0.3 C
Pristina
spot_img

Çfarë është “Workaholism” dhe si ndikon në mbarëvajtjen e punës suaj

Date:

Share:

Sipas një studimi global për shëndetin në vendin e punës, i kryer nga McKinsey Health, 28% e punonjësve amerikanë u përgjigjën se vuanin nga burnout në punë.

Megjithatë, vlen të përmendet se ekziston një kufi i hollë mes të punuarit shumë dhe të qenët workaholic. Besojmë se kuptimi i ndryshimit mes këtyre dy gjërave mund të ndihmojë në zgjidhjen e disa prej rasteve të burnout dhe të stresit.

Orët e gjata vs. Varësia nga puna

Termi “workaholic” u prezantua për herë të parë në vitin 1971 nga psikologu amerikan Wayne Oates. Ai e përkufizon “workaholic” si një njeri që ka “nevojën e pakontrollueshme për të punuar në mënyrë të pandërprerë”.

Ata kanë këtë dëshirë të fortë të pandalshme për të punuar për shumë orë. Workaholics nuk kanë një ekuilibër mes jetës profesionale dhe asaj personale.

Ata nuk e ndajnë kurrë jetën personale nga ajo profesionale. Këta persona priren t’ia kushtojnë çdo gjëje që kanë punës, pavarësisht rreziqeve të mundshme që mund të sjellë kjo.

Nuk ka asgjë të keqe të punosh shumë, por ka një ndryshim midis përkushtimit ndaj jetës profesionale dhe të qenët i varur nga puna.

Megjithatë, nëse arrihet një pikë kur i jepet gjithmonë përparësi punës mbi gjithçka tjetër dhe gjeni një lloj përmbushjeje ose kënaqësie nga kjo, mund të mendohet se po punoni shumë.

 

Shenja të mundshme të një Workaholic

Shenjat e një personi workaholic nuk janë gjithnjë të qarta. Ndonjëherë të punuarit shumë mund të ngatërrohet me varësinë nga puna. Pavarësisht kësaj, disa shenja mund të përfshijnë:

1. Prirjen që të punoni me orë jashtëzakonisht të gjata, duke përfshirë edhe faktin e marrjes së punës në shtëpi gjatë fundjavës.

2. Jeni të fiksuar pas produktivitetit. Ju dëshironi të bëni sa më shumë që të jetë e mundur në sa më pak kohë të jetë e mundur.

3. Nuk keni jetë personale. Çdo gjë në botën tuaj rrotullohet rreth punës.

4. Ju i kuptoni rreziqet shëndetësore të punës së tepërt dhe gjithsesi zgjidhni të punoni me orë të gjata.

5. Ndiheni të rraskapitur për shkak të detyrave të punës, por nuk bëni pushim për të kaluar kohë larg punës.

 

Ndikimet e mundshme të workaholism

Tendencat drejt Workaholism mund të ndikojnë në shëndetin fizik dhe mendor të një personi.

Më poshtë janë disa prej problemeve më të zakonshme të lidhura me të punuarit shumë.

Izolimi – Workaholism mund të çojë drejt izolimit dhe të ketë ndikim negativ te marrëdhëniet personale. Duke qenë se workaholics ia kushtojnë gjithë kohën e tyre punës, mund të mos kenë mjaftueshëm kohë për t’ua kushtuar marrëdhënieve njerëzore. Në rastin kur këto marrëdhënie ekzistojnë, mund të lihen pas dore për shkak mungesës së një ekuilibri të përshtatshëm midis jetës profesionale dhe asaj personale.

Ankthi – Njerëzit që punojnë shumë mund të vuajnë nga ankthi dhe anasjelltas, njerëzit me ankth të një niveli të lartë mund të kenë disa karakteristika si workaholism, perfeksionizmi dhe arritjet e larta. Bëhet fjalë për një gjendje e shëndetit mendor ku njerëzit e prekur mund të bëjnë një jetë normale, pavarësisht se ndiejnë nivele të larta ankthi.

Depresioni – Disa studime i lidhin workaholism dhe çrregullimet psikiatrike, duke përfshirë ankthin, stresin kronik dhe depresionin.

 

Si të gjeni një ekuilibër më të mirë mes punës dhe jetës personale

Workaholism është një fenomen i shpeshtë, por lajmi i mirë është se ka disa mënyra për ta përballur.

Më poshtë janë disa këshilla:

1.Vendosni një orar dhe respektojeni

Nuk ka asgjë të keqe të punoni shumë dhe t’i kushtoheni punës. Por nuk mund ta bëni gjithnjë. Vendosni një orar të arsyeshëm për të ndaluar punën, gjatë të cilit nuk do të mendoni për ndonjë aktivitet të lidhur me të.

2.Gjeni diçka për të bërë pas pune

Është e rëndësishme të gjeni disa hobi apo aktivitete çlodhëse për t’i bërë pas pune. Kjo mund t’ju ndihmojë të shkëpusni spinën, të çlodheni dhe të arrini një ekuilibër mes jetës dhe punës.

3.Mësoni të delegoni

Të punosh shumë nuk do të thotë të punosh vetëm. Nëse ende dëshironi t’i përfundoni gjërat, mund të krijoni një ekip dhe të delegoni detyra në mënyrë që produktiviteti të arrihet pa punuar orë shtesë.

4.Kërkoni ndihmë nga një profesionist

Në fund, nëse kuptoni se workaholism juaj është një simptomë e një gjendjeje të shëndetit mendor ose psikologjik, mund të jetë një ide e mirë të kërkoni ndihmë nga një profesionist i shëndetit mendor.

Të punosh shumë është mirë dhe angazhimi për të dhënë më të mirën nga vetja mund t’ju çojë larg në karrierë. Por nuk duhet të lejoni kurrsesi që dëshira për të arritur objektivat tuaja të shndërrohet në një obsesion të pashëndetshëm me punën. Forbes

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img