelbra për të përmbushur nevojat e tyre me perime, thuaja të të gjitha llojeve, për të bërë turshitë tradicionale për familjet e tyre. Ku janë shkaqet e çmimeve enorme të larta të perimeve në Kosovë?

Buletini Ekonomik

Tregjet e gjelbra në Kosovë deri vonë, në njëfarë mënyre, i kishin bërë ballë hoveve të ngritjes së çmimeve nga tregtarët e produkteve të tjera në dy vjetët e fundit. Në to, në këtë periudhë, për një kohë të gjatë, nuk pati ndonjë kërcim të madh të çmimeve edhe pse ato lëviznin dhe shënojnë rritje graduale thuaja nga dita në ditë.

Në tregjet e gjelbra, çmimet lëviznin, por me njëfarë mase dhe te shumë produkte bujqësore me një përqindje gati të pavërejtshme. Mirëpo, sivjet, saktësisht që nga fillimi i këtij viti, e sidomos gjatë muajve të verës, kur praktikisht është sezoni i prodhimeve bujqësore të arritura edhe nga arat e fermerëve dhe kopshtarëve kosovarë, edhe në tregjet e gjelbra shpërthyen çmimet. U dyfishuan dhe trefishuan sa çel e mbyllë sytë, thyen rekorde e rekorde për të arritur në nivlein e çmimeve ndër më të lartat në rajon dhe për t’u bërë thuaja të paprekshme për pjesën dërmuese të qytetarëve të lodhur financiarisht.

Çmimet e produkteve bujqësore në Kosovë “hypën në qiell” sidomos në fund të gushtit dhe gjatë tërë shtatorit, periudhë e njohur dhe e identifikuar që moti si “kohë e turshive”, kur qytetarët ngarendin në tregjet e gjelbra për të përmbushur nevojat e tyre me perime, thuaja të të gjitha llojeve, për të bërë turshitë tradicionale për familjet e tyre.

U ngritën në gusht dhe në shtator çmimet thuaja të të gjitha produkteve bujqësore, sidomos të perimeve, pa dallim a ishte prodhimi nga arat vendore apo nga importi. Ndodhën çmimet stratosferike të specave, domateve, trangujve, hudhrave, magdanozit dhe të produkteve të tjera të nevojshme dhe të përdorura për turshitë.

Në tregjet e gjelbra ndodhi shfrenimi i çmimeve, thuaja në përmasa të paimagjinueshme për qytetarët. Një kilogram i specave tashmë popullor në Kosovë, të somborkave që po kultivohen gjithandej në arat dhe kopshtijet e vendit dhe ka vite që konsumohen shumë nga kosovarët, në shtator nuk ka mundur të gjenden nën çmimin 1,5 euro, ose thesi që vetëm dy-tre javë më parë ka kushtuar 3-3, 5 euro “hypi” në 5-5,5 euro. I njejti amballazhim specash (thes rreth 3 kilogramësh) vitin e kaluar në të njëjtën kohë ka kushtuar 1,5 deri në 1, 8 euro.

Në shtator, në tregjet tona të gjelbra, por as në markete e supermarkete dhe në shitore të specializuara të pemëve dhe të perimeve, çmimi i një kilogrami të domateve më cilësore nuk mund të gjendet nën 2 euro. Një kilogram i domates cilësore dhe prodhim i vendit tani kushton edhe 2,2 dhe 2, 5 euro, ndërsa e cilësisë së diskutueshme 1,5 euro. Kurse, trangujt që prodhohen me shumicë në kopshtijet e kosovarëve, në rajonin e Prizrenit dhe të Mamushës, që deri vonë kanë kushtuar 50 e 60 centë, në shtator thuaja se tregtohen me çmim të standardizuar, por trefish më të lartë e që është 1,5 euro.

Ndërkohë, fasulja e cilësisë së mirë, të martën (më 26 shtator) në tregun kryesor të gjelbër të kryeqytetit tregtohej me çmimin 6 euro kilogrami. Edhe më tutje vazhdon të ketë çmim enorm spinaqi (tani kushton 2 euro kilogrami), sado që çmimi i këtij produkti që para një muaji kushtonte edhe 6-8 euro, ka rënë shumë.

Rritjen e çmimeve e konfirmojnë zyrtarisht edhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Sipas tyre, çmimi i perimeve në gusht të këtij viti, është rritur për 28 për qind, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, ndërsa çmimi i pemëve është rritur për 11.4 për qind.

“Qe 30 vjet merrem me tregtimin e perimeve dhe për këto 30 vjet asnjëherë nuk ka ndodhur të ketë kaq çmime të larta. Çmimet e larta sivjet kanë bërë të pakapshme perimet për shtresat me gjendje me të vështirë financiare”, thotë pronari i një depoje të perimeve në një lagje në afërsi të tregut kryesor të gjelbër.

Ai mendon se sivjet kanë fituar mirë para edhe prodhuesit edhe tregtarët. Mirëpo, një njohës i mirë i ecurive në tregjet e gjelbra ka mendim tjetër. Sipas tij, gjithnjë, edhe në këtë verë, fitimin e madh nga çmimet kaq të larta e kanë tregtarët, stërshitësit. Ata vazhdojnë të blejnë me shumicë dhe në të shumtën në vendin e prodhimit me çmim shumë më të lirë se sa e shesin pastaj.

Sipas tregtarëve, çmimet e shfrenuara të perimeve, janë edhe rrjedhojë e mungesës së tyre. Thjeshtë, Kosova nuk ka sasi të mjaftueshme të perimeve për të përmbushur nevojat e qytetarëve të vet. Tani në mungesën e perimeve, përveç kultivimit më të vogël të perimeve dhe “tkurrjes” së kopshtarëve në Kosovë, po ndikon edhe eksporti gjithnjë e më i shumtë i perimeve kosovare në shtetet e Perëndimit.

Sivjet thuaja shumica absolute e specit cilësor, e karrotës , por edhe e qepëve dhe të disa perimeve të tjera është eksportuar për në Gjermani, Zvicër dhe gjetiu.

Edhe Tahir Tahiri, udhëheqës i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, çmimet e larta të perimeve i sheh te mungesa e perimeve të bollshme. Ai për medie është shprehur se “rendimentet e ulëta nga prodhuesit vendorë kanë ndikuar në ngritjen e çmimeve të produkteve bujqësore, sidomos të perimeve dhe pemëve”. Ndërsa, në uljen e rendimenteve, sipas tij, ka ndikuar vonesa e mbjelljes dhe kultivimit, për shkak të shirave gjatë gjithë muajve të pranverës.

Sipas Tahirit, edhe kosotoja me çmime të ngritura të prodhimit të perimeve ka ndikuar në rritjen e çmimeve të tyre. Çmimet e sivjetshme të produkteve bujqësore gjithsesi do të duhej të reflektonin te shumë kosovarë që kanë lënë tokat e tyre djerrë me vite.

Tani nuk ka më humbje nga puna e arave. Është fitim, është mirëqenie dhe të ardhura të mira familjare. Të gjitha perimet e sipërpërmendura i “bën” dhe i rritë toka shumicë e Kosovës. Vetëm në dhjetëra ari të bëhej kultivimi i tyre në tokat djerrë dhe në kopshtijet e reduktuara, sot do të kishim edhe çmime më të arsyeshme, por edhe fitime të shtuara familjare.

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img