1. Biznes Individual
Biznesi individual është person fizik dhe jo juridik, pavarësisht nga kjo, ai mund të lidhë kontratë, të ketë pronë, të ushtrojë padi dhe të jetë i paditur, në emrin e Biznesit Individual apo të pronarit.
Themelimi: Themelimi i Biznesit Individual bëhet vetëm nga një person.
Regjistrimi i biznesit: Regjistrimi i biznesit bëhet në Agjencinë për Regjistrim të Biznesit të Kosovës (Ministria e Tregtisë dhe Industrisë) duke plotësuar formularin B apo edhe online përmes faqes së ARBK. Në formular të aplikimit për Biznes Individual kërkohet emri i pronarit ose themeluesit dhe emri zyrtar i biznesit të cilit gjithmonë i shtohet prapashtesa B.I (biznes individual). Në formularin për regjistrim deklarohet aktiviteti kryesor i biznesit dhe njësitë e zhvillimit të aktivitetit ekonomik (nëse janë më shumë se një). Me rastin e regjistrimit në ARBK apo qendrat one stop shop në komuna, ligji Nr. 06 L- 016 për Shoqëritë Tregtare kërkon që secili biznes apo shoqëri që do të bëjë aktivitet ekonomik të pajiset me numër unik identifikues. Secili biznes me rastin e regjistrimit pajiset me këtë numër përmes të së cilit identifikohet gjatë zhvillimit të biznesit dhe në institucione të tjera relevante në Kosovë (psh. Administratë Tatimore të Kosovës). Afati për regjistrimin e biznesit është dy ditë.
Personi i autorizuar: Në biznes individual personi i autorizuar është zakonisht pronari i biznesit, mirëpo autorizimi mund të bëhet edhe për ndonjë person tjetër i/e cila mund të jetë personi i punësuar në biznes. Personi i autorizuar ka të drejtë të prezantojë biznesin dhe të hyjë në marrëveshje kontraktuale në emër të Biznesit Individual. Deklarimi i personit të autorizuar bëhet në formularin për regjistrim të biznesit.
Tatimet: rregullimi dhe inkasimi i tatimeve bëhet nga Administrata Tatimore e Kosovës. Personat e tatueshëm, përfshirë këtu personat fizik dhe juridik të cilët zhvillojnë aktivitet ekonomik mbi 30,000 euro janë të detyruar të pajisen me Certifikatë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Përparësitë e biznesit individual
Pavarësia dhe shpejtësia e marrjes së vendimeve në krahasim me partneritetet dhe Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuara apo Shoqëritë Aksionare.
Orientimi i politikave të biznesit varet vetëm nga një person që është pronari/ja Intervenimi i jashtëm është më i limituar në krahasim me format tjera të biznesit, thënë këtë pronari/ja ka më shumë liri për të menaxhuar biznesin. Përfitimet financiare i shkojnë direkt drejtuesit të biznesit
Mangësitë e biznesit individual
Pronari i Biznesit Individual mban përgjegjësi të pakufizuar për borxhet dhe detyrimet e biznesit të cilat derivojnë nga një ligj apo kontratë. Kjo përgjegjësi është e pakufizuar dhe përfshin tërë pronën dhe asetet e çfarëdo lloji që janë në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të pronarit të Biznesit Individual, pavarësisht nga fakti se nëse prona ose asetet e tilla shfrytëzohen për qëllime afariste, personale apo shtëpiake, përjashtimisht nëse palët kontraktuese, në njërën anë pronari i biznesit individual dhe në anën tjetër pala e kontraktuar janë dakorduar që asetet personale të pronarit/es të përjashtohen.
Rreziku më i madh për një person për shkak të vendimmarrjes si i vetëm.
Rreziku financiar është më i madh
Pronari i Biznesit Individual është gjithashtu drejtori menaxhues me ç’rast gjithë biznesi varet nga ekspertiza e vetëm një personi
2. Ortakëri e Përgjithshme
Ortakëritë e Përgjithshme përbëhen nga persona fizik që mund të hyjnë në marrëveshje kontraktuale, të kenë pronë, të padisin apo të paditen në emër të saj.
