Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili është pritur në takim pune nga Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti.
Guvernatori Ismaili gjatë këtij takimi e njoftoi Kryeministrin Kurti mbi zhvillimet e fundit dhe objektivat e BQK-së, duke shtuar se sistemi financiar në Republikën e Kosovës është i qëndrueshëm dhe brenda parametrave të përcaktuar.
Në këtë takim, Guvernatori Ismaili dhe Kryeministri Kurti kanë diskutuar edhe aspekte të koordinimit ndërinstitucional lidhur me zbatimin e objektivave të BQK-së.
Me këtë rast Guvernatori Ismaili shpalosi pjesë të Planit të tij Strategjik, me theks në objektivin për përfshirje financiare, digjitalizimin e shërbimeve bankare dhe përkrahjes së ekonomisë së vendit dhe nisma tjera që lidhen me bankimin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm.
Pjesë e diskutimit ishin edhe sfidat për anëtarësimin në Kartonin e Gjelbër për automjete dhe listimi i Republikës së Kosovës në platformat botërore të pagesave.
Guvernatori Ismaili gjatë këtij takimi ka marrë mbështetje institucionale nga Kryeministri Kurti për adresimin e sfidave, si dhe realizimin e objektivave të BQK-së në interes të qytetarëve të vendit dhe shtetit në përgjithësi./Telegrafi/