Rreth 78 milionë euro është shifra e cila është shpenzuar me kontrata njëburimore gjatë vitit 2022, sipas një raporti të publikuar nga Demokraci Plus.
Raporti “Përdorimi i kontratave një burimore në prokurim publik për periudhën 2019-2023” u prezantua nga kjo organizatë në një konferencë për shtyp të premten.
Në këtë raport shtjellohet përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të njoftimi për kontrata dhe lidhja e kontratave një burimore nga institucionet publike gjatë katër viteve të fundit.
“Lidhja e kontratave një burimore është një nga çështjet më sfiduese në prokurim publik, teksa sipas të gjeturave të raportit në vitin 2019 me kontrata një burimore janë shpenzuar 68 milionë euro, në vitin 2020, 56 milionë euro dhe në 2021, 51 milionë euro”, thuhet në njoftimin e organizatës.
Institucionet që kanë lidhur më së shumti kontrata një burimore gjatë viteve 2019-2023 janë: Komuna e Prishtinës, KEK-u, Komuna e Gjakovës dhe Komuna e Ferizajt.