Themelimi: Ortakëritë e përgjithshme formohen në bazë të lidhjes së marrëveshjes për Ortakëri të Përgjithshme. Një ortak i përgjithshëm mund të kontribuojë në mënyrë financiare apo në të mira materiale. Kjo duhet të parashihet në marrëveshje në mënyrë që përgjegjësitë të jenë të qarta edhe për shkak të ndarjes së fitimit apo humbjeve. Në rast të konfliktit në mes të ortakëve dispozitat e marrëveshjes së ortakëve kanë përparësi para dispozitave të Ligjit për Shoqëritë Tregtare. Në aplikacionin për regjistrimin e biznesit në ARBK kërkohet të jetë e bashkangjitur marrëveshja e Ortakërisë së Përgjithshme.
Regjistrimi i biznesit: Regjistrimi i biznesit bëhet në Agjencinë për Regjistrim të Biznesit të Kosovës (Ministria e Tregtisë dhe Industrisë) duke plotësuar formularin B apo edhe online përmes ueb faqes së ARBK-së. Në formular të aplikimit për Ortakëri të Përgjithshme kërkohet emërtimi zyrtar që gjithmonë i shtohet prapashtesa O.P (Ortakëri e Përgjithshme) dhe emërtimi tregtar. Në formularin për regjistrim deklarohet aktiviteti kryesor i biznesit dhe njësitë e zhvillimit të aktivitetit ekonomik (nëse janë më shumë se një). Me rastin e regjistrimit në ARBK apo qendrat one stop shop në komuna, ligji Nr. 06 L- 016 për Shoqëritë Tregtare kërkon që secili biznes apo shoqëri që do të bëjë aktivitet ekonomik të pajiset me numër unik identifikues. Secili biznes me rastin e regjistrimit pajiset me këtë numër përmes të së cilit identifikohet gjatë zhvillimit të biznesit dhe në institucione të tjera relevante në Kosovë (psh. Administratë Tatimore të Kosovës). Afati për regjistrimin e biznesit është dy ditë.
Personi i autorizuar: Në Ortakëri të Përgjithshme personat e autorizuar janë zakonisht pronarët e biznesit, mirëpo mund të bëhet autorizimi edhe për ndonjë person tjetër i cili/e cila mund të jetë personi i punësuar në biznes. Personi i autorizuar ka të drejtë të prezantojë biznesin dhe të hyjë në marrëveshje kontraktuale në emër të Ortakërisë së Përgjithshme. Deklarimi i personit të autorizuar bëhet në formularin për regjistrim të biznesit.
Tatimet: regullimi dhe inkasimi i tatimeve bëhet nga Administrata Tatimore e Kosovës. Personat e tatueshëm, përfshirë këtu personat fizik dhe juridik të cilët zhvillojnë aktivitet ekonomik mbi 30,000 euro janë të detyruar të pajisen me Certifikatë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Përparësitë e Ortakërisë së Përgjithshme
Mundësitë e krijimit e kapitalit janë të mëdha për shkak të numrit më të madh të pronarëve. Ortakët e përgjithshëm janë kolektivisht të përgjegjshëm për përgjegjësitë dhe detyrimet e ortakërisë.
Në Ortakëri të Përgjithshme pronarët kanë mundësinë e kombinimit të resurseve të financimit të biznesit në mënyrë që të lidhen kontrata të reja apo masa tjera të nevojshme për të zgjeruar biznesin.
Në Ortakëri të Përgjithshme menaxhimi i biznesit mund të jetë më i lehtë për shkak të angazhimit të dy apo më shumë personave me ç’rast mund të bëhet ndarja e përgjegjësive dhe menaxhimit në bazë të kompetencave të pronarëve.
Rreziku i investimit financiar është më i vogël për shkak të ndarjes së burimeve të financimit.
Mangësitë e ortakërisë së përgjithshme
Përgjegjësia e ortakëve të përgjithshëm është e pakufizuar. Ajo përfshin të gjithë pasurinë dhe asetet e çfarëdo lloji që janë në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të një Ortaku, individualisht dhe kolektivisht përgjegjës.
Të gjithë ortakët e përgjithshëm kanë të drejtë në një ndarje të barabartë të të gjitha fitimeve, humbjeve, alokimeve dhe shpërndarjeve të dividendëve të Ortakërisë së Përgjithshme.
Ekspozimi ndaj rrezikut është më i lartë për shkak se çdo ortak përgjigjet për humbjet e biznesit edhe nëse humbjet në biznes kanë ndodhur për shkak të ortakut tjetër. Për shkak të parimit të barabarësisë vendimmarrja bëhet më e ngadaltë ngaqë konsultimi bëhet me të gjithë ortakët.
