Indonezia, një nga emetuesit kryesorë të gazit serrë në botë, synon të rrisë kapacitetet e energjisë së rinovueshme në prodhimin e saj të energjisë deri në vitin 2030.
Kështu, Indonezia ka nisur planin e saj të investimeve për të “mobilizuar” 20 miliardë dollarë (rreth 18.2 miliardë euro) financime nga huadhënësit globalë që udhëhiqen nga Shtetet e Bashkuara dhe Japonia.
Mediat raportojnë se propozimi për investim, i njohur si Plani Gjithëpërfshirës i Investimeve dhe Politikave, u shpall zyrtarisht të martën pas një periudhe konsultimi publik.
Vendi kërkon të ulë emetimet e dioksidit të karbonit në 250 milionë tonë metrikë për sektorin e energjisë elektrike, përcjell Telegrafi.
Por për arritjen e objektivave të dëshiruara nevojiten investime me vlerë të madhe. Kjo për faktin se deri në vitin 2030, duhet të fillojnë të implementohen rreth 400 projekte.
Gjysma e fondeve të premtuara do të vijnë nga financimi privat, që mund të jetë kredi komerciale me norma tregu, investime në kapital ose borxhe. /Telegrafi/