14.2 C
Pristina
spot_img

Gjermania mbështet dekarbonizmin e sektorit energjetik në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor

Date:

Share:

Këtë javë, filloi zbatimin projekti i ri i financuar nga Qeveria Gjermania me qëllim avancimin e mëtutjeshëm të Agjendës së Gjelbër me fokus në dekarbonizimin e sektorit të energjisë elektrike në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.
Në konferencën hapëse të mbajtur këtë javë në Budva, Mali i Zi, u mblodhën rreth 80 ekspertë dhe vendimmarrës nga sektori i energjisë elektrike për të diskutuar temat kryesore, duke shënuar një hap të rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin drejt një sektori energjie më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm.

Sektori energjetik i Kosovës u përfaqësua nga pjesëmarrës nga Ministria e Ekonomisë, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut KOSTT, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes KEDS/KESCO, të cilët ishin aktivë në diskutimet e organizuara ndërmjët ekspertësh.

Në këtë ngjarje u theksua tema e transformimit të sektorit energjetik, njoftimi i pjesëmarrësve me objektivat dhe qasjen e projektit, dhe nxitja e një mirëkuptimi ndërmjet pjesëmarrësve të sektorit të energjisë në Ballkanin Perëndimor në lidhje me sfidat e përbashkëta dhe zgjidhjet në tranzicionin energjetik.

Udhëheqësi i këtij projekti, Nicolas Heger, në fjalën e tij hapëse tha: “Kur njerëzit mendojnë për energjinë e gelbër, të gjithëve u shkon mendja te turbinat e erës dhe kulmet solare. Pak prej tyre do t’i konsideronin si diçka të rëndësishme linjat e transmisioinit, qendrat e kontrollit ose stacionet tansformative. Kjo do të jetë ajo qka ne dhe partnerët e këtij projekti do të mundohemi të ndryshojmë.”

Gjatë konferencës u bë prezantimi i teknologjisë më të fundit dhe zgjidhjeve për integrimin e rrjetit të energjisë së ripërtëritshme, nga ekspertë gjerman dhe ndërkombëtarë të sektorit energjetik.

Ivana Marković-Bošković, eksperte e lartë për Agjendën e Gjelbër në Këshillin për Bashkëpunimin Rajonal (RCC), theksoi se arritja e objektivave të Agjendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor kërkon angazhim të vazhdueshëm për të rritur dhe diversifikuar pjesën e energjisë së ripërtëritshme. “Kjo po ashtu përfshin zbatimin e skemave të mbështetjes ekonomike të qëndrueshme dhe promovimin e vetëkonsumit të energjisë prej burimeve të ripërtëritshme”, ka përfunduar ajo.

Marcus Merkel, këshilltari i lartë në Bordin Menaxhues të kompanisë EWE NETZ GmBH – një operator gjerman inovativ i sistemit të shpërndarjes, theksoi rolin e sistemeve të shpërndarjes së energjisë për të mbështetur tranzicionin energjetik brenda BE-së dhe në nivel të shteteve anëtare. “Kjo është një sfidë e madhe, për shembull, më shumë se 70% e të gjitha kapaciteteve të reja të ripërtëritshme në BE27+Britania e Madhe, do të lidheshin me këto rrjete. Pra, operatorët e sistemit të shpërndarjes duhet të ndërtojnë shtylla betoni për elektrifikimin e mëtejshëm dhe të përfaqësojnë integruesit kryesorë të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.“

Objektivi kryesor i projektit, të zbatuar nga GIZ, është të adresojë kërkesën në rritje për zgjidhje nga palët kryesore të interesuara në sektorin rajonal të energjisë elektrike që lidhen me teknologjinë, rregullatorët dhe burimet njerëzore për të lehtësuar një tranzicion energjetik miqësor ndaj mjedisit dhe klimës.

Kjo nismë trevjeçare është e përkushtuar për të nxitur një tranzicion energjetik të përqendruar në burimet e ripërtëritshme dhe integrimin e tyre të shpejtë në rrjetet e energjisë.

Projekti i Agjendës së Gjelbër mbështetet nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe zbatohet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img