3. Ortakëria e Kufizuar
Ortakëritë e Kufizuara nuk janë persona juridik por mund të hyjnë në marrëveshje kontraktuale, të kenë pronë, të padisin apo të paditen. Në mënyrë që të lidhet marrëveshja ndërmjet ortakëve, Ligji për Shoqëritë Tregtare parasheh që tek Ortakëritë e Kufizuara së paku një ortak të jetë i pakufizuar, po ashtu, së paku një ortak të jetë i kufizuar. Tek Ortakëria e Kufizuar, ortaku i përgjithshëm është totalisht i përgjegjshëm ndaj detyrimeve të biznesit me asetet dhe të ardhurave të tij/saj personale apo të tërthortë. Ndërsa, kjo është e kundërta për ortakun e kufizuar me ç’rast ai/ ajo nuk është i përgjegjshëm ndaj detyrimeve të ortakërisë, vetëm nësë është paraparë ndryshe me marrëveshje. Prandaj, marrëveshja e ortakërisë është akt tejet i rëndësishëm i themelimit sepse shtron themelet e partneritetit.
Themelimi: Ortakëria e Kufizuar themelohet në bazë të lidhjes së marrëveshjes për Ortakëri të Kufizuar. Një ortak i përgjithshëm apo i kufizuar mund të kontribuojë në mënyrë financiare apo në të mira. Kjo duhet të parashihet në marrëveshje në mënyrë që përgjegjësitë të jenë të qarta edhe me rastin e fitimit apo humbjeve. Në rast të konfliktit në mes të ortakëve dispozitat e marrëveshjes së ortakëve kanë përparësi para dispozitave të Ligjit për Shoqëritë Tregtare. Në aplikacionin për regjistrimin e biznesit në ARBK kërkohet të jetë e bashkangjitur marrëveshja e Ortakërisë së Kufizuar.
Regjistrimi i biznesit: Regjistrimi i biznesit bëhet në Agjencinë për Regjistrim të Biznesit të Kosovës (Ministria e Tregtisë dhe Industrisë) duke plotësuar formularin A0 apo edhe online përmes ueb faqes së ARBK-së. Në formular të aplikimit për Ortakëri të Kufizuar kërkohet emri i ortakut / ortakëve dhe emri zyrtar i biznesit që gjithmonë i shtohet prapashtesa O.K (Ortakëri e Kufizuar). Në formularin për regjistrim deklarohet aktiviteti kryesor i biznesit dhe njësitë e zhvillimit të aktivitetit ekonomik (nëse janë më shumë se një). Me rastin e regjistrimit në ARBK apo qendrat one stop shop në komuna, ligji Nr. 06 L- 016 për Shoqëritë Tregtare kërkon që secili biznes apo shoqëri që do të bëjë aktivitet ekonomik të pajiset me numër unik identifikues. Secili biznes me rastin e regjistrimit pajiset me këtë numër përmes të së cilit identifikohet gjatë zhvillimit të biznesit dhe në institucione të tjera relevante në Kosovë (psh.Administratë Tatimore të Kosovës). Afati për regjistrimin e biznesit është dy ditë.
Personi i autorizuar: Në Ortakëri të Kufizuar personat e autorizuar janë zakonisht pronarët e biznesit, mirëpo mund të bëhet autorizimi edhe për ndonjë person tjetër i cili/ e cila mund të jetë personi i punësuar në biznes. Personi i autorizuar ka të drejtë të prezantojë biznesin dhe të hyjë në marrëveshje kontraktuale në emër të Ortakërisë së Kufizuar. Deklarimi i personit të autorizuar bëhet në formularin për regjistrim të biznesit.
Tatimet: rregullimi dhe inkasimi i tatimeve bëhet nga Administrata Tatimore e Kosovës. Personat e tatueshëm, përfshirë këtu personat fizik dhe juridik të cilët zhvillojnë aktivitet ekonomik mbi 30,000 euro janë të detyruar të pajisen me Certifikatë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Përparësitë e Ortakërisë së Kufizuar
Në Ortakëri të Kufizuar pronarët kanë mundësinë e kombinimit të resurseve të financimit të biznesit në mënyrë që të lidhen kontrata të reja apo masa tjera të nevojshme për të zgjeruar biznesin.
