Të gjithë jemi rritur me një pikëpamje tradicionale (dhe mashtruese) të emocioneve
Emocionet duken primitive: ato janë reagime ndaj asaj që ndodh me ne, kod i ngulitur nga brenda dhe diçka që ndahet me të gjitha qeniet e tjera njerëzore. Kur nxiten, emocionet duket se shprehen në thelb në të njëjtën mënyrë për secilin prej nesh. Pikëpamja tradicionale e emocioneve pohon këtë besim: emocionet ekzistojnë brenda nesh që nga lindja, ato janë një fenomen i dallueshëm dhe komunikohen me anë të shprehjeve të fytyrës, zërit dhe gjuhës së trupit.
Shkurtimisht, sipas kësaj teorie, çdo emocion ka “gjurmën e tij të gishtit”: ne ndjejmë zemërim, lumturi, habi dhe emocione të tjera, në një mënyrë të qartë dhe të identifikueshme. Për më tepër, emocionet besohet se janë produkte të evolucionit, që kanë vazhduar të mbijetojnë sepse kanë qënë në avantazhin tonë me kalimin e viteve dhe tani janë bërë pjesë e natyrës sonë biologjike.
Kjo pikëpamje klasike e emocioneve ka ekzistuar për mijëvjeçarë dhe është ngulitur plotësisht në kulturën tonë: ka libra, filma dhe seriale televizive që shpjegojnë se si të identifikohen emocionet sipas gjuhës së trupit të një personi dhe libra shkollorë për fëmijët që tregojnë lumturinë me një buzëqeshje dhe habi të përfaqësuar nga një gojë hapur, për të mos përmendur emoji-të stereotipike që përdorim në rrjetet sociale.
Por gjërat nuk janë gjithmonë ashtu siç duken. Tani ka shumë prova shkencore që e hedhin poshtë këtë ide.
Çfarë janë emocionet në të vërtetë?
Ky libër synon të tregojë se ato nuk janë universale, por përkundrazi, ndryshojnë nga kultura në kulturë. Ato nuk nxiten nga agjentë të jashtëm, por gjenerohen nga ata që i ndjejnë. Ato shfaqen si një kombinim i vetive fizike të trupit, fleksibilitetit të trurit tonë, kulturës dhe përvojave të kaluara.
Pikëpamja klasike e emocioneve mbetet bindëse pavarësisht nga të gjitha provat kundër saj, thjesht sepse është ajo që ne kemi besuar gjithmonë dhe sepse është shumë intuitive.
Megjithatë, është thelbësore që emocionet të studiohen nga një këndvështrim tjetër, sepse kuptimi ynë i emocioneve ndikon ndjeshëm në çdo aspekt të jetës sonë.