Emocionet ekzistojnë, por në një realitet specifik: realitetin social, që ne vetë e ndërtojmë si njerëz
Përtej botës fizike në të cilën jetojmë, evolucioni na ka dhënë mundësinë për të krijuar një realitet tjetër që varet plotësisht nga vëzhgimi njerëzor. Në realitetin fizik, ka variacione të dritës, dridhjeve dhe të tjera, por duke qenë se truri ynë njerëzor është gjithashtu në gjendje të perceptojë faktin se ato krijojnë ngjyra dhe tinguj, ne shkojmë përtej ndjesisë së thjeshtë dhe u japim kuptim këtyre fenomeneve fizike, bazuar në përvojat tona të kaluara, të cilat janë të organizuara në koncepte.
Ekzistenca e këtij realiteti “të dytë”, të cilin njerëzit në fakt e krijojnë vetë, nuk duhet të jetë befasi: shumica e asaj që mund të konsiderohet baza e qytetërimit njerëzor është një koncept i ndërtuar shoqërisht. Vetëm mendoni për punën, qeverinë, ligjet dhe statusin social; mendoni se si copa te zakonshme letre ose metali bëhen para, duke marrë një kuptim dhe një vlerë që nuk është e brendshme, por thjesht sociale.
- Duke bërë diçka dhe duke i dhënë një emër, krijuam një koncept.
- Duke ndarë një koncept me të tjerët dhe duke qënë të gjithë dakord, ne krijojmë një realitet të ri.
- Ne e bëjmë këtë duke i kategorizuar: marrim gjërat që ekzistojnë në natyrë dhe u imponojmë atyre një kuptim të ri që shkon përtej veçorive të tyre të thjeshta fizike, pastaj ia kalojmë këto koncepte njëri-tjetrit derisa të duken si “të lindura”.
Kjo është ajo që qëndron në themel të realitetit tonë shoqëror, dhe saktësisht e njëjta gjë ndodh me emocionet tona.
Ashtu si tingujt, ngjyrat dhe paratë, emocionet gjithashtu kërkojnë praninë e dikujt që i percepton ato në mënyrë që ato të fitojnë kuptim: emocionet janë reale vetëm kur formulohen në trurin e atyre që i përjetojnë.
Lëvizjet e muskujve të fytyrës dhe variacionet trupore bëhen funksionale për të krijuar një shembull emocioni vetëm kur i kategorizojmë në atë mënyrë.
Pa konceptet që mbështesin emocionet e ndryshme, një buzëqeshje nuk do të ishte asgjë më shumë se një kombinim i pakuptimtë i lëvizjeve të muskujve të fytyrës. Për të qenë më pas në gjendje të transmetoni, komunikoni dhe perceptoni një emocion (si dhe çdo koncept tjetër të krijuar në realitetin shoqëror), duhet të ketë një grup njerëzish që bien dakord për ekzistencën e këtij koncepti, një fenomen i quajtur qëllimshmëri kolektive.
Me fjalë të tjera, për t’i komunikuar dikujt se jeni të zemëruar, të dy duhet të keni një kuptim të përbashkët të konceptit të “zemërimit”.