Në Ortakëri të Kufizuar menaxhimi i biznesit mund të jetë më i lehtë për shkak të angazhimit të dy apo më shumë personave me ç’rast mund të bëhet ndarja e përgjegjësive dhe menaxhimit në bazë të kompetencave të pronarëve.
Rreziku i investimit financiar është më i vogël për shkak të ndarjes së burimeve të financimit.
Ortaku i kufizuar nuk është përgjegjës për borxhet dhe detyrimet e biznesit, vetëm nëse marrëveshja e parasheh ndryshe.
Mangësitë e Ortakërisë së Kufizuar
Ortaku i përgjithshëm është përgjegjës i plotë me pasurinë e tij/saj personale ndaj detyrimeve të biznesit.
Obligimet në mes të ortakut të përgjithshëm dhe ortakut të kufizuar nuk janë të balancuara.
4. Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar
Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar (ShPK) është person juridik, juridikisht i ndarë nga aksionarët. ShPK është vetvetiu bartëse e te drejtave dhe obligimeve. Ajo është përgjegjëse për borxhet e saj me gjitha asetet e saj. Një aksionar i ShPK-së nuk është përgjegjës për borxhet ose detyrimet e Shoqërisë me Përgjegjësi të Kufizuar vetëm për arsye se është aksionar.
Themelimi: ShPK ka si akt konstituiv statutin e saj, ndërsa akt të themelimit ka marrëveshjen e inkorporimit. ShPK-në e themelojnë aksionarët të cilët kanë në pronësi shoqërinë në bazë të aksioneve që posedojnë. Modelin e statutit dhe aktit të inkorporimit mund ta gjeni në ueb-faqen e Agjencisë për Regjistrim të Biznesit të Kosovës: https://arbk.rks-gov.net/page.aspx?id=1,1. Shoqëria mund të themelohet me vetëm një aksionar.
Regjistrimi i biznesit: Regjistrimi i biznesit bëhet në Agjencinë për Regjistrim të Biznesit të Kosovës (Ministria e Tregtisë dhe Industrisë) duke plotësuar formularin A0 apo edhe online përmes ueb-faqes së ARBK-së. Në formular të aplikimit për ShPK kërkohen emërtimi i biznesit të cilit gjithmonë i shtohet prapashtesa Sh.P.K (Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar) dhe emërtimi tregtar.
Në formularin për regjistrim deklarohen themeluesit e biznesit, drejtori, drejtori menaxhues dhe bordi i drejtorëve (nëse biznesi ka bord të drejtorëve). Po ashtu, kërkohet të deklarohet aktiviteti kryesor i biznesit dhe njësitë e zhvillimit të aktivitetit ekonomik (nëse janë më shumë se një). Me rastin e regjistrimit në ARBK apo qendrat one stop shop në komuna, ligji Nr. 06 L- 016 për Shoqëritë Tregtare kërkon që secili biznes apo shoqëri që do të bëjë aktivitet ekonomik të pajiset me numër unik identifikues. Secili biznes me rastin e regjistrimit pajiset me këtë numër përmes të së cilit identifikohet gjatë zhvillimit të biznesit dhe në institucione të tjera relevante në Kosovë (psh. Administratë Tatimore të Kosovës). Dokumentet suplementare për regjistrim të shoqërisë janë statuti i shoqërisë dhe akti i inkorporimit.
Afati për regjistrimin e biznesit është tre ditë.
Personi i autorizuar: Në Shoqërinë me Përgjegjësi të Kufizuar emërohet së paku një person i autorizuar. Person i autorizuar është drejtori menaxhues ose i quajtur ndryshe kryeshef ekzekutiv dhe agjent i shoqërisë. Personi i autorizuar ka të drejtë të prezantojë biznesin dhe të hyjë në marrëveshje kontraktuese në emër të shoqërisë. Deklarimi i personit të autorizuar bëhet në formularin për regjistrim të biznesit.
Tatimet: regullimi dhe inkasimi i tatimeve bëhet nga Administrata Tatimore e Kosovës. Personat e tatueshëm, përfshirë këtu personat fizik dhe juridik të cilët zhvillojnë aktivitet ekonomik mbi 30,000 euro janë të detyruar të pajisen me Certifikatë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Dividenda nuk janë objekt i tatimit.
Përparësitë e Shoqërisë me Përgjegjësi të Kufizuar
Kombinimi i resurseve të financimit të biznesit në mënyrë që të lidhen kontrata të reja apo masa tjera të nevojshme për të zgjeruar biznesin.
