6.9 C
Pristina
spot_img

Çfarë nevojitet për rritjen e ekonomive të Ballkanit Perëndimor?

Date:

Share:

Mes tensioneve të shtuara rajonale dhe globale, thellimi i mëtejshëm i integrimit të ekonomive të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian përfaqëson një mënyrë përpara për të mbështetur prosperitetin e përbashkët dhe konvergjencën ekonomike. Procesi i anëtarësimit në BE përfaqëson një mundësi për vendet e rajonit që të koordinojnë agjendat e tyre të reformave strukturore dhe të kenë qasje në financime shtesë për të mbështetur investimet shumë të nevojshme. Në sfondin e njw mjedisi sfidues për bizneset vendase dhe të huaja, ngadalësimit të rritjes së produktivitetit, qeverisjes së dobët dhe një perspektive të pafavorshme demografike, nxitja e lidhjeve më të ngushta me vendet e BE-së mund të krijojë mundësi të reja rritjeje dhe të zgjerojë fushën e investimeve private.

Gjatë dy dekadave të fundit, investimet e huaja direkte (IHD) në Ballkanin Perëndimor kanë qenë një shtysë kryesore e rritjes, duke mbështetur integrimin në zinxhirët e vlerave europiane dhe globale, duke krijuar vende të reja pune, duke futur teknologji të reja dhe procese prodhimi dhe duke hapur mundësi të reja për kompanitë vendase. Stoku total i IHD-ve në Ballkanin Perëndimor ishte 87 miliardë euro në fund të vitit 2022, nga të cilat 60% e kishin origjinën nga vendet e BE-së. Në pjesën më të madhe këto kapitale u kanalizuan në sektorët bazë të prodhimit, në ndërtim dhe në aktivitete të tjera me punë intensive.

Ngjitja në zinxhirin e vlerës së shtuar

Për të siguruar ecuri të mëtejshme, rajoni duhet t’i shpëtojë të ashtuquajturit “kurth të të ardhurave të mesme” ose, me fjalë të tjera, specializimit sektorial në aktivitete me vlerë të shtuar të ulët. Për këtë qëllim është thelbësore të bëhet përparim konkret në forcimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit, shtimin e aftësive të punonjësve për t’ju përgjigjur nevojave në zhvillim të tregut të punës, avancimin e tranzicionit të gjelbër dhe përmirësimin e lidhjes së transportit, digjitales dhe energjisë.

Konkluzionet e nxjerra nga raporti i BEI “Recharging the batteries” (Karikimi i baterive) tregojnë se vendet në Ballkanin Perëndimor (dhe më në përgjithësi në rajonin më të gjerë të Europws Qendrore, Lindore dhe Juglindore) janë shpesh të specializuara në sektorë ekonomikë me vlerë të shtuar më të ulët. Të ngecur në “kurthin e specializimit” funksional, ato priren të shërbejnë si “ekonomi fabrikash” në rrjetet europiane të prodhimit, në krahasim me “ekonomitë qendrore” në vendet e Europës Perëndimore.

Përveç kësaj, sundimi i dobët i ligjit dhe kuadri i dobët qeverisës, shkalla e lartë e informalitetit në ekonomi dhe cilësia e dobët e infrastrukturës pengojnë aktivitetin ekonomik, siç tregohet në anketën e fundit të ndërmarrjeve të BEI-BERZH-BB. Shumica e firmave citojnë informalitetin si pengesën më të madhe për të bërë biznes (19%), ndjekur nga normat e larta të taksave (14%) dhe paqëndrueshmëria politike (14%). Qasja e pamjaftueshme në financa mbetet një çështje e vazhdueshme për firmat në Ballkanin Perëndimor, ku rreth 32% e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) që deklarojnë se janë të kufizuara nga kredia (kjo përqindje varion nga 18% në Shqipëri në 47% në Mal të Zi).

Rritja e konkurrencës përmes reformave strukturore dhe përmirësimit të lidhjeve

Në vazhdim, pengesat e reja strukturore – duke përfshirë rritjen e mungesës së fuqisë punëtore dhe plakjen e popullsisë – mund të dobësojnë më tej avantazhin konkurrues që mbështeti suksesin e rajonit me IHD deri më tani.

