Ndërmarrja “Trepça” ka dënuar sulmin fizik ndaj ushtruesit të detyrës së Udhëheqësit të Njësisë Biznesore Minierat me Flotacion, Trepça Stan Tërg, Bahri Karaça.
Në reagimin e bërë për media thuhet se sulmi ndaj Bahri Karaçës është akt i ulët, transmeton Telegrafi.
“Lajmi i trishtë për sulmin ndaj ushtruesit të detyrës se Udhëheqësit të Njësisë Biznesore Minierat me Flotacion Trepça Stan Tërg, Bahri Karaça, me datën 10/11/2023 Bordin Mbikëqyrës i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i Trepça Sh.A ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme për të diskutuar këtë veprim dhe për të shprehur indinjatën tonë për këtë akt të ulët në ambientet e punës.
I gjithë Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i urojmë shëndet dhe kthim sa me parë të Karaça në vendin e punës si dhe bashkëndjejmë me familjen e tij për këto ditë sfiduese”, thuhet në reagim.
Tutje, Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti ka dënuar ashpër sulmin fizik ndaj Karaça, duke shtuar se mirëpresin ndërmarrjen e masave të shpejta nga organet e rendit për këtë veprim.
“Sjelljet e tilla nuk përkojnë me punëtorin tone dhe me vlerat, vizionin e misionin që në aspirojmë t’i ndërtojmë në ndërmarrjen Trepça Sh.A, e aq më pak kur sjelljet e tilla kryhen në vendet e punës. Siguria dhe mirëqenia e punonjësve të Trepçës janë prioriteti ynë kryesor. Ne qëndrojmë të bashkuar kundër çdo forme dhune apo dëmi që u shkaktohet punonjësve tonë dhe ju sigurojmë që jemi shumë të përkushtuar të punojmë me zell për të eliminuar akte të tilla nga vendi ynë i punës dhe për të nxitur një mjedis që mbështet parimet e respektit, bashkëpunimit dhe profesionalizmit”, vijon reagimi.
Sulmin ndaj Bahri Karaçës e ka konfirmuar edhe policia.
Policia kishte njoftuar se ai ishte sulmuar fizikisht në ambientet e punës.
“Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi që i njëjti, për motive të panjohura ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pësuar lëndime dhe është dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, bëhet e ditur nga Policia e Kosovës.