Pronarët kanë përgjegjësi të kufizuar për fitimin dhe humbjet e kompanisë dhe nuk përgjigjen me asete personale.
Mangësitë e Shoqërisë me Përgjegjësi të Kufizuar
Vendimarrja është më e ngadaltë
Nevojitet rregullim më i madh për raportim financiar brenda shoqërisë dhe për Administratën Tatimore, përgatitja e pasqyrave financiare çdo vit për t’i prezantuar tek aksionarët.
Mbajtja e dokumentacioneve në përputhje me ligjet strukturore për prezantim dhe kontroll nga institucione shtetërore.
Profiti më i vogël në rastin kur janë shumë aksionar
5. Shoqëria Aksionare
Shoqëritë Aksionare (ShA) janë persona juridik në pronësi të aksionarëve. Shoqëritë Aksionare janë juridikisht të ndara nga aksionarët. Kapitali themeltar për themelimin e ShA-së është 10,000 euro. Një shoqëri mund të ketë vetëm një aksionar. Shoqëria aksionare ëhstë përgjegjëse për detyrimet dhe obligimet e saj.
Themelimi: Shoqëria Aksionare ka si akt konstituiv statutin e saj, ndërsa akt të themelimit ka marrëveshjen e inkorporimit që nënshkruhet nga themeluesit. Shoqërinë Aksionare e themelojnë aksionarët të cilët kanë në pronësi shoqërinë në bazë të aksioneve që posedojnë. Modelin e statutit dhe aktit të inkorporimit mund ta gjeni në ueb-faqen e ARBK: https://arbk.rks-gov.net/page.aspx?id=1,1. Shoqëria Aksionare mund të ketë rregullore të cilat përmbajnë dispozita për menaxhimin dhe funksionimin e Shoqërisë Aksionare.
Regjistrimi i biznesit: Regjistrimi i biznesit bëhet në Agjencinë për Regjistrim të Biznesit të Kosovës (Ministria e Tregtisë dhe Industrisë) duke plotësuar formularin A0 apo edhe online përmes ueb faqes së ARBK-së. Në formular të aplikimit për Shoqëri Aksionare kërkohet emërtimi i biznesit që gjithmonë i shtohet prapashtesa Sh.A (Shoqëri Aksionare) dhe emërtimi tregtar.
Në formularin për regjistrim deklarohen themeluesit e biznesit, përfaqësuesit (personi i autorizuar: drejtori menaxhues/agjenti i shoqërisë) dhe bordi i drejtorëve. Po ashtu, kërkohet të deklarohet aktiviteti kryesor i biznesit dhe njësitë e zhvillimit të aktivitetit ekonomik (nëse janë më shumë se një). Me rastin e regjistrimit në ARBK apo qendrat one stop shop në komuna, ligji Nr. 06 L- 016 për Shoqëritë Tregtare kërkon që secili biznes apo shoqëri që do të bëjë aktivitet ekonomik të pajiset me numër unik identifikues. Secili biznes me rastin e regjistrimit pajiset me këtë numër përmes së cilit identifikohet gjatë zhvillimit të biznesit dhe në institucione të tjera relevante në Kosovë (psh. Administratë Tatimore të Kosovës). Dokumentet suplementare për regjistrim të shoqërisë janë statuti i shoqërisë dhe akti i inkorporimit. Afati për regjistrimin e biznesit është tre ditë.
Personi i autorizuar: Në Shoqërinë Aksionare personi i autorizuar është drejtori menaxhues. Personi i autorizuar/drejtori menaxhues ka të drejtë të prezantojë biznesin dhe të hyjë në marrëveshje kontraktuale në emër të shoqërisë. Deklarimi i personit të autorizuar bëhet në formularin për regjistrim të biznesit.
Tatimet: rregullimi dhe inkasimi i tatimeve bëhet nga Administrata Tatimore e Kosovës. Personat e tatueshëm, përfshirë këtu personat fizik dhe juridik të cilët zhvillojnë aktivitet ekonomik mbi 30,000 euro janë të detyruar të pajisen me Certifikatë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Dividenda nuk është objekt i tatimit.
Përparësitë e Shoqërisë Aksionare
Shoqëria Aksionare është e ndarë nga pronari/aksionari dhe detyrimet e shoqërisë mbeten vetëm të shoqërisë
Pronari/aksionari nuk është përgjegjës për borxhet dhe detyrimet e shoqërisë aksionare.