Në këtë kontekst, konvergjenca graduale me nivelet e të ardhurave të BE-së do të varet nga institucione më të forta, infrastruktura më e mirë dhe investimet në arsim e kualifikim të avancuar, të cilat do të jenë instrumentale për rritjen e investimeve të huaja në sektorët e teknologjisë së lartë. Për më tej, thjeshtimi i rregulloreve, shfrytëzimi i fuqisë në tranzicionin digjital, rritja e konkurrencës duke nxitur tregtinë, si dhe rritja e rolit të sektorit privat dhe përshpejtimi i përdorimit të energjisë së rinovueshme, do të jenë gjithashtu thelbësore për të ushqyer sektorët me vlerë të shtuar më të lartë dhe investime të diversifikuara. Kalimi me sukses i këtij tranzicioni do të çonte në ekonomi më të qëndrueshme, standard më të mirë jetese dhe rritje të vazhdueshme të të ardhurave për njerëzit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Këto çështje u theksuan edhe në takimin ministror ekonomik të zhvilluar në Tiranë në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit, një nismë që vendos bashkëpunimin dhe integrimin ekonomik rajonal në qendër të përpjekjeve të saj. Në këtë ngjarje, ministrat rajonalë kërkuan bashkëpunim të zgjeruar me BE-në për të ndërtuar mbi shembujt aktualë të shquar si iniciativa CEFTA – Komuniteti i Transportit që prezanton Korsitë e Gjelbra brenda Ballkanit Perëndimor, zgjerimin e tyre në pikat e kalimit kufitar me BE-në dhe iniciativën për uljen e kostove të roaming-ut ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Ata gjithashtu përshëndetën vendimin e BE-së për të shtrirë Rrjetin e saj të Transportit Trans-Europian në rajon dhe miratimin e Programit të Transportit të Sigurt dhe të Qëndrueshëm.

Ata presin që Plani i Veprimit të Përbashkët Rajonal të Tregut të nxisë më tej rritjen rajonale dhe ta sjellë atë më afër BE-së. Ministrat njohën rëndësinë e hapjes së Zonës së vetme të pagesave në euro të Bashkimit Europian (SEPA) për vendet jo-anëtare të BE-së, pasi përfaqëson një mundësi unike për të ulur ndjeshëm kostot e pagesave brenda rajonit dhe me BE-në.

Fondet e BE-së të dedikuara për rajonin

Mundësimi i konvergjencës së vendeve në të gjithë Europën ishte arsyeja kryesore që çoi në krijimin e Bankës Europiane të Investimeve (BEI) rreth 65 vjet më parë, si një instrument për të thelluar integrimin ekonomik europian. Dhe, ne vazhdojmë me këtë traditë përmes krahut tonë të ri të dedikuar, BEI Global. Në Ballkanin Perëndimor, banka ka investuar afro 11 miliardë euro që nga viti 2009 për të mbështetur shtrirjen e projekteve strategjike të infrastrukturës dhe të lidhjeve, si p.sh. rrjetet energjetike Trans-Europiane ose për të ofruar financim për NVM-të vendase. Këto investime kontribuan në forcimin e lidhjeve fizike dhe ekonomike midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, duke përshpejtuar konvergjencën.

Në Shqipëri, BEI Global po mbështet zgjerimin e rrjetit hekurudhor drejt Malit të Zi dhe punimet e ndërtimit në Korridorin VIII në Maqedoninë e Veriut. Vitin e kaluar, BEI Global miratoi një nga kreditë e veta më të mëdha për investime në hekurudhën e Korridorit X në Serbi dhe do të vazhdojë të mbështesë gjerësisht ndërtimin e Korridorit Vc në Bosnje Hercegovinë.

Për të nxitur zhvillimin e sektorit privat – një motor kyç i rritjes – BEI Grup ka drejtuar rreth 44% të fondeve për përmirësimin e qasjes në financa, veçanërisht për NVM-të dhe bizneset fillestare që nxisin inovacionin dhe përdorimin e teknologjive të reja. Këto synime janë pjesë e mandatit më të gjerë të planit ekonomik dhe të investimeve të Komisionit Europian dhe, së fundmi, Global Gateway (Portëkalimi global), e cila përfshin një pjesë të konsiderueshme të financimit, granteve dhe asistencës teknike.

Plani ka mundësuar tashmë miratimin e granteve me vlerë rreth 4.3 miliardë euro, të cilat do të mobilizojnë 15,9 miliardë euro në investime të përgjithshme. Për më tepër, Komisioni ka njoftuar tashmë një plan të ri zhvillimi për Ballkanin Perëndimor për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike të rajonit me tregun e njehsuar të BE-së. BEI Global synon të luajë një rol të rëndësishëm drejt krijimit të një tregu të përbashkët rajonal më konkurrues, të hapur dhe më të gjelbër.

Autori: Matteo Rivellini, drejtuesi i divizionit të BEI-t për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, pjesëmarrës në forumin e ministrave të Procesit të Berlinit të organizuar në Tiranë

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img