-2.1 C
Pristina
spot_img

“Livestreamer”-i e kthen dështimin në një histori biznesi të suksesshëm të fshatit të tij

Date:

Share:

Mu Sa, një “livestreamer”, pjesë e komunitetit etnik Hui nga Zhongning, rajoni autonom Ningxia Hui, është mishërim i faktit se si interneti ka transformuar shumë të rinj të papunë në talente të dobishme që kontribuojnë në shoqëri.

Pas diplomimit për sociologji në Universitetin Northwest Minzu, në Lanzhou, Mu punoi si nëpunës zyre në Shangai, asistent marketingu në Pekin dhe analist i të dhënave në Hangzhou, duke u munduar të realizonte ëndrrën e tij në qytetet e mëdha.

Por, më në fund, Mu kuptoi se kishte ardhur momenti të kthehej në vendlindje. Mu, tashmë 25 vjeç, u kthye në shtëpi në nëntor 2021, pasi humbi punën gjatë pandemisë Covid-19.

I dëshpëruar, Mu, i cili vuan nga një problem i moderuar i dëgjimit, shkaktuar nga një sëmundje në moshën 10-vjeçare, në fillim e pa këtë rikthim si dështim.

Largimi nga fshati ishte një synim për të gjithë bashkëmoshatarët e brezit të tij. Megjithatë, ai nuk u pengua nga vështirësitë e tij dhe u ngrit shpejt. Mu vendosi ta shfrytëzonte celularin për të krijuar video të shkurtra për jetën e përditshme të njerëzve vendas dhe t’i ngarkonte ato në internet.

Një videoklip që tregon nënën e tij duke gatuar ushqime vendase doli të ishte një hit surprizë. Edhe nëna e tij u habit që kishte kaq shumë shikues, të cilët komentuan se videoja ngjallte kujtime të nënave dhe vendlindjes së tyre.

Mu tha se ishte suksesi i kësaj videoje që e frymëzoi atë të vazhdonte. Ai gradualisht zbuloi se përditshmëria e fshatit ishte vërtet e preferuar nga ndjekësit.

Që atëherë, babai, nëna, motra e madhe, shokët e klasës, miqtë dhe fqinjët, oborret e tyre të vogla, kafshët dhe fushat e gjera janë bërë objekt i objektivit të kamerës së Mu.

Shumë fansa e dinë për vendlindjen e tij, Dazhanchang, dhe jetën e banorëve lokalë në Kinën veriperëndimore përmes punës së Mu.

Ma Rui, një shok klase i shkollës së mesme të Mu-së, i cili punon për një media lokale, gjithashtu poston për jetën rurale në rrjetet e tij sociale, në të cilat ka rreth 150.000 ndjekës. Ai e ndihmon Mu me inkuadrimin, kompozimin dhe muzikën.

Babai i Mu, nëna e tij që mund të bëjë lloje të ndryshme ushqimesh të shijshme, të cilat shpesh i shoqëron me thënie të vyera vendase, si dhe motra e tij, janë bërë të gjithë yjet e videove të Mu.

Ndërsa puna e tij tërheq gjithnjë e më shumë ndjekës, Mu ka filluar të publikojë video të shkurtra pothuajse çdo ditë. Ai regjistron me besnikëri jetën e përditshme të atyre që e rrethojnë dhe videoklipet i publikon kryesisht pasdite. Disa njerëz thonë se videoklipet e tij janë të rralla dhe të detajuara, duke u dhënë njerëzve një ndjenjë të qetë, poetike dhe idilike.

Mu filloi të promovonte specialitetet lokale në llogarinë e tij më 1 prill të vitit të kaluar, pasi disa ndjekës e pyetën se ku mund të blinin mishin e viçit, të qengjin, frutat, çajin dhe orizin që ishin shfaqur në disa nga videot e tij.

Vaji i susamit, manaferrat dhe çaji që ai shiti në ditën e tij të parë arritën në 700.000 juanë (95.764 dollarë). Suksesi ishte një surprizë e madhe.

“E kuptova se sa i fuqishëm është interneti”, tha Mu.

Popullariteti i specialiteteve vendase konsolidoi besimin e tij se ai mund të punonte si shitës për prodhimet bujqësore jo vetëm të familjes së tij, por edhe të fshatit të tij.

Me më shumë se 5 milionë ndjekës në faqet e rrjeteve sociale, Mu është bërë shitësi numër një në qarkun Zhongning, duke ndihmuar bashkëfshatarët e tij të shesin specialitete lokale në internet.

Gati 90 për qind e fansave të tij nuk janë nga Ningxia. Shumë njerëz thanë se ata dinë për Ningxia përmes videove të Mu-së.

“Pasiguria e së ardhmes shpesh i bën të rinjtë të ndihen konfuzë në shkallë të ndryshme. Përgjigjen time ndaj konfuzionit e dhashë me veprimet e mia praktike. Nuk ka një normë uniforme të jetës për të rinjtë, përfshirë të diplomuarit. Ëndrrat do t’i çojnë të gjithë atje ku duhet të shkojnë”,- tha ai.

Në janar, Mu u ftua të merrte pjesë në një program në Televizionin Qendror të Kinës, në Pekin, duke prezantuar biznesin dhe jetën e tij dhe duke promovuar prodhimet bujqësore të Ningxia.

Kjo ishte hera e parë që Mu kthehej në Pekin qëkur u largua nga kryeqyteti kinez në vitin 2020. Në këtë udhëtim ai mori me vete edhe prindërit, për të cilët ishte hera e parë që vizitonin qytetin.

Edhe pse ka miliona fansa në rrjetet sociale, Mu u ndje i nervozuar i ulur para kamerës në studio. “Më vjen mirë që stacioni televiziv vlerëson thjeshtësinë dhe këmbënguljen time si përfaqësues i fermerëve të shumtë punëtorë. Ata janë vërtet heronjtë e heshtur”,- tha Mu.

“Megjithëse transmetimi i drejtpërdrejtë është një aktivitet që kërkon  angazhim, për sa kohë që mund të përfitoj nga platforma për të bërë diçka për vete dhe vendlindjen time, atëherë mendoj se po bëj një punë të jashtëzakonshme”, shtoi ai.

Yu Ni, një nga ndjekësit e Mu, tha se videot e tij të japin një ndjesi çlodhjeje, sidomos atyre të mërzitur nga jeta moderne e qytetit.

“Duke parë familjen e Mu dhe ndërveprimin mes tyre nuk mund mos të dallohej lumturia e tyre dhe suksesi i edukimit të tij familjar. Dashuria e prindërve për fëmijët është e pamatë, por edhe në detajet më të vogla mund të dallohet dashuria e fëmijëve për prindërit”,- tha Yu.

Kjo gjë dallohet lehtësisht nga fansat e Mu. Ata thonë se buzëqeshja e Mu, e natyrshme dhe e thjeshtë, plot dashuri për jetën, i bën të harrojnë presionin e jetës së qytetit.

“Mu krijon një atmosferë aq idilike përmes videove të tij, saqë mund të ndihet aroma e fushave të vendit”,- shtoi Yu.

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

7 Arsye pse ndryshimi mund të dështojë | Si ndryshimi shkon keq

Ka shumë gjëra që duhen bërë siç duhet që ndryshimi të ketë sukses. Nga përfshirja e njerëzve deri te përmbushja e angazhimit për ndryshim. Por identifikimi...
spot_img