-0.5 C
Pristina
spot_img

Çka e bën një ambient të mirë të punës?

Date:

Share:

“Punëtorët e lumtur, janë ambasadorët më të mirë”  James Sinegal

Sipas një analize të HuffPost Australia, një person mesatarisht shpenzon 13 vjet e dy muaj në punë.  Meqënëse ambienti i punës është vendi në të cilin qendrojmë shumicën e kohës, paraqet edhe nevojën për të pasur kushte të mjaftueshme që punët të përfundojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Mirëpo, një ambient i mirë nuk nënkupton vetëm një enterier të mirë por edhe harmoni brenda kompanisë.  Prandaj, pasi që pjesën më të madhe të ditës, shumica e njerëzve e kalojnë në vendet e tyre të punës, krijimi i një ambienti të përshtatshëm duhet të paraqitet si synim primar i secilit që nga momenti kur angazhohet në një punë të caktuar.

Punëdhënësit kanë për obligim që për të gjithë punëtorët të krijojnë një ambient kompakt me punën që duhet të kryhet, pasi që është i njohur edhe fakti se një ambient i mirë i punës ndikon shumë edhe në produktivitetin e secilit prej tyre por edhe të kompanisë në përgjithësi. Nëse punëtoret nuk vijnë të vullnetshëm dhe të motivuar në punë, probabiliteti që një kompani duhet të punojë rreth ambientit të punës është shumë i lartë, ngase kjo mund të jetë arsyeja kyçe.

Menaxherja e burimeve njerëzore në Kreditimin Rural të Kosovës (KRK), Burbuqe Grajçevci, thotë se një ambient i mirë i punës ndikon shumë në përmirësimin e punës në ekip, rritë efiçiencen dhe rezultatet, rritë nivelin e kënaqësisë në punë dhe në përgjithësi performancën e të punësuarve, e gjithashtu zvogëlon edhe stresin në punë.  Ajo shton se mbështetja e stafit në zhvillim profesional është poashtu e një rëndësie të veçantë.

“Shumë me rëndësi për një ambient pozitiv është mbështetja e stafit në zhvillim profesional, përmes  trajnimeve por edhe duke bartur dijen nga njëri tek tjetri, kjo është veçanarisht e rëndësishme për punëtorët e ri, që njerëzit që janë me më përvojë në një kompani, ta zëmë në KRK, ta bartin dijen tek punëtorët e ri sepse kështu zhvillohen edhe ata po edhe ne rritemi profesionalisht”, ka thënë ajo.

Ambienti ideal i punës gërshetohet nga shumë komponentë

Një ambient ideal i punës, krijohet edhe duke gërshetuar shumë komponentë siç janë vlerat e organizatës me të cilat duhet të mishërohet çdo individ, komunikimi, bashkëpunimi por edhe krijimi i mundësive të barabarta për të gjithë.

“Një ambient ideal i punës duhet të ketë këto komponenta: vlerat e organizatës të përcaktuara qartë, përshkrimin e qartë të punës se ku ka për të arritur një individ, çka ka për të bërë gjatë gjithë vitit, poashtu luan shumë rol komunikimi dhe bashkëpunimi i mirë si dhe gjithëpërfshirja e punonjësve. Punëtorët duhet të respektohen dhe të kenë mbështetjen e nevojshme, pra t’u ofrohen mundësi te barabarta dhe kompensimi të jetë i drejtë”, ka thënë ajo.

Çka ndihmon në një organizim më të mirë të punës, e rrjedhimisht edhe në krijimin e një ambienti më pozitiv në një vend pune, është edhe transparenca. Grajçevci thotë se nëse kompanitë duan të kenë një ambient të mirë, duhet inkurajuar transparencën.

“ Është mirë që në vendin e punës të inkurajohet transparenca. Kjo sidomos duhet të bëhët nga personat udhëheqës të një organizate apo kompanie, të inkurajojnë bashkëpunimin mes njerëzve dhe të ketë komunikim më të qartë kur duan të bartin informatë ose të marrin një informatë mbrapa, që njerëzit të mos kenë paqartësi në vendin e punës. Që të mos të krijohet paqartësi rreth një procesi të punës apo procedure duhet të përdorën të gjitha kanalet e komunikimit që i posedon kompania në mënyrë që të gjithë të jenë të informuar drejtë dhe të kuptojnë apo interpretojnë njësoj të njejtin proces, procedurë apo çkado që është një çështje me të cilën është marrë insititucioni” theksoi ajo.

Arritjet e punëtorit duhet të vlerësohen vazhdimisht

Mentorimi dhe trajnimet, sipas Grajçevcit janë poashtu shumë të nevojshme që punëtorët të tregojnë sa më shumë rezultate. Ndër tjera, ajo shton se arritjet e punëtorit duhet medoemos të vlerësohen. Pra në rast se një punëtor i ka arritur objektivat, vazhdimisht jep ide, është proaktiv apo ka iniciativë, duhet të vlerësohet dhe jo vetëm nga kompania por edhe nga secili mbikqyrës I drejtpërdrejt, duhet të falenderoj dhe respektojë punëtorin në punën e përditshme. Për ta arritur krejt këtë, Grajçevci nënvizoi se duhet pasur më shumë njerëz optimistë, pozitivë dhe të cilët problemet i shohin si sfida dhe si mundësi të reja.

Sipas saj, për të mbizotëruar një klimë e mirë e punës në një kompani, shumë të mirëseardhura duhet të jenë edhe aktivitetet e përbashkëta të cilat forcojnë raportin mes kolegëve apo stafit në përgjithësi, iniciativa të  ndryshme, të cilat ndihmojnë që stafi të socializohet. Duke pasur parasysh këtë, ajo tha se edhe KRK-ja praktikon mbështet iniciativat e përbashkëta për rekreacion dhe socializim të stafit.

 

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img