Numri i palimituar i bashkëaksionarëve që mundëson/mundësojnë sigurim më të madh të financave.
Mangësitë e Shoqërisë Aksionare
Nevojitet kapital më i lartë për themelim të kompanisë
Për shoqërinë aksionare ekzistojnë më shumë kërkesa formale që duhet të plotësohen karshi institucioneve, si: raportim financiar,numri i drejtorëve, kuota gjinore e obligueshme (sipas ligjit te pakten 40% e anëtarëve të bordit duhet të jenë të gjinisë femërore)
Vendimarrja është më e ngadaltë
6. Shoqëria e huaj tregtare – Dega në Kosovë
Dega e Shoqërisë së Huaj Tregtare konsiderohet si një degë e një shoqërie e cila vepron në një vend tjetër jashtë Kosovës. Dega duhet të ketë përfaqësues të autorizuar nga vendi amë. Dega e Shoqërisë së Huaj Tregtare nuk është person juridik i ndarë ose i veçantë nga kompania amë.
Regjistrimi i biznesit: Regjistrimi i biznesit bëhet në Agjencinë për Regjistrim të Biznesit të Kosovës (Ministria e Tregtisë dhe Industrisë) duke plotësuar formularin A0 apo edhe online përmes ueb faqës së ARBK-së. Në formularin për regjistrim është një pjesë e veçantë e cila plotësohet nga jo rezidentët, po ashtu deklarohen themeluesit e biznesit, drejtori, drejtori menaxhues dhe bordi i drejtorëve në rast se ka një të tillë.
Po ashtu, kërkohet të deklarohet aktiviteti kryesor i biznesit dhe njësitë e zhvillimit të aktivitetit ekonomik (nëse janë më shumë se një). Me rastin e regjistrimit në ARBK apo në qendrat one stop shop në komuna, ligji Nr. 06 L- 016 për Shoqëritë Tregtare kërkon që secili biznes apo shoqëri që do të bëjë aktivitet ekonomik të pajiset me numër unik identifikues. Secili biznes me rastin e regjistrimit pajiset me këtë numër përmes të së cilit identifikohet gjatë zhvillimit të biznesit dhe në institucione të tjera relevante në Kosovë.
Personi i autorizuar: Ka të drejtë të prezantojë biznesin dhe të hyjë në marrëveshje kontraktuale në emër të shoqërisë. Deklarimi i përsonit të autorizuar bëhet në formularin për regjistrim të biznesit.
Zyra e Përfaqësisë Tregtare: Zyra e Përfaqësisë Tregtare nuk mund të kryejë veprimatari ekonomike tregtare në Kosovë por vetëm mund të regjistrohet për kryerjen e hulumtimit të tregut.
TABELË KRAHASUESE MES ENTITETEVE TË BIZNESEVE NË ASPEKTIN LIGJOR
Për regjistrim fillestar të biznesit kërkohet plotësimi i formularëve të aplikimit A0 dhe formulari i aplikimit B.
Formulari I aplikimit A0 vlenë për regjistrim fillestar të Shoqërisë Aksionare, Shoqërisë me Përgjegjësi të Kufizuar, Ortakërisë së Kufizuar ose Kompanisë së huaj. Formulari i aplikimit B vlenë për bizneset Individuale dhe Ortakëritë e Përgjithshme.
Shënim: Në këta dy formularë të aplikimit vërehet ndryshimi tek përgjegjësia e pronarëve. Formulari A0 përgjegjësia është e kufizuar, me ç’rast pronarët janë të kufizuar ndaj borxheve dhe detyrimeve të biznesit. Në formularin e aplikimit fillestar B të biznesit përgjegjësia e pronarit është e pakufizuar ndaj borxheve dhe detyrimeve të biznesit.
Në rast të kontesteve në mes të partnerëve në ortakëri të përgjithshme dhe në ortakëri të kufizuar marrëveshja e nënshkruar mes ortakëve prevalon ligjin (marrëveshja kërkohet nga ARBK për regjistrim të biznesit).
Në përputhje me Ligjin për Shoqëritë Tregtare në Kosovë një Shoqëri Tregtare mund të themelohet si Biznes Individual, Ortakëri e Përgjithshme, Ortakëri e Kufizuar, Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar, Shoqëri Aksionare dhe Kompani e Huaj.