Telekomi i Kosovës ka dalë fituese në Gjykatën e Arbitrazhit në rastin me kompaninë PayKos, e cila e kishte paditur Telekomin për shkelje të marrëveshjes se partneritetit.
Detajet e këtij vendimi janë bërë publike në një komunikatë për media nga Telekomi i Kosovës.
“Vendimi i Arbitrazhit e detyron Paykos t’i paguajë Telekomit të Kosovës shumën prej 1,400,000 euro, derisa Telekomi i Kosovës detyrohet t’i paguajë Paykos rreth 850,000 euro. Megjithatë, janë dy aspekte me rëndësi në lidhje me këtë proces”, thuhet në komunikatë.
Me datë 27 dhjetor 2023 është lëshuar vendimi përfundimtar i arbitrazhit me nr. 300595-2022 pranë Qendrës Zvicerane të Arbitrazhit (“Vendimi i Arbitrazhit”). Vendimi i Arbitrazhit përfshin Paykos LLC në cilësinë e Paditësit dhe Telekomin e Kosovës Sh. A. në cilësinë e palës së paditur dhe lidhet me Marrëveshjen e Partneritetit të nënshkruar më 2015. Marrëveshja kishte të bënte me shitjen e mbushjeve për Telekomin nga kompania PayKos.
PayKos kishte ngritur pretendime në Gjykatën e Arbitrazhit se marrëveshja e partneritetit nuk ishte respektuar nga Telekomi i Kosovës, kryesisht që lidhen me disa anekse të kontratës bazë, me të cilat Telekomi i mundësoi kësaj kompanie rritje të përqindjes së fitimit.
Sipas Telekomit, ky vendim ia ka shpëtuar Telekomit rreth 4 milionë euro.
“Vendimi i Arbitrazhit paraqet një konfirmim të ligjshmërisë së qëndrimeve parimore të Telekomit të Kosovës në raport me Paykos dhe kërkesën për zbatimin e duhur të marrëveshjeve kontraktuale në përputhje me ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës. Vendimi i Arbitrazhit gjithashtu paraqet një sukses me rëndësi të Telekomit të Kosovës në drejtim të zbatimit të ligjshëm dhe të drejtë të të gjitha raporteve kontraktuale, në përputhje me ligjet e aplikueshme, praktikat normale të industrisë dhe të biznesit. Po të pranonte Telekomi imponimet e palës tjetër për të shmangur procedurën e Arbitrazhit, atëherë deri në fund të kontratës do të detyrohej të paguante rreth 4 milionë € më tepër!”
Në komunikatë thuhet se “inicimi dhe zhvillimi i procedurës së arbitrazhit nuk ka qenë dëshirë dhe as vullnet i Telekomit të Kosovës”.
“Përkundrazi, Telekomi i Kosovës e ka trajtuar me mirëbesim Paykos LLC dhe në të gjitha fazat ka kërkuar që mospajtimet të zgjidhen në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet normale të biznesit. Përkundër kësaj, ka qenë Paykos pala e cila ka insistuar në zhvillimin e arbitrazhit dhe ka inicuar një proces të dytë”.
Së dyti, përkundër suksesit në procedurë të arbitrazhit, Telekomi i Kosovës njofton të gjithë publikun, kontraktorët dhe palët e ndryshme të interesit që nuk ka e as nuk do të ketë asnjë tendencë dëmtimi të asnjë pale, por sipas tyre “jemi të interesuar që të zhvillojmë marrëdhënie biznesi të drejta dhe korrekte me të gjithë kontraktorët dhe partnerët pa